BE do të heqë vizat për shqiptarët më 31 tetor 2010
Agjencia e lajmeve “NOA”, në një artikull ekskluziv, njofton se ka siguruar afatet e sakta kohore dhe procedurat lidhur me miratimin e propozimit për heqjen e regjimit të vizave “Shengen” për shtetasit shqiptarë. Sipas kësaj agjencie, liberalizimi i vizave në vendet e Bashkimit Europian për shtetasit shqiptarë që posedojnë pasaporta biometrike do të shpallet zyrtarisht në shtator 2010 dhe më 31 tetor 2010 me botimin në Fletoren Zyrtare do të marrë fuqi ekzekutuese, çka do të thotë se kjo është dhe data më e mundshme kur shqiptarët do të dalin lirisht për në vendet e BE-së. Për të përcaktuar këtë datë, kjo agjenci njofton se është bazuar në axhendën e organizmave europianë dhe janë marrë për bazë afatet më të largëta kohore të mundshme, pra deri në javët e fundit të vjeshtës së këtij viti. Në vijim të përgatitjes nga Komisioni të raportit të vlerësimit për përmbushjen e kushteve të Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave nga Shqipëria, hapat e parashikuar me afate kohore janë si më poshtë: Fillon prezantimi dhe diskutimi i raportit të vlerësimit në Këshill dhe në Parlamentin Europian në datat 26 dhe 27 prill 2010. Respektivisht: përgatitja e propozimit legjislativ nga Komisioni në kohë për t’u shpallur publikisht nga Samiti i Ministrave të Jashtëm BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet në Sarajevë më 2 qershor 2010; me marrjen e dritës jeshile nga Komisioni, Parlamenti Europian do të përgatisë vendimin përpara pushimeve të gushtit, për ta diskutuar në komisionet përkatëse, Komisioni i Brendshëm dhe Komisioni i Jashtëm dhe pritet të miratohet në sesionin plenar gjatë muajit shtator 2010; Këshilli i Ministrave të Brendshëm dhe Drejtësisë do ta marrë vendimin gjatë takimit të datës 7-8 tetor 2010. Kjo do të bëjë të mundur që regjimi i liberalizuar i vizave për Shqipërinë të bëhet realitet pas botimit në Fletoren Zyrtare të BE-së, në fund të muajit tetor 2010, data maksimale 31 tetor 2010. Përveç kësaj procedure legjislative, gjatë muajit qershor 2010, ministrat e Brendshëm dhe ministrat e Jashtëm mund të mbështesin politikisht procesin gjatë takimeve të parashikuara përkatësisht në 3-4 qershor dhe 14 qershor 2010.
27 Prill 2010