Olldashi në Fier: Rama përpiqet të mbajë peng vendin për interesa të familjeve mafioze

Deputeti i Qarkut Fier dhe njëherazi ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi akuzoi sot kryesocialistin Edi Rama se ka krijuar në vend familje mafioze, të cilat po përpiqen të mbajnë peng institucionet kushtetuese të vendit. Këto deklarata Olldashi i bëri gjatë analizës së zgjedhjeve të 28 Qershorit, organizuar nga dega lokale e Partisë Demokratike në Fier. “Rama di të krijojë vetëm familje mafioze. Ndër to mund të përmend familjet si Beso, Dulaku, Kokëdhima”, u shpreh Olldashi.
Ministri i Punëve Publike ka theksuar edhe njëherë se kërkesa e Ramës për të hapur kutitë e votimit është antikushtetuese dhe cenon rëndë shtetin ligjor.
“Rama e bëri vetë kodin dhe tani do të bëjë edhe gjykatësin. Kërkesat e tij janë jashtë çdo lloj rendi kushtetues”, tha ai.
Duke iu referuar certifikimit të zgjedhjeve nga ndërkombëtarët Olldashi tha se ishin arritjet e standardeve që bënë të mundur vendimin për pranimin e kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe vullnetin e shprehur për liberalizimin e vizave brenda vitit 2010.