E Diel, 1 Nëntor 2026

BE: Zgjedhjet serbe në Kosovë, të paligjshme

Kosovë Brukseli delegjitimon Beogradin për pjesën e Veriut

Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Kosovë ka vlerësuar se zgjedhjet e vetme legjitime në territorin e Kosovës janë ato që organizohen nga autoritetet e vendit. Deklarata e tij pason paralajmërimet se autoritetet serbe do të mbajnë zgjedhje lokale në Mitrovicën e Veriut nga fundi i muajit maj. Një numër politikanësh serbë kanë zhvilluar fushatë parazgjedhore në veri të Kosovës, duke nxitur reagimin e autoriteteve në Kosovë për mosndalimin e tyre nga ana e policisë ndërkombëtare. Në një deklaratë për “BBC”-në, zyra e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për Kosovën thotë se BE-ja e konsideron Kosovën si një hapësirë të vetme ligjore dhe juridike, si dhe një zonë doganore. Në deklaratën, të cilën e paraqiti një zëdhënëse e përfaqësuesit të posaçëm, Julia Reuter, thuhet se objektivat e BE-së për Veriun e vendit janë të njëjta me ato për gjithë Kosovën. Sipas saj, këto objektiva nënkuptojnë promovimin e një qeverisjeje të mirë, zhvillim socio-ekonomik, forcim të rendit dhe ligjit dhe iniciativave lokale, duke kontribuuar për një shoqëri stabile dhe shumëkombëshe. “Prandaj ne i cilësojmë zgjedhjet që organizohen nga autoritetet e Kosovës si të vetmet legjitime. Gjithashtu pajtohemi me autoritetet e Kosovës, se çështja e qeverisjes së mirë nuk mund të adresohet me forcë. është jetike që të përkushtohen burimet për të promovuar qeverisjen e mirë, zhvillimin socio-ekonomik për të rritur cilësinë e jetës për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në deklaratën e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për Kosovën. Deklarata pasoi paralajmërimet e autoriteteve serbe për t’i zhvilluar zgjedhjet lokale në Mitrovicën e veriut më 30 maj. Autoritetet e vendit thonë se zgjedhjet serbe në territorin e Kosovës janë të papranueshme dhe kanë kërkuar nga autoritetet ndërkombëtare ndalimin e tyre. Përfaqësuesit ndërkombëtarë thonë ndërkaq se rezultati i zgjedhjeve serbe në Kosovë nuk do të njihet.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›