Dobjani: “Pleqtë në azil jetojnë mes lagështirës”
Laureta Rryçi
Tiranë - Pleqtë në azil, përveç braktisjes nga familjarët, janë lënë në mëshirën e fatit edhe nga shteti. Në azilin e Tiranës, dhjetëra pleq, pavarësisht se janë në kujdesin e punonjësve socialë, sërish jetojnë në ambiente të papërshtatshme. Ka qenë një inspektim nga Avokati i Popullit që ka konstatuar një sërë shkeljesh në këtë qendër sociale. Për këtë arsye, Dobjani, nëpërmjet një rekomandimi zyrtar, i ka kërkuar ministrit të Punës, Anastas Duro, që të marrë masa të menjëhershme, pasi shteti e ka detyrim kujdesin për moshën e tretë. Me konstatimet e Dobjanit tashmë janë njohur edhe drejtori i Shërbimit Social Shtetëror Mihal Naço dhe drejtori i Shtëpisë së të Moshuarve, Resul Domi.
Inspektimi
Avokati i Popullit, më 13 mars të këtij viti ka inspektuar Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë. Nga takimi me drejtuesin e Shtëpisë, Dobjani është vënë në dijeni se në këtë institucion trajtoheshin të moshuar të vetmuar pa të afërm dhe ata në nevojë. Ky institucion përbëhej nga një godinë e vetme dykatëshe, e konceptuar në ndarje apartamentesh të vogla me nga dy dhoma secila dhe një tualet për çdo apartament. Numri i përfituesve të kësaj shtëpie ishte 30 persona dhe aktualisht strehohen 25.
Ndërsa personeli që kujdesej për ta ishin gjithsej 13 persona.
Për nevoja vetjake, çdo i moshuar që përfitonte pension tërhiqte nga arka e institucionit gjysmën e tij, ndërsa për kategorinë që nuk përfitonte pension ishte përcaktuar kuota e 4000 lekëve në muaj për përdorim vetjak. Lëvizja jashtë qendrës ishte e lirë për pleqtë deri në orën 22:00 të mbrëmjes.
Problemet
Gjatë inspektimit Avokati i Popullit ka konstatuar se ngrohja realizohej me kondicioner, pasi sistemi qendror me kaldajë nuk funksiononte që nga rikonstruksioni me fonde të Bankës Botërore. Sipas drejtuesit të këtij institucioni, firma ndërtuese kishte bërë një punë të dobët. Po sipas tij, punimet pa kriter kishin shkaktuar prishjen e mureve dhe krijimin e lagështirës përgjatë vendeve ku shtrihen tubat e kaldajës. Lavanteria kishte në funksion vetëm dy lavatriçe, nga katër që ishin gjithsej. Në katin e dytë të godinës dhomat e fjetjes ishin me shumë lagështirë, e cila vinte si rezultat i amortizimit të tarracës, gjë që paraqitej shumë shqetësuese për jetesë normale. Lagështirë kishte edhe në katin e parë në vende të caktuara. Pajisjet e gatimit ishin të amortizuara krejtësisht dhe duheshin ndërruar.
1 Prill 2009