E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vendimi: Mbledhjet e komisioneve, të hapura

15/12/2004  Ekspertët e Kuvendit, në bashkëpunim me përfaqësuesit e partive politike, kanë vendosur të tërhiqen nga mbyllja e dyerve të komisioneve parlamentare për mediat. Burimet zyrtare tashmë kanë bërë të ditur se mbledhjet do të jenë të hapura, përveçse në rastet kur shumica e anëtarëve të një komisioni parlamentar vendos ndryshe. Vetëm dy javë më parë, gazeta "Metropol" ka shprehur shqetësimin për mbylljen e mbledhjeve të komisioneve parlamentare, duke rrezikuar në këtë mënyrë kalimin e projektligjeve jashtë vëmendjes së deputetëve. Propozimi fillestar ka ardhur prej ekspertëve që kanë monitoruar procedurat e vendeve të tjera të Bashkimit Evropian. Ndërsa kanë konstatuar se deputetët në Shqipëri në mbledhjet ku ka media nuk përqëndrohen në anët politike, por në ato teknike. Por, faktikisht, vetëm nga prezenca e mediave është tërhequr vëmendja për mungesa të ndryshme në ligje apo dhe shkelje të Kushtetutës. Madje, dhe gjatë diskutimit për paketën antimafia, vetëm si rrjedhojë e publikimit të pikave të projektligjit në media është arritur në përmirësimin e mëtejshëm. Në ndryshimin e bërë së fundi, deputetët thanë se prezenca e mediave në komisione sjell më shumë informacion për publikun, duke ndikuar dhe në një stabilizim dhe qartësim të situatës për publikun.

Diskutimi

Diskutimi mbi projektrregulloren e re të Kuvendit ka nisur që një vit më parë. Por deputetët e partive të vogla kanë shprehur shqetësimin se janë ulur të drejtat e grupeve parlamentare për të kërkuar interpelancë me ministrat apo dhe me Kryeministrin. Kjo solli dhe një shtyrje të afateve për miratimin e draftit në fjalë. Ndërsa në ridiskutim është vendosur që të drejtat e grupeve parlamentare të jenë të njëjta, por partitë e mëdha nuk do të lejohen që të japin parti boxh, në mënyrë që aletët e tyre të krijojnë deputetë fiktivë. Ndërsa një tjetër pikë debati është dhe koha kur do të hyjë në fuqi projektrregullorja e re e Kuvendit. Sipas relacionit paraprak, rregullorja e re do të funksionojë që në muajin janar. Por partitë e vogla tashmë kanë kërkuar që drafti të hyjë në fuqi me parlamentin e ardhshëm. Sipas burimeve, gjatë kësaj jave në Komisionin e Ligjeve do të tentohet për t'i dhënë dorën e fundit shqyrtimit të neneve për draftin më të debatueshëm mes partive politike. Sipas kërkesës së BE-së, rregullorja e re duhet të miratohet me konsensus të plotë mes partive politike, pasi ka të bëjë me rregullimin e jetës parlamentare në vend. Ndërsa mbi zhvillimin e mbledhjeve të komisioneve parlamentare me dyer të hapura për mediat tashmë është arritur konsensusi.

Propozimi

Bazë për propozimin e zhvillimeve të mbledhjeve të komisioneve me dyer të mbyllura për mediat është marrë eksperienca e Mbretërisë së Bashkuar, Gjermania, Holanda, Irlanda, Finlanda, Suedia, Portugalia, Greqia, Italia dhe Parlamenti Evropian. Në të kundërt me këto vende Spanja, Hungaria, Sllovakia dhe Bullgaria zhvillojnë mbledhje të komisionit të hapura. Sipas rregulloreve të funksionimit të parlamenteve të këtyre vendeve, me zhvillimin e mbledhjeve të hapura, mediat arrijnë të japin një kontribut dhe më të madh në ndryshimet apo përmirësimet e ligjeve. Ndërsa shumica e deputetëve tashmë kanë ngritur shqetësimet se nismat legjislative nuk merren prej një shteti që tashmë është në BE, por prej shumë shtetesh, duke sjellë në këtë mënyrë një amulli si në vendimmarrje ashtu dhe në fusha të ndryshme të veprimit. Ndaj dhe kanë nisur propozimet e para për rishikimin e ligjeve të miratuara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›