E Hënë, 2 Nëntor 2026

Van Nistelroi dy muaj jashtë futbollit

24/12/2004  

Sulmuesi i Mançester Junajtid, Rud Van Nistelroi, do të përballet tashmë me dy muaj kohë, për të mbyllur plotësisht fazën e rekuperimit. Ai ka pësuar një dëmtim në pulpë dhe duket se gjendja ka qenë më shumë negative, se sa vetë stafi mjekësor ka pandehur. Sigurisht edhe dy muaj të tjerë jashtë futbollit janë një kohë e gjatë për bomberin holandez, i cili deri më tani, ka nxjerrë në pah vlerat e tij për golat e shënuar me fanelën e djajve të kuq. Megjithatë pritet që të rekuperohet në kohë për sfidën e rëndësishme në Ligën e Kampioneve kundër Milanit. Burimet më të fundit nga klubi i “Old Traford”, tregojnë se gjendja fizike e holandezit nuk është aspak pozitive. Për sa i takon kompeticioneve evropiane, sulmuesi holandez vazhdon të mbetet golashënuesi më i mirë, pavarësisht se nuk ishte aktivizuar në takimin kundër Fenerbahçes. Ndër ata që e kanë ndjerë më tepër dëmtimin e Van Nistelroit, është sigurisht trajneri Sir Aleks Ferguson, i cili do ta ndjejë shumë mungesën e golave të holandezit. Frika e tij më e madhe ka qenë se, mos problemi në pulpë do të shtrihet deri në tendinën e Akilit. Ka qenë vetë trajneri skocez, i cili me gjithë periudhën e zënë prej festimeve, kishte bërë të ditur se holandezi do të qëndrojë jashtë fushave të futbollit për gati tetë javë. “Më në fund jemi pikërisht brenda afatit që ne parashikonim se ai do të qëndronte jashtë formacionit titullar, ka thënë Ferguson. Ne sigurisht nuk duam që ta sforcojmë për të arritur atë çfarë ai nuk mundet. Megjithatë ai do të jetë gati për sfidën kundër Milanit”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›