BE: Zgjedhjet në Mal të Zi, të lira dhe të ndershme
Bashkimi Europian i konsideroi zgjedhjet e Malit të Zi të lira dhe të ndershme, një vlerësim ky shumë i rëndësishëm për integrimin e vendit. Në një komunikatë për shtyp, përfaqësuesi i lartë për politikën e jashtme dhe sigurinë në BE, Havier Solana, përgëzoi zhvillimin e zgjedhjeve të lira, që sipas tij plotësuan rekomandimet e OSBE-së dhe Këshillit të Europës. “Presim që qeveria e re të bashkëpunojë ngushtë për realizimin e reformave drejt BE-së”,- u shpreh Solana. Ndërsa komisioneri për Zgjerimin, Oli Ren, vlerësoi se zgjedhjet nuk patën probleme madhore. Ai shtoi se në këtë vend, ku ka konsensus të gjerë për integrimin në Europë, qeveria e re duhet të punojë me opozitën për ta konsoliduar këtë konsensus e për t’u bërë shembull për rajonin. Zgjedhjet nuk ishin kriter për statusin e kandidatit në rastin e Malit të Zi, por ky vend duhet të tregojë rezultate në zbatimin e MSA-së dhe të vijojë reformat në rrugën drejt BE-së.
1 Prill 2009