E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama viziton Europën, ndalesa e parë është Londra



Blerina Olldashi
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, u nis dje për vizitën e parë në Europë dhe ndalesa e parë është pikërisht Londra. Kreu i Shtëpisë së Bardhë do të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të G20-s, që do të zhvillohet në kryeqytetin e Anglisë, për të zhvilluar bisedime me udhëheqësit e vendeve më të mëdha të botës. Zoti Obama tha për gazetën “Financial Times” se grupi i 20 vendeve më të industrializuara dhe në zhvillim duhet të japin një mesazh të fuqishëm uniteti për t’iu kundërvënë krizës ekonomike globale. Shumë vende ia hedhin fajin për krizën Shteteve të Bashkuara dhe sistemit të saj bankar liberal. Udhëheqësit e vendeve që do të marrin pjesë në takim janë shprehur optimistë për gjetjen e një zgjidhjeje për daljen nga kriza, ndërsa nga Franca vijnë kërkesa të reja, të cilat vënë në rrezik gjithë takimin. Ministrja franceze e Financave, Kristin Legard, ka paralajmëruar se nëse nuk plotësohen kërkesat për rregulla të rrepta financiare, presidenti Nikolas Sarkozi nuk do të marrë pjesë në punimet e Samitit të G20-s. Legard u shpreh se presidenti Sarkozi nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje nëse nuk merren parasysh kërkesat. Forcimi i rregullave financiare do të jetë një nga çështjet që do të diskutohen në Samitin e G20-s. Nëse Franca do të braktistë Samitin, kjo do të ishte një goditje për kryeministrin britanik Gordon Braun dhe presidentin amerikan Obama, pasi dy liderët kanë folur për shpresa të mëdha, që takimi do të nxisë rimëkëmbjen ekonomike.
Presidenti Obama do të marrë pjesë gjithashtu në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në Strasburg të Francës. Takimi do të përqendrohet tek Afganistani, ku presidenti ka në plan të dërgojë 21 000 trupa të tjera amerikane si pjesë e strategjisë së tij të re të luftës. Shumica e vendeve të NATO-s kanë hezituar t’i përgjigjen kërkesës amerikane për të dhënë një kontribut më të madh ushtarak në Afganistan.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Shefer, tha se plani i zotit Obama është realist dhe mund të arrihet. Gjatë vizitës në Londër për takimin ekonomik, zoti Obama do të zhvillojë bisedime me kryeministrin britanik dhe atë indian, me presidentin e Kinës dhe atë të Rusisë, si dhe me mbretin e Arabisë Saudite. Presidenti Obama do të ndalet edhe në Republikën Çeke, ku Shtetet e Bashkuara planifikojnë të instalojnë pjesë të një sistemi për mbrojtjen antiraketë, që Rusia e kundërshton me forcë. Ai do të takohet atje edhe me kryeministrin e Spanjës, Hoze Luis Zapatero, i cili para pak kohësh njoftoi plane për tërheqjen e trupave spanjolle nga Kosova.

1 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›