E Diel, 1 Nëntor 2026

Krerët e bashkive bojkotojnë ambasadorët

Kryetarët e bashkive të Shqipërisë kanë braktisur konferencën e ambasadorëve, të zhvilluar dje paradite në kryeqendrën e Veriut, në Shkodër. Asnjë nga kryetarët e bashkive të ftuar, përveç kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, nuk ishte i pranishëm në këtë konferencë që kishte si objektiv të sajin forcimin e bashkëpunimit mes diplomacisë shqiptare në botë dhe pushtetit vendor, me qëllim thithjen e sa më shumë investimeve dhe turistëve të huaj.

Ndërkohë, ambasadorët u treguan mjaft kritikë ndaj kryetarëve të bashkive, të cilët, sipas tyre, krijojnë lidhje me bashkitë e huaja në mënyrë private dhe jo institucionale, duke anashkaluar përfaqësitë diplomatike të vendit tonë. Drejtuesi i kësaj konference, zëvendësministri i Jashtëm, Anton Gurakuqi, është shprehur në lidhje me mospjesëmarrjen e kryetarëve të bashkive në këtë takim, se nuk është aspak normale që trupa diplomatike të pritet nga Presidenti, Kryeministri dhe Kryetarja e Parlamentit dhe të mos pritet nga kryetarët e bashkive. Duke folur më tej në lidhje me këtë çështje, Gurakuqi është shprehur se nga përfaqësitë diplomatike pritet shumë, por kur diplomatët tanë nuk priten nga kryetarët e bashkive, të cilët kanë tepër nevojë për bashkëpunimin me ambasadorët, atëherë kuptohet se në çfarë niveli do të jetë bashkëpunimi. Por zv/ministri i Jashtëm ka garantuar nga ana tjetër se pavarësisht kësaj, trupa diplomatike do të bëjë maksimumin për prezantimin e Shqipërisë nëpër botë dhe thithjen e sa më shumë investitorëve të huaj.

Në fjalën e tij, i vetmi kryebashkiak prezent në këtë konferencë, Lorenc Luka i Shkodrës, tha se "orientimi ynë kryesor ka qenë binjakëzimi me njësitë vendore homologe, që ka luajtur rolin e vet në pushtetin lokal. Nënshkrimi i portokoll-marrëveshjeve të bashkëpunimit mes njësive të qeverisjes vendore ka sjellë mundësi të mëdha dhe ka hapur dimensione të reja në punën tonë. Bashkëpunimi në kuadrin e decentralizimit ka pasur një rritje shumë të ndjeshme mes njësive vendore respektive". Por ndërsa kryebashkiaku i Shkodrës mburrej duke numëruar binjakëzimet me qytetet evropiane, kanë reaguar ashpër ambasadorët, të cilët kanë dalë njëzëri jo vetëm kundër kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, por gjithë kryetarëve të bashkive në Shqipëri, të cilët bëjnë binjakëzime në fusha të ndryshme me shtete të tjera, duke mos përfshirë ambasadat e Shqipërisë dhe duke e bërë gjithçka nga njohjet personale dhe jo institucionale.

Konkretisht, ambasadori i Shqipërisë në Zvicër, Mehmet Elezi, shprehu pakënaqësi në lidhje me faktin se si kryetarët e bashkive krijojnë binjakëzime dhe marrëdhënie me qytetet e huaja, duke anashkaluar ambasadën. Kjo, sipas tij, nuk ndikon aspak për mirë, si në aspektin e prezantimit të Shqipërisë, ashtu edhe në marrëdhënien e trupit diplomatik me pushtetin vendor.

Shqetësimi i ambasadorit të Shqipërisë në Zvicër më pas u përkrah nga të gjithë trupa e ambasadorëve që përfaqësojnë Shqipërinë në botë. Kryetarit të Bashkisë së Shkodrës iu desh të përballej i vetëm me shqetësimin e ambasadorëve, duke thënë se nuk bëhet fjalë për anashkalim të ambasadave, por për thjeshtim të procedurave.

Zv/ministri i Jashtëm, në rolin e ndërmjetësit mes ambasadorëve dhe kryetari i Bashkisë Shkodër u munduan të japin argumente, duke u dhënë të drejtë të dyja palëve.

E nisur si një konferencë për të rritur bashkëpunimin mes pushtetit vendor dhe trupit diplomatik, konferenca e djeshme tregoi haptazi se mes pushtetit vendor në Shqipëri dhe përfaqësive diplomatike në botë ekziston një betejë institucionale.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›