BE alarmohet për thirrjet në Kosovë: Jo forcë në Veri

Maja Kojançiç
Serbia do të mbajë zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Kosovë.
Thirrjet e disa ligjvënësve kosovarë për të kthyer edhe një herë një skenar të ngjashëm si ai i 25 korrikut (zbarkimi i policisë kosovare në dogana) apo përdorimi i forcës për të zbatuar ligjin në Veri, ka marrë reagimin e menjëhershëm të BE-së.
Përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe analistët ndërkombëtarë i cilësuan kundër-produktive dhe në shpërputhje me parimet europiane kërkesat e dala nga politikanët kosovarë, mbi shtirjen e sovranitetit në veri të Mitrovicës. Tensionet dhe provokimet e fundit në marrëdhëniet Kosovë-Serbi janë në kundërshtim me frymën e dialogut mes të dyja palëve, reagoi BE-ja. Maja Kocijançiç, zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Europian për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Siguri, Katerin Ashton, theksoi nevojën për përmbajtje, duke i bërë thirrje Prishtinës e Beogradit të veprojnë përgjegjshëm në bashkëpunimin me bashkësinë ndërkombëtare. Në një deklaratë për REL, ajo tha se Përdorimi i forcës duhet të përjashtohet si mjet për zgjidhjen e problemeve, nuk do ta përmirësonte e as nuk do ta qetësonte situatën. Ne duam që të dyja palët të jenë të përmbajtura, të veprojnë përgjegjshëm dhe të vazhdojnë bashkëpunimin me bashkësinë ndërkombëtare, tha ajo. Ndërsa Sabine Freizer nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, i quajti të rrezikshme kërkesat për shtirjen e sovranitetit në veri të Kosovës përmes forcës policore. E cilësoj si kërcënim të qartë datën 6 maj, ditën e zgjedhjeve. Shpresoj që të gjitha palët do të jenë konstruktive, të pajtohen për një organizim ndërkombëtar të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë, por ky zhvillim (zgjedhjet), nuk duhet të merret si shfajësim për konflikte e tensione të tjera, tha Freizer duke kërkuar më pas vazhdimin e dialogut. Takimi i fundit i delegacionit kosovar dhe atij serb u bë në fund të shkurtit.
30 ditë paraburgim
Prokuroria për krime lufte në Beograd, kërkoi për Mark Koshnjetin, të arrestuar të shtunën nga Policia serbe, 30 ditë paraburgim. Masa u vendos edhe nga gjykata. Sipas autoriteteve serbe, Koshnjeti, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka kryer krime lufte kundër serbëve, në vitet 1990 në Kosovë. Koshnjeti është arrestuar edhe një herë tjetër gabimisht nga serbët.
Kuçi kërkon kujdes
Zgjedhjet serbe, që pritet të mbahen në muajin maj në Serbi, mund të ndikojnë edhe tek qytetarët shqiptarë të Republikës së Kosovës, që kalojnë nëpër këtë shtet. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha për Kosovapress se qytetarët shqiptarë të Kosovës nuk duhet të qarkullojnë nëpër Serbi, dhe se njerëzit që mendojnë se mund të jenë pjesë e arrestimeve dhe e lojërave politike serbe, duhet të jenë të kujdesshëm.