E Hënë, 2 Nëntor 2026

BE: Shqipëria të ecë me reformat ekonomike

15/12/2004  Krerët e Bashkimit Evropian deklaruan dje se në Shqipëri duhet të ecet përpara me reformat ekonomike dhe për këtë duhet vullneti politik. "Reformat duhet të zbatohen në të gjitha fushat me një vullnet të padiskutueshëm politik", thuhet në një deklaratë të dhënë mbi takimin e zhvilluar pak ditë më parë mes delegacionit shqiptar dhe përfaqësuesve të Këshillit të Evropës. Parlamentarët theksuan se, pavarësisht vështirësive në një vend, që është ende në tranzicion, mungesa e vullnetit politik do të pengonte reformat dhe nënshkrimi i marrëveshjes me BE-në do të vonohet edhe më shumë. Gjatë takimit u shpreh shqetësimi lidhur me faktin se një pjesë e madhe e ekonomisë shqiptare është ende joformale dhe se mjedisi i biznesit nuk është shumë tërheqës për të huajt, për shkak të pengesave si korrupsioni, krimi i organizuar e moszbatimi i ligjit. Ndërsa u vlerësua Ligji i ri për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave është kërkuar marrja e masave të menjëhershme për zbatimin e tij, duke e konsideruar dhe një çështje të rëndësishme në zbatimin e të drejtave të njeriut. Nga ana tjetër zgjedhjet parlamentare të vitit 2005 janë cilësuar sërish si mundësia më e mirë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit. "Ecuria e reformave në Shqipëri është një parakusht për procesin e Stabilizim-Asocimit". Sipas deklaratës, kjo u theksua gjatë takimit mes delegacionit të parlamentit shqiptar dhe Parlamentit Evropian, të zhvilluar në fillim të muajit dhjetor. Të dy delegacionet theksuan se "aspirata shqiptare për integrimin evropian është e lidhur ngushtë me procesin e Stabilizim-Asociimit për rajonin dhe se synimi i Shqipërisë në këtë moment është nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në". Parlamentarët shqiptarë dhe evropiane theksuan gjithashtu se duhet përmirësuar kapaciteti i qeverisë shqiptare për të qeverisur dhe për të zbatuar reformat e nevojshme në vend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›