E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjeniu me dy emra

Për ato të flamosura honorare,
jam gozhduar para kompjuter
it. "Shtrydh" trutë për të "peshkuar"
ndonjë ide! Punë pa bereqet!…
Hapa televizorin… Dialog mes
dy japonezëve. Euklidi na paska thënë:
"Një ditë, kur mbusha 60 vjeç, kuptova
se isha gomar. Atë çast u ndjeva i lumtur
dhe i mençur!" Fjalë me kandar edhe për
vatanin tonë. Me fillimin e shekullit të ri,
janë shtuar gomarët në politikë dhe janë
pakësuar gomarët për samar. I therin.
Kofshët i eksportojnë në Itali. Mishi përdoret
si lidhës (prat) për të bërë sallamin
e famshëm italian. Trutë i blejnë politikanët
e lartë! Politikanët e dështuar, si
puna ime, u është ndaluar pazari! Thonë:
Kanë efekt të kundërt!
Duke vërvitur telekomandën, ra telefoni.
Haber nga Përmeti. Këshilli Bashkiak
kishte vendosur të bënte "Qytetar
Nderi" Mit‘hat Frashërin… Eureka! Ulërita
sikur të isha vetë Arkimedi… Më doli
honorari badihava!... Mendja nisi të më
punojë eksiq… Kemi dy parti balliste.
Njërës i pret kandari djathtas. Tjetrës,
nga qendra e majtë. Majë e thikë, thotë
anglezi. Bashkia jep dëshminë: "Qytetar
Nderi". Kush do ta gëzojë?! Zgjidhjen e
gjeta vetë. Kryetari i Bashkisë më ka një
borxh. E ndihmova kur fitoi. Në kthim të
restos i kërkoj një nder. Le ta bëja dëshminë
në tre kopje. Dy për partitë. Një
rezervë. Mund të ketë, në defterët e
gjykatës, edhe ndonjë tjetër parti. Shembull
kemi demokristianët me pesë parti.
Nisa të "rrëmoj" në bibliotekë për të
"gatuar" disa radhë për liderin historik të
ballit.
Vendlindja: Stamboll (1880);
Babai: Abdyl Frashërit;
"Nishanet" në politikë: Ministër i
Punëve Botore në Qeverinë
e Ismail Qemalit, ambasador
në Greqi në Qeverinë e
Zogut;
Gazetat që drejtoi: Në
Sofje, "Kalendarin Kombëtar"
(1897-1928), e përjavshmja
politiko-letrare
"Iliria" (1908-1909), e
përkohshmja "Dituria"
(1909-1929), në Zvicër, revistën
"L‘indepe-ndecë albanaise";
Përkthime: "Gulljm Tel"
nga Lamartini, "Robisoni" të
D.Defosë etj.
Libra: "Pritmi i Shqipërisë",
"Plagët tona", "Hi
e shpuzë";
Kulturë: Libraria e parë
shqiptare "Lumo Skëndo" në
Tiranë.
U arratis në Itali. Më 1944
emigroi në Amerikë. Atje
vdiq më 3 tetor 1949.
…Mora rrugën për në
Përmet. Diku afër Ballshit,
makina zë e lëkundet. Normale.
Rruga është bërë vëravëra,
si prapanica e homove! E përsërita
këtë metaforë për dy arsye. Së pari, si ka
mundësi që për tre vjet nuk po rregullohet
kjo e flamosur rrugë? Të thuash nuk
ka para, fondet rrjedhin lumë në rrugën
Durrës-Kukës. Të thuash nuk e di qeveria,
nuk e thua dot. Berisha, të paktën një
herë në dy-tre muaj me gërshërë në
dorë, kalon këtyre anëve për të përuruar
herë një rrugë, herë një shkollë e herë një
stacion elektrik. Së dyti, këtë metaforë e
kam përmendur edhe dy vjet më parë. Më
mbytën me kritika në rubrikën elektronike
"Peshku pa ujë". Me damkosën:
Armik i homoseksualëve!
Nuk e meritoj këtë urrejtje. Shahit kam
veten. Në vitin 1995 isha Baba Kombi.
Këshilli i Evropës kishte dy kërkesa për
qeverinë "Meksi": Të pezullohej dënimi
me vdekje dhe të ligjëroheshin të drejtat
e homoseksualeve. Ndryshe, porta e
Evropës nuk hapej për Shqipërinë. Atë
ditë në Parlament, deputetja Rushen Golemi,
tha atë frazën lapidar: "Kërkesa e
Strasburgut është normale. Gjysma e
evrodeputetëve janë homoseksualë!"
