E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, turizmi e ekonomia piketat e qeverise se re

17/09/2009  Kryeministri prezantoi dje programin qeverisës për katër vjetët e ardhshëm

“Pensionet do të rriten 10 % në qytet dhe 15 % në fshat”

Në vitin 2011 do të përfundojë regjistrimi i pronës, legalizimi në shtator të 2010-s

Albana Lika

Kryeministri Sali Berisha premtoi dje rritjen e pensioneve 10 % për qytetin dhe 15 % për fshatin dhe të të ardhurave me 12-15 % në vit, me synimin rritjen e tyre me 50 % në vitin 2013 krahasuar me vitin 2005. Kreu i qeverisë i bëri këto premtime gjatë prezantimit të programit të kabinetit të tij qeveritar për katër vjetët e ardhshëm, të përmbledhur në një raport prej rreth 60 faqesh. “Qeveria e Integrimit Europian”, siç e cilësoi ai formacionin e tij, u angazhua përmes këtij programi për përgatitjen për anëtarësim të Shqipërisë brenda mandatit të saj qeverisës dhe sigurimin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve në hapësirën “Shengen” brenda vitit të parë të mandatit qeverisës. Por për realizimin e reformave të mëdha demokratizuese dhe ligjore që do të çojnë në realizimin e këtyre synimeve kyç, është e domosdoshme kontributi i opozitës, ndaj kryeministri Berisha në emër të maxhorancës dhe të qeverisë së saj ftoi PS-së për të dhënë një kontribut të tillë. Reformat organizative në administratën qendrore bazuar në një administratë të vogël, por efiçente, janë të tjera reforma që qeveria “Berisha 2” do të ndërmarrë në mandatin e saj të dytë. “Qeveri e vogël, efiçente dhe në dietë është zotimi ynë solemn para qytetarëve shqiptarë. Ndaj do të reduktohet administrata me 10 % dhe shpenzimet administrative 25 %”, - vijoi Berisha për sektorin e administratës qendrore dhe vendore. Ndërsa vazhdimi i reformave në sistemin e institucioneve e ligjeve që garantojnë rendin, sigurinë publike dhe të drejtat kushtetuese do të përbëjë, siç tha kryeministri, prioritetin e prioriteteve të maxhorancës dhe Qeverisë së Integrimit Europian. “Qeveria do të vazhdojë angazhimin maksimal “me zero tolerancë ndaj krimit”, duke kuptuar në radhë të parë krimin e organizuar, trafiqet e korrupsionin. Në vazhdim të luftës sonë ndaj trafiqeve e drogave, Shqipëria do vazhdojë të mbajë në fuqi moratorumin për skafet”, - tha Berisha. Sektori i arsimit dhe i shëndetësisë ishin të tjerë sektorë për të cilët premtimet ishin të konsiderueshme. Heqja e TVSH-së së mallrave dhe të shërbimeve në këta dy sektorë ishte premtimi i qeverisë së re për katër vjetët e ardhshëm. “Rritja e profesionalizimit dhe motivimit të personelit mësimor të të gjitha niveleve. Për këtë qëllim do të vazhdojë rritja e pagave e shpërblimeve”, - tha ai. Berisha premtoi sigurimin e burimeve financiare për sistemin shëndetësor, konkretisht rritjen e buxhetit për këtë sektor me 60 %.

Maxhoranca është e vendosur:

- të kufizojë imunitetet;

- të shtojë fondet dhe mjetet në dispozicion e të modernizojë e forcojë administratën në shërbim të Kuvendit;

- të shkurtojë privilegjet e pamerituara dhe shpenzimet e padobishme;

- të rrisë mundësitë e opozitës për të diskutuar dhe monitoruar qeverinë e për të kontribuar në reformat e mëdha;

- të hapë më shumë procesin parlamentar për publikun.

