E Diel, 1 Nëntor 2026

Zv/kryeministri Meta vijon takimet në SHBA

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, gjatë vizitës së tij në SHBA ka vijuar takimet e tij intensive. Dje, ai ka bashkëbiseduar me homologun e tij sllovak, Miroslav Lajcak, dhe atë malajzian, Datuk Anifah Aman. Në takimin me ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, krahas marrjes së konfirmimit të mbështetjes për Shqipërinë gjatë procesit të integrimit europian dhe liberalizimit sa më të shpejtë të vizave, ministri Meta mirëpriti vendimin e qeverisë sllovake për hapjen së shpejti të ambasadës sllovake në Tiranë dhe e ftoi ministrin Lajcak që të zhvillojë një vizitë zyrtare në Tiranë me rastin e çeljes së ambasadës. Me ministrin e Jashtëm të Malajzisë, ministri Meta u ndal në ndihmën që ky vend mund të japë në lobimin me vendet e rajonit për njohjen e mëtejshme të shtetit të Kosovës. Më tej, zv/kryeministri Meta shprehu dëshirën për një prezencë sa më të madhe me investime të biznesit malajzian në Shqipëri. Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Meta, mori pjesë gjithashtu në veprimtari të karakterit shumëpalësh, si takimi i ministrave të Jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi BEDZ dhe takimi vjetor i ministrave të Punëve të Jashtme të Organizatës së Konferencës Islamike. Në komunikatën finale të ministerialit të OKI-t u miratua midis të tjerash edhe një paragraf mbi Kosovën, në të cilin evidentohet qartë se, që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, Kosova ka bërë progres të dukshëm në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe ka krijuar kuadrin e nevojshëm ligjor dhe institucional, dhe se pavarësia e saj ka kontribuar në paqen dhe stabilitetin në rajon.

E.Gj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›