BE: Vizat, vetëm nëse plotësoni kushtet
Menjëherë pas publikimit të iniciativës europarlamentare për përfshirjen e Shqipërisë dhe Bosnjës në të njëjtin bllok me 3 vendet e tjera përfituese të rajonit për heqjen e regjimit të vizave Schengen, përfaqësuesja e Presidencës Suedeze të BE-së, Anna Craenen, nënvizon se liberalizimi i vizave do të bëhet në momentin që këto dy vende do të përmbushin kushtet, duke ndjekur më pas procedurën aktuale. Presidenca europiane gjithsesi vlerëson sikundër dhe Parlamenti, se kosovarëve i duhet dhënë një mesazh i qartë për lëvizjen e lirë në të ardhmen, megjithëse me Kosovën, Bashkimi Europian nuk ka ende në fuqi as marrëveshje për lehtësimin e vizave. "Bosnja dhe Shqipëria do t‘i bashkëngjiten kur të kenë përmbushur kushtet e kërkuara. Është e rëndësishme po ashtu që Kosovës t‘i jepet një perspektivë europiane për lëvizje të lirë në të ardhmen", thotë Creanen. Përfaqësuesja e përhershme e Suedisë pranë Bashkimit Europian shpreson që aplikimi i kandidaturës së Shqipërisë të shqyrtohet sa më shpejt në mënyrë që komisioni të mund të nisë përpilimin e opinionit. "Ne llogarisim që të mund t‘i dërgojmë Komisionit aplikimin e Shqipërisë së shpejti për të dhënë opinionin e tij tashmë që procedurat zgjedhore kanë përfunduar", thotë Creanen. Deklaratat mbi ecurinë e vendeve të Ballkanit, përfaqësuesja e presidencës suedeze të BE-së i dha gjatë takimit të parë të komitetit të përbashkët konsultativ të shoqërisë civile mes Bashkimit Europian dhe Maqedonisë. Dy ditë më parë, Parlamenti Europian vlerësoi se Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina duhet t‘i bashkëngjiten propozimit të komisionit për liberalizimin e vizave me Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Drafti i përpiluar për këtë çështje, ku raportuese ishte eurodeputetja e re sllovene, Tanja Fajon, argumentonte se sipas vlerësimit të komisionit në maj 2009, këto dy vende kanë bërë progres të rëndësishëm e domethënës ndaj duhet t‘i përkasin të njëjtit propozim. "Mendoj se është shumë e rëndësishme që t‘u dërgohet një mesazh i fortë dhe qytetarëve të Shqipërisë e Bosnjë-Hercegovinës. Unë nuk jam dakord që komisioni i la këto dy vende jashtë propozimit", u shpreh Fajon. Përfshirja e Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës në të njëjtin propozim për amendimin e rregullores do të shmangte burokracinë më se 6-mujore të Brukselit. Kështu, nuk do të ishte e nevojshme një propozim i ri në mes të vitit 2010 nga Komisioni që do të pasohej, sipas procedurës, nga vota e Parlamentit dhe unanimiteti i vendeve anëtare në Këshill, por automatikisht heqja e regjimit të vizave do të bëhej e mundur sapo të vlerësohej se Shqipëria dhe Bosnja i plotësojnë kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Amendimet e përfshira në raportin e Parlamentit flasin dhe për nisjen e dialogut për liberalizimin e vizave me Kosovën, pa paragjykuar statusin e shtetit të ri ballkanik. "Ne po shohim mundësitë sesi ta angazhojmë Kosovën në këtë proces, në mënyrë që dhe qytetarët atje të mund të kenë një perspektivë të qartë europiane", theksoi Fajon. Amendamenti i shtuar për Kosovën është mirëpritur nga Komisioni Europian, ndryshe nga ai për përfshirjen e Shqipërisë dhe Bosnjës, pasi zyrtarët e komisionit kanë frikë se një propozim i tillë jo vetëm që nuk do të miratohej nga vendet anëtare, por do të vinte në rrezik edhe Serbinë e Malin e Zi. Raporti do të votohet në seancën plenare të 24 nëntorit, për t‘i kaluar më pas Këshillit të Bashkimit Europian në muajin dhjetor. Roli i Parlamentit për çështjet Schengen është konsultues dhe jo detyrues për këshillin me traktatet ekzistuese.