Pronat

Qeveria shqiptare premtoi vijimin e reformës së nisur për garantimin e së drejtës së pronës. Për këtë kreu i qeverisë, Berisha, deklaroi se brenda vitit 2011 do të përfundojë regjistrimi i pronave. Po ashtu ai premtoi se do të rrisë fondin që do të përdoret për kompensimin financiar të pronarëve, kthimin e tyre te pronarët kur është e mundur. Brenda 2010-s qeveria “Berisha 2” premton të përfundojë reformën e plotë për titujt e pronësisë dhe të mbyllë procesin e legalizimit brenda shtatorit të vitit tjetër. “Përmirësimet ligjore dhe ato administrative, përdorimi i teknologjisë së informacionit, eliminimi ligjor i abuzimeve me pronat si dhe realizimin në shkallë gjithnjë e më të lartë të procesit të kthimit e kompensimit të pronave do të përbëjnë drejtimet bazë të reformës pronësore”, - tha Berisha

Ministri i Jashtëm, Meta, premton zgjerimin e marrëdhënieve ndërkombëtare

“Deri në vitin 2013 do të hapim negociatat me BE-në për anëtarësimin”

Zv.kryeministri fton PS-së të bashkojë kontributin e saj me atë të mazhorancës

Zëvendëskryemisnitri i vendit, njëkohësisht monistër i Jashtëm, Ilir Meta, premtoi dje marrjen nga Shqipëria brenda mandatit katërvjeçar të statusit të kandidatit për anëtar të Bashkimit Evropian dhe hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE. Ai premtoi se qeveria në të cilën ai bën pjesë do të vijojë reformat e ndërmarra për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve nëpër botë. Gjatë fjalës së tij mbajtur në Kuvend pas prezantimit të programit qeverisës nga kryeministri Berisha, Meta premtoi gjithashtu zgjerimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve të vendit tonë me vendet e Eropës, SHBA-të, vendeve të rajonit, sidomos Serbinë. “Marrëdhëniet me SHBA-të do të përbëjnë për ne një aleancë strategjike në fushën e sigurisë, në raportet politike si dhe ekonomike. Shqipëria do të ketë marrëdhënie shumë të mira me të gjitha vendet e BE-së. Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë për aspiratat e rajonit, siç është integrimi evropian. Po ashtu do të synohet përmirësimi dhe zgjerimi i marrëdhënieve me të gjitha vendet dhe sidomos me fqinjët”, - theksoi Meta. Duke kaluar në rajon, ai tha se për shtetin e Kosovës mbështetja do të jetë e natyrshme. “Politika e jashtme do të synojë përparimin e marrëdhënieve me shtetet sllave e veçanërisht me Serbinë”, - vijoi numri dy i qeverisë shqiptare. Ai garantoi se forca politike që ai kryeson do të përmbushë të gjitha angazhimet që burojnë nga marrëveshja pulitke me PD-në dhe programin qeverisëse, duke shprehur bindjen se vetëm në këtë mënyrë LSI-ja jep kontributin e saj për liberalizmin e vizave. Në përfundim të fjalës së tij kreu i LS-së, duke iu referuar simbolikës së Konferencës së Pezës, ftoi Partinë Socialiste të lërë mënjanë interesat personale dhe të kontribuojë në interes të vendit.

Vangjel Dule (kryetar i PBDNJ-së)

Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, shprehu rezerva për programin e qeverisë “Berisha”. Ai tha se programi nuk kishte vizion të qartë. “Duhet të kemi vizion: kush, ku, çfarë? Vetëm kështu mund të realizohet hapi i parë i liberalizimit të vizave dhe më pas integrimi në BE. Duhet të largohemi nga sloganet”, - theksoi ai. Lidhur me procesin zgjedhor ai propozoi administrimin e procesit nga militantë jopolitikë dhe krijimi i mutësisë së emigrantëve për të votuar. Dule propozoi ngritjen e një strukture edhe në nivel ministri për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve.

Lulëzim Basha (ministër i Brendshëm)

Ministri i Brendshëm Lulëzim Basha gjatë fjalës së tij tha se gjatë 4 vjetve do të realizohen reformat e nevojshme për lehtësimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe luftën me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar. “Do të rritet kontrolli i kufijve, përmirësohen mjetet për njohjen e situatës në kohë reale; do të identifikohet mënyra e krijimit të aseteve në mënyrë kriminale, konfiskimi dhe kalimi te publiku. Synohet denoncimi i zyrtarëve të korruptuar dhe forcimi i mekanizmave për kapjen e tyre. Do të heqim Shqipërinë nga harta për përdorimin e drogave dhe trafikimin”, - tha Basha.

Dritan Prifti (ministër i Ekonomisë)

Qeveria shqiptare nuk ka hequr dorë nga ndërtimi i një centrali bërthamor. Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, paraqiti programin e tij qeverisës, mes të cilave premtoi hapjen e 160 mijë vendeve pune. “Qeveria ka si objektiv madhor krijimin e 160 mijë vendeve te reja pune. Ky objektiv do të arrihet duke mbështetur dhe fuqizuar biznesin privat”, - tha ai. Prifti tha se do të investohet në energji alternative, si era dhe dielli. “Do të avancohet me projektin e një centrali bërthamor, me qëllim që në fund të mandatit qeverisës të kemi krijuar infrastrukturën institucionale për këtë qëllim”, - theksoi ministri.

