BE, apel për vaksinim ndaj A/H1N1
Presidenca suedeze e Bashkimit Europian u ka bërë thirrje qeverive të vendeve anëtare të saj të mos e ulin vigjilencën ndaj virusit A/H1N1. BE i ka bërë thirrje europianëve që të vaksinohen si masë paraprake për të ndaluar përhapjen e gripit të derrave. "Edhe pse situata pandemike aktualisht nuk është shumë dramatike, ne duhet të dëgjojmë deklaratat e këshillat e ekspertëve, sipas të cilave ''nuk është momenti për të ulur vigjilencën'', nënvizoi Maria Larsson, ministre e Shëndetit Publik në Suedi, para një takimi të veçantë kushtuar gripit. Sipas saj, epidemia nuk ka goditur ashtu siç ishte menduar, por njerëzit duhet të jenë gjithmonë të vaksinuar. "Vaksinimi është mënyra më e mirë për t'u mbrojtur dhe për të qenë solidarë ndaj të tjerëve", -tha ekspertja. Fatmirësisht, epidemia nuk është ende aq serioze. Por ne nuk dimë se si do të evoluojë ajo me ndryshimin e kohës. Pra ne duhet të përgatitemi për më të keqen, duke shpresuar në të njëjtën kohë se më e keqja nuk do të vijë'', nënvizoi Maria Larsson. Aktualisht rreth 100 vende që janë në fazen e zhvillimit do të fillojnë të marrin vaksinën kundër gripit të derrit në fillim të nëntorit. Të dhenat e fundit të raportuara nga OBSH tregojnë se mbi 4500 persona kanë vdekur në të gjithë botën nga gripi i derrit.