E Hënë, 2 Nëntor 2026

Braho: Nuk bashkohemi me PS po s´iku Nano

24/12/2004  Deputeti i LSI-së, në një intervistë për "Metropol", ka përjashtuar mundësinë e një bashkëpunimi mes LSI-së dhe PS-së pas zgjedhjeve, në rast se Nano do të jetë Kryeministër. Madje, ai ka theksuar se në qeverinë Nano është i njohur fenomeni "Angjeli". Në lidhje me ftesat për bashkëpunim me forca të djathta, Braho ka vlerësuar më shumë LZHK-në sesa PD-në apo PS-në. Por, ai tha se dhe kjo forcë politike nuk është ende e qartë.

Zoti Braho, në media kohët e fundit është folur për aleanca dhe koalicione të mundshme mes partisë suaj dhe forcave të tjera politike në vend. Ǵqëndimi deklaron partia juaj?

Qëndrimi konkret i prerë dhe përfundimtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim është se nuk do të ketë asnjë lloj aleance parazgjedhore, me asnjë forcë politike. Ne kemi hyrë në këtë jetë politike, e cila do të konkretizohet në zgjedhjet e ardhshme, që do të thotë se në kandarin elektoral të popullit, ne duam të matemi dhe të peshohemi realisht, për të parë se çfarë fuqie, rëndese dhe peshe ka konkretisht vetë LSI-ja. Ashtu siç kemi deklaruar, ne pretendojmë dhe kemi synimet tona për të qenë ndër forcat e para politike në vend pas zgjedhjeve të përgjithshme. Pas këtyre zgjedhjeve, qëllimi i partisë sonë është që aleanca kryesore do të jete aleanca me shqiptarët. Natyrisht, përjashtohet çdo aleancë me partitë e djathta, sidomos ato që i përkasin ekstremit të djathtë, që bien ndesh me programin tonë dhe me ato shtresa të popullsisë, të cilat ne pretendojmë se përfaqësojmë. Nuk bëhet aspak fjalë për të bashkëpunuar pas zgjedhjeve me Partinë Socialiste, sa kohë që në krye të saj do të jetë Fatos Nano dhe ajo që quhet banda apo klika e tij.

Do të shikohet një bashkëpunim i mundshëm paszgjedhor me LZHK-në?

Edhe LZHK-ja kërkon të hyjë e vetme në zgjedhje, të përfaqësojë dhe ajo pjesën e elektoratit tradicional legalist apo "zogist" dhe nuk është shfaqur qartë se çfarë përfaqëson ajo në program. Kështu që është deficit ende i kësaj partie që nuk ka bërë të qartë programin e saj. LZHK luan akoma me terma kombëtare nacionaliste herë-herë edhe të dobishëm, por herë-herë dhe ekstremalisht shumë të qartë. Për sa u përket programeve ekonomike dhe sociale, ende s'kemi parë se çfarë përfaqëson kjo parti, kështu që është shpejt të flasim dhe për një bashkëpunim dhe me LZHK-në. Natyrisht ne jemi të prirur të mbështesim zhvillimin e kësaj force politike, pasi ajo duket më në këmbë në tokë për sa i përket luftës që bën kundër hegjemonisë dhe autotarizmit që përfaqëson sot e djathta shqiptare, siç është PD-ja.

Deputeti Preç Zogaj ka hedhur në media një ide, ku shikon të mundshëm bashkëpunimin e LSI-së me PD-në në koalicion qeverisës. Si e komentoni ju këtë deklaratë?

Preç Zogaj aktualisht përfaqëson vetëm një zë në orkestrën politike të PD-së, por deklarata e tij është një deklaratë e bërë në një mëngjes, pas një gjumi jo shumë të rehatsëhm, ose më saktë është një deklaratë e bërë në kohë gjumi.

Kryetari i LSI-së ka akuzuar minitsrin aktual të Ekonomisë, Anastas Angjeli, për afera në privatizimin e hotel "Tirana Internacioanl". A do të ndërmarrë ndonjë nismë LSI-ja për të zbardhur të vërtetën?

Partia Socialiste sot nuk ka vetëm një emër që quhet Anastas Angjeli, ka një fenomen që quhet "Angjeli" në këtë parti. Ka një listë të tërë të atyre që quhen prapësira ndër qeveritarët aktualë dhe që ne do t'i kemi objekt kryesor në fushatën tonë elektorale për t'i goditur, për t'i treguar popullit, edhe pse jo që pas zgjedhjeve i gjithë ky proces i fëlliqur privatizimesh, tenderimesh, qoftë dhe përfitimesh të jenë objekt i hetimit qeveritar i organeve të drejtësisë dhe strukturave të tjera, që merren posaçërisht me shkeljet e ligjeve nga qeveritarët aktualë.

Komisioni për reformën zgjedhore mbaroi punën, ç'mund të na thoni lidhur me atë se çfarë arriti ky komison?

Komisioni Bipartizan qe një proces, i cili u fillua keq, vazhdoi keq dhe përfundoi po keq. Qe një modus që eci po në rrugën e komisionit të mëparshëm Ruka-Gjana. Synimi kryesor i tij qe manipulimi i procesit të ndryshimeve në kodin zgjedhor dhe monopolizimi i këtyre ndryshimeve brenda spektrit PS-PD. Një proces i drejtuar nga njerëz inkompetentë në fushën legjislative. Një proces i kontestuar vazhdimisht, por jo vetëm i ndryshuar, por dhe shpeshherë qesharak, siç janë të gjithë në dijeni. Titullarët e këtyre komisioneve çfarë thoshin në mëngjes nuk e thoshin në darkë, apo çfarë thoshin në darkë nuk e thoshin ditën tjetër. Kështuqë, LSI të gjitha ato amendamente që prekin procesin e bërjes së komisioneve zonale apo të qendrave të votimit, apo atë që quhet proces i numërimit të votave, nuk do ta njohë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›