E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE dhe frika nga emigracioni

Ndjesitë negative ndaj pranimit të emigrantëve
të huaj janë në rritje dhe mund
të rriten edhe më shumë, pasi ekonomia
është në rënie dhe papunësia në rritje.
Ndërkohë, qindra emigrantë të paligjshëm rrezikojnë
jetën, duke u përpjekur të arrijnë në brigjet e
BE-së me anije të vjetra, çdo javë. Presidenti francez,
Nikolas Sarkozi e ka vendosur emigracionin në
qendër të vëmendjes së Presidencës franceze të
Bashkimit Evropian.
Si ministër i Brendshëm, ai mori masa të ashpra
kundër emigracionit, gjë që e ndihmoi atë të siguronte
më shumë vota në zgjedhjet presidenciale në
Francë, në vitin 2007. Pakti i ri për emigracionin dhe
azilin duhet të miratohet në një samit të BE-së në
mesin e tetorit, sipas idesë së tij. Justifikimi kryesor
është se, duke pasur parasysh lëvizjen e lirë të
njerëzve në BE, politikat e ndryshme kombëtare
marrin kuptim, veçanërisht në zonën e Shengenit.
E kaluara na sugjeron qëndrime të njëjta: emigracioni
duhet të jetë më selektiv (një Kartë Blu, e ngjashme
me Kartën Jeshile amerikane, ka për qëllim të
tërheqë më tepër emigrantët profesionistë në BE),
ndërsa emigracioni ilegal duhet të jetë nën kontroll më
të rreptë, me më shumë kontrolle kufitare dhe kthime
emigrantësh. Ideja e re është të mos ketë më amnisti
masive për emigrantët e paligjshëm si ajo e vitit 2005
në Spanjë. Danimarka ka fituar mbështetje për gjuhën
e ashpër që kërkon kufizimin e ligjeve për lirinë e
lëvizjes, që inkurajonin emigracionin e paligjshëm.
Në një masë lehtësuese për Maltën, vendet që
presin më shumë emigrantët do të ndajnë këtë barrë
me vendet e tjera të bllokut. Azili dhe emigracioni janë
në kompetencat e BE-së që prej miratimit të traktatit
të Amsterdamit në vitin 1997. Planet e punës
katërvjeçare u miratuan në Tampere në vitin 1999
dhe në Hagë në vitin 2004; një i tretë pritet të miratohet
nën Presidencën suedeze të BE-së vitin e
ardhshëm. A është pakti i ri një shenjë e pakënaqësisë
franceze me këtë proces? Eurokratët shpresojnë
se kjo do të jetë një nxitje e re. Por ajo do të shkaktojë
edhe më shumë shqetësim në bashkëpunimin e
drejtpërdrejtë mes qeverive, duke e përjashtuar disi
Brukselin. A do të ketë ky pakt më shumë ndikim
praktik? Burokratët nuk mund të parashikojnë se sa
krah pune i nevojitet tregut.
Evropa është në një garë globale për të tërhequr
talentet, por shumica e vendeve të BE-së janë në disavantazh
nga gjuha. Karta Blu është më pak "e favorshme
se të tjerat", parashikon një raport i "Bruegel-it",
një organizatë analitike jofitimprurëse, me qendër në
Bruksel. Ajo mbulon një periudhë më të shkurtër se
‘Green Card‘. Pakti rikthen idenë e emigracionit qarkullues,
duke u justifikuar me faktin se emigracioni ka anë
pozitive për vendet dërguese dhe ato pritëse.
Ndryshe nga skemat e mëparshme të punonjësve
të huaj, pakti sugjeron një teknologji të përmirësuar,
që do të thotë se më shumë emigrantë do të kthehen
në shtëpi. Por disa do të qëndrojnë. Sanksionet e
parashikuara të paktit për punëdhënësit e
emigrantëve të paligjshëm janë të diskutueshme. Biznesmenët
ankohen se këto sanksione janë aktualisht të
mjaftueshme. Dëbimi i emigrantëve, sanksioni i fundit,
mbetet i kushtueshëm dhe ndonjëherë i pazbatueshëm.
Vlerësohet se numri i emigrantëve në BE
është midis 4 dhe 8 milionë, me një gjysmë milioni
shtesë për çdo vit.
Franca ka kthyer mbrapsht vetëm 25.000 në vitin
2007. Një direktivë e re për kthimet, e kritikuar nga
qeveritë e disa vendeve në zhvillim, mund të sigurojë
më shumë kthime. Deri tani, patrullat kundër
emigracionit kanë ndaluar 20.000 persona që
përpiqeshin të hynin në vendet evropiane nëpërmjet
Mesdheut. Por kjo mundet thjesht të spostojë
emigrantët në rrugë të tjera më të lehta. Kufijtë
jugorë dhe lindorë të bllokut mbeten poroze. Dhe,
sugjerimet se më shumë rrugë për emigracionin e
ligjshëm do të reduktonin kërkesën për atë të
paligjshëm, rezultuan të gabuara. Rritja e shpejtë e
popullsisë dhe papunësia e madhe në vendet që
ndodhen në kufi me BE-në, si dhe mungesa e të
ardhurave, e shtojnë kërkesën.
Nëse synimi ishte të forcoheshin lidhjet mes emigracionit
dhe zhvillimit, përgjigja do të ishte kërkesa
për më shumë kufij të hapur. Por kjo shkon përtej asaj
që mund të pranojnë votuesit, sipas politikanëve.
Tani për tani, iluzioni i kontrolleve më të rrepta për
emigrantët konfirmon përfitimet e brendshme politike,
edhe pse dështimi i tyre po injorohet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›