Arben Imami (ministër i Mbrojtjes)

“Qeveria do të sigurojë ndërveprimin dhe vënien në dispozicion të kapaciteteve të çdo ministrie dhe agjencie qendrore për integrimin e plotë të FA në strukturat e NATO-s deri në vitin 2010”, - ka qenë ky premtimi i ministrit të mbrojtjes Arben Imami, i cili tha se deri në fund të vitit 2010 do të bëhet transformimi i FA-së në një forcë profesionale. Lidhur me asgjësimin e municioneve ministri shprehu synimin e shkatërrimit të një sasie prej 85 000 tonë municione deri në vitin 2015. Ndërsa pjesa më e rrezikshme e municioneve do të eliminohet deri në fund të vitit 2010.

Ministrat lexojnë programet e dikastereve

Mazhoranca votëbeson qeverinë “Berisha 2”, mungon opozita

Albana Lika

Mazhoranca parlamentare ka votëbesuar dje me 74 votat e saj dhe një kundër kabinetin e ri qeveritar që do të qeverisë gjatë katër vjetve të ardhshëm. Në seancën e djeshme munguan sërish deputetët e opozitës; i vetmi deputet i opozitës, kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e njeriut, Vangjel Dule, votoi kundër përbërjes së qeverisë dhe për programin e qeverisë. Në respektim të nenit 110 të Rregullores së Kuvendit, deputetët e pranishëm votuan në bllok me elektronikë formacionin qeverisësm ashtu dhe programin politik. Seanca maratonë, e cila zgjati rreth pesë orë, nisi me prezantimin e programit politik të qeverisjes, vijoi me diskutimet e ministrave dhe të deputetëve të mazhorancës. Vetëm pas këtyre diskutimeve, që zgjatën jashtë të gjitha parashikimeve, Kuvendi kaloi në proces votimi. Deputetët e pranishëm pas miratimit të qeverisë së re kanë votuar edhe emërimin e dy nënkryetarëve të Kuvendit të Shqipërisë, zotërinjtë Nasip Naço dhe Ardian Turku, nga tre nënkryetarë që do të ketë Kuvendi. Posti i tretë i opozitës do të përfaqësohet nga një deputet i Partisë Socialiste. Kuvendi votoi gjithashtu edhe përbërjen (pa deputetët e opozitës) e tetë komisioneve të përhershme parlamentare që do të funksionojnë në Kuvend gjatë mandatit qeverisës. Në këtë mënyrë, nga tetë komisione gjithsej, tre prej tyre, siç është Komisioni i Integrimit, ai i Medies dhe Komisioni për Shëndetësinë, do të kryesohen nga opozita dhe pjesa tjetër nga mazhoranca. Në drejtimin e komisioneve kyç mazhoranca konfirmoi kryetarët e mëparshëm. Në këtë mënyrë, në krye të Komisionit të Ligjeve u zgjodh Ilir Rusmali, në të krye të Komisionit të Ekonomisë u zgjodh Edmond Spaho dhe në krye të Komisionit për Sigurinë Kombëtare u zgjodh Leonard Demi. Kuvendi votoi edhe ngritjen e pesë sekretariateve të Kuvendit. Në përfundim të seancës ligjvënësit e rinj votuan të parin akt normativ, atë për dërgimin në Afganistan të trupave të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Topalli mëson të rinjtë

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka qenë e vëmendshme për t’u mësuar deputetëve të rinj të Kuvendit mënyrën e votimit me anë të tabelës elektronike. Duke iu drejtuar të rinjve, Topalli i ka shpjeguar dhe se duhet të shtypin butonin jeshil kur të vijë koha për të votuar, si dhe sinjifikimin e butonave të tjerë. “Shtypni butonin jeshil”, - u ka thënë Kryetarja e Kuvendit deputetëve që u ulën për herë të parë në karriget e Parlamentit. Në grupin e deputetëve demokratë janë një pjesë e mirë deputetësh që ulen për herë të parë në vendet që lanë bosh paraardhësit e tyre, që ose nuk fituan, ose nuk u përzgjodhën kandidatë për deputetë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›