Rusmali: “Rama të pranojë sugjerimet e Byrosë së KiE-së”
Kryetari i Delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare në KiE, Ilir Rusmali, në një prononcim për mediat, tha se deklarata e Byrosë i bën thirrje opozitës të marrë pjesë në punimet e Kuvendit. “Deklarata u bën thirrje palëve që të forcojnë dialogun politik dhe t’i kthehen në mënyrë permanente jetës parlamentare, jetës funksionale, sepse vendi ka nevojë për reforma urgjente. Në radhë të parë dhe mbi të gjitha për reformën zgjedhore që pretendohet aq shumë nga opozita. Por është një thirrje që në