E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, Bakoyannis kandidate për drejtimin e Demokracisë së Re

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Greqisë, Dora Bakoyannis ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për marrjen e drejtimit të partisë së djathtë Demokracia e Re në kongresin e jashtëzakonshëm të partisë, që do të mbahet më 7 nëntor, pas dorëheqjes së kryetarit Kostas Karamanlis, për shkak të dështimit të konservatorëve grekë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
"Qëllimi i partisë është që të jetë unike, moderne dhe evropiane dhe të punojë për liberalizmin bashkëkohor evropian. Nevojitet transparencë në jetën politike dhe jemi të detyruar ta kthejmë unitetin, besimin dhe moralin në parti", deklaroi Bakoyannis.
Kandidatë të tjerë për funksionin e kreut të partisë janë ish-ministri i Shëndetësisë dhe prefekti i Athinës, Dmitris Avramopulos, ish-shefi i diplomacisë Andonis Samaras dhe prefekti i Selanikut, Panajotis Psomiadis.
Shefi i ri i Demokracisë së Re duhet të zgjidhet nga kongresi i jashtëzakonshëm më 7 nëntor dhe nga anëtarët e partisë.
Sondazhet tregojnë se Dora Bakoyannis është kandidatja më e favorizuar për të marrë kreun e partisë Demokracia e Re.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›