E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: Pas zgjedhjeve Nanon do ta nxjerr në pension

24/12/2004  Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar dje nga Kavaja se zgjedhjet e vitit 2005 do të jenë vendimtare për rrëzimin e qeverisë aktuale. Në fjalën e tij, kreu i PD-së nuk ka harruar t'i kujtojë Nanos pensionin e parakohshëm pas ikjes nga pushteti. I shoqëruar nga nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, Berisha ka zgjedhur qytetin e Kavajës për të nisur turin e tij të parë të fushatës elektorale të quajtur "Ditët e Shpresës". "Populli i Kavajës dhe i gjithë Shqipërisë do të thyejnë murin, që qeveria socialiste dhe Fatos Nano ngriti si barrikadë për të penguar integrimin e vendit tonë në Evropë", tha Berisha. Sipas tij, Kavaja ishte qyteti ku u filluan protestat e para për rrëzimin e diktaturës dhe sërish do të jetë Kavaja, ajo që do të japë shtysën e parë për rrëzimin e atij që Berisha e quajti, "muri i qeverisë Nano". "Në verën e vitit të ardhshëm, qeveria e Fatos Nanos do të detyrohet të dorëzojë pushtetin. Do të jetë vota e popullit, ajo që do ta detyrojë ta bëjë këtë gjë. Do të jetë vota e lirë e popullit, ajo që do të sjellë PD-në në pushtet", tha Berisha.

Deklarata

"Demokratët do të thyejnë murin e ngritur nga qeveria Nano, me hajdutët që po mbajnë peng vendin", tha Berisha. Nga ana tjetër, nga Kavaja shefi i opozitës nuk ka harruar t'i bëjë thirrje Kryeministrit të vendit të bëhet gati që në zgjedhjet e ardhshme të shijojë pensionin. “Dua t’i them Nanos, nga Kavaja, udhë të mbarë në pensionin e parakohshëm dhe të përjetshëm”, u shpreh Berisha. Këtë herë, kryedemokrati ka zgjedhur sheshet për të komunikuar me aktivistët dhe qytetarët e Kavajës, ku për të pritur kreun e PD-së, njëkohësisht dhe deputet i zonës, kishin dalë me mijëra qytetarë. Berisha në fjalën e tij e ka cilësuar Kavajën si një nga qytetet që organizoi protestat më të fuqishme për sjelljen e pluralizmit në vend, duke kujtuar dhe dëshmorët e demokracisë, Indrit Cara dhe Josif Buda.

Përkujtimi

"Ju ishit ata që vetëm pak ditë pas formimit të forcës së parë opozitare krijuat dhe degën e parë të PD-së, duke i dhënë kështu një shtytje të fuqishme, ecjes përpara në rrugën e pluralizmit", tha Berisha. Sipas tij, Kavaja është djepi i demokracisë dhe besnikërisë së vlerave më të mira fisnike të popullit. Duke shprehur falenderimin që populli i Kavajës, vazhdon t'i japë PD-së, Berisha është shprehur se ëndrra e kavajasve për ta parë Shqipërinë në Evropë nuk do të jetë e largët. Ashtu siç ishte premtuar, këtë herë fushata e PD-së, edhe në qytetin e Kavajës u bazua jo vetëm në fjalimet e zakonshme propagandistike, por dhe me festime. Pas fjalës së liderit demokrat, në sheshin e qytetit u organizua një koncert, ku përreth 2 orë kënduan këngëtarë të muzikës së lehtë dhe asaj popullore, duke i dhënë mitingut një pamje festive, ashtu siç ishte dhe hapja e "Ditëve të Shpresës", në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›