BE, Solana: Opozita të kthehet në parlament
Bashkimi Evropian dënon bojkotin e opozitës shqiptare ndaj institucionit të Kuvendit, duke i kujtuar asaj se kjo është rruga më e gabuar ndaj duhet të kthehet në parlament. Përmes zëdhënëses së tij, shefi i politikave të jashtme të BE-së, Javier Solana kërkon që opozita të zërë vendet e saj në Parlament dhe ta zhvillojë debatin politik pikërisht në sallën e Kuvendit. “Ajo çfarë mund të them është se nëse zgjedhjet, që janë certifikuar si të mira nga vëzhguesit ndërkombëtar, natyrisht me probleme por që në përgjithësi konsiderohen të rregullta, atëherë të zgjedhurit në qeveri dhe ata që janë zgjedhur në opozitë duhet të sillen në mënyre konstruktive dhe bojkoti nuk është mënyra më e mirë. Ne u rekomandojmë të dy palëve, që të punojnë në mënyrë më konstruktive, sepse në fund të fundit punojnë për të ardhmen e popullit të tyre”, - tha znj.Galak. Në mënyrë diplomatike, Solana nëpërmjet zëdhënëses së tij, Christina Galack, duke vlerësuar zgjedhjet e 28 qershorit lë të kuptohet qartë se tashmë PS-ja nuk ka asnjë arsye të vazhdojë me mospjesëmarrjen parlamentare, ndaj BE-ja i konsideroi dje zgjedhjet e 28 qershorit shumë herë më të mira se ato që shqiptarët kanë zhvilluar më parë. Zëdhënësja e shefit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Javier Solana, Christina Galack, deklaroi se zgjedhjet ishin më të mira se në të kaluarën dhe shënuan përmirësime. Por, znj. Galack shtoi se pati dhe fenomene negative si politizimi i procesit teknik. Duke folur për qëndrimin bojkotues të opozitës në Kuvend, znj. Galack nënvizoi nevojën e bashkëpunimit mes qeverisë dhe opozitës, ndërsa e cilësoi bojkotin si një mënyrë jo të mirë.
“Ne jemi të kënaqur tashmë që raporti është publikuar në tërësinë e tij mbi përgatitjen e zgjedhjeve dhe mënyrën sesi ato u zhvilluan. Vërejmë se ky raport konfirmoi atë që thamë, se këto zgjedhje ishin më të mira se ato në të kaluarën, cfarë do të thotë së pati përmirësime. Por për fat të keq u konfirmua dhe dicka tjetër për të cilën na vjen keq, fakti që pati politizim të cështjeve teknike të procesit. Gjithsesi, tani, pas zgjedhjeve, qeveria dhe opozita duhet të punojnë, secila palë në anën e vet, në mënyrë që të cojnë vendin përpara dhe më afër Bashkimit Europian”, - deklaroi z.Galak. Pothuajse në mënyrë të përditshme, Shqipëria dhe qeveria “Berisha” kanë marrë sinjale pozitive për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme më 28 qershor. Përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian, por edhe SHBA-së i kanë konsideruar zgjedhjet e 28 qershorit si më të mirat që Shqipëria ka bërë ndonjëherë në 19 vitet e fundit të pluralizmit demokratik në vend. Dy ditë më parë, Brukseli, përmes ministrit të Jashtëm të Suedisë, Bildt, dhe kryekomisionerit të BE-së, Rehn, vërejti se pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, Shqipëria ndodhet në një pozitë shumë herë më të mirë. Po ashtu, Kryeministri Sali Berisha ka marrë mesazhe urimi nga homologët e tij perëndimorë për rimandatimin në këtë post edhe për 4 vitet e ardhshme, duke e përgëzuar atë në mënyrë të veçantë për kryerjen e reformave mjaft të rëndësishme për vendin që kanë të bëjnë me integrimin evropian të shqiptarëve.
Presidenca suedeze: Opozita të dialogojë në Kuvend
BE-ja mirëpret vlerësimin se zgjedhjet e 28 qershorit arritën pjesën më të madhe të angazhimeve të OSBE-së, ndaj dhe bën thirrje për dialog konstruktiv mes partive politike. Presidenca suedeze mori dje në shqyrtim raportin përfundimtar të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it. Raporti thekson se zgjedhjet demonstruan përparim të dukshëm, në veçanti, në lidhje me regjistrimin e votuesve dhe procesin e identifikimit të tyre, kuadrin ligjor, votimin, numërimin dhe gjykimin e aplikimeve zgjedhore. Gjithashtu, ai vë në dukje, fatkeqësisht, politizimin e aspekteve teknike të procesit, si dhe dhunën e konstatuar gjatë fushatës zgjedhore. BE thekson rëndësinë për të përmirësuar mangësitë që dolën nga zgjedhjet, leksionet janë dhënë dhe se rekomandimet e përfshira në raport duhet të ndiqen nga qeveria dhe të gjitha palët e interesuara. BE-ja inkurajon të gjitha partitë politike në Shqipëri për të ndjekur një dialog konstruktiv politik. Në veçanti, duke mbajtur një dialog të përhershëm në Parlament, i cili është një element kyç i demokracisë. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë një kërkesë e domosdoshme për të përmbushur kriteret për anëtarësim në BE. BE-ja është e angazhuar të vazhdojë të sigurojë mbështetje për Shqipërinë në këtë proces të rëndësishëm, duke ndihmuar Shqipërinë për të ecur përpara drejt integrimit evropian.