Pavarësisht
nga debatet, shumica e deputetëve
demo-kratë ngritën
kartonët jeshil. Ishte
vendim politik. Votova edhe
unë.
…E ndërsa makina
"zvarritej", më erdhën ndërmend
disa kujtime. Pranvera
2005 më zuri në Përmet.
De more de, kandidat për
deputet… Fshat më fshat.
Shtëpi më shtëpi. Sakrificë
për t‘u rikthyer edhe një
herë në Parlament! Ta themi
mes nesh: Po të kesh qenë
një herë deputet, vdes të rikthehesh.
Sebepi? Deputeti
ka rrogë me yndyrë shumë.
Makinë me shofer. Honorar
në komisione. Para për telefon.
Pasaportë diplomatike.
Dieta. Udhëtime nëpër
botë. Të gjitha së bashku:
deputeti merr më shumë
lefta (para) sesa vetë
Kryeministri! Nuk e them
unë. E tha Berisha në
mbledhjen e qeverisë.
...Natë maji 2005. Mbërrita në
Frashër. "Konak" bëmë në teqe. Pastaj
zbrita në qendër të fshatit. Kërkova
çelësat dhe hapëm muzeun. Ruajna
Zot?! Nuk gjeta as fotografinë e as emrin
e Mit‘hat Frashërit. Pyeta. Përgjigjja
ishte më befasuese: Ka qenë kryetar
i ballistëve?!... Thashë: Ka 15 vjet që
është shembur diktatura. Jetojmë në
demokraci… Përgjigjja: Qeverisemi
nga socialistët… I befasuar vazhdova
të endem mes dhomave të muzeut.
Nuk gjeta as foton e aktorit të njohur
Naim Frashëri. As edhe një foto nga
pinjollët e Zavalanëve me famë
shumë. Muzeu ishte "pronë" e Samiut,
Abdylit dhe Naimit...
Mbërrita në Përmet. Qyteti ishte
"pushtuar" nga ballistët. Skenari kishte
disa pika. Nuk do të realizohej një
pikë e skenarit. E fundit nga radha, por
më e rëndësishmja. Një rrugë e
Përmetit nuk mori emrin e Mit‘hat
Frashërit. Përsëri lideri historik i balemilistëve
doli i mundur në Përmet. Pa të
dëgjojmë Edmond Kominonë, kryetarin
e Bashkisë: "Përgatitëm për Këshillin
Bashkiak një projektvendim me dy
pika. Së pari, të hiqet emri i rrugës
"Kongresi i Përmetit". Së dyti, kjo rrugë
të merrte emrin Mit‘hat Frashëri. Projektvendimi
kokëposhtë. Kundër votuan
edhe këshilltarët e djathtë?!".
Nisi mbledhja. Uran Butka: "Ka pak
njerëz në Shqipëri, që e dinë se Mit‘hat
Frashëri u zgjodh kryetar i Kongresit të
Manastirit. Ishte vetëm 28 vjeç…". Dr.
prof. Beqir Meta: "Enver Hoxha kërkoi
nga fuqitë e mëdha ekstradimin e
Lumo Skëndos. E kishte dënuar si
tradhtar". Bardhyl Londo: "Mit‘hati ka
qenë i pari politikan shqiptar që njohu
institucionin e dorëheqjes. U largua
nga Qeveria e Vlorës…". Prof. Muharrem
Dezhgiu: "Mit‘hat Frashëri është
themelues i nacionalizmës shqiptare".
Artur Roshi, kryetar i Ballit Demokratik:
"Ai ishte politikani liberal që dha
mesazhin e bashkimit të ballistëve…".
…Në shesh nisi koncerti. Këngë.
Valle. Recitime. Qetësi. Nga mikrofoni u
shpërnda zëri i Lumo Skëndos. I pastër.
I qartë. Orator i vërtetë… Kur unë isha
gazetar në "Zërin e Popullit", kisha dëgjuar
se Lumo Skëndos i merrej goja. Pyeta
Bardhyl London. Ngriti supet, duke
thënë: "Propagandë komuniste!" Pashë
nga mikrofonat. Pas tyre, busti i një partizani.
Vepër e Odise Paskalit. Pas bustit
një kolonë betoni e veshur me mermer.
Në krye të kolonës, emblema e "Kongresit
të Përmetit", 24 maj 1944. Paradoks!
Simbolet e komunizmit kanë ende
"frymë" për t‘i vënë "perde" edhe pas 17
viteve demokraci, gjeniut, veprën e të
cilit nuk mund ta mbante vetëm emri i
Mit‘hat Frashërit. Ai "pagëzoi" veten me
emrin Lumo Skëndo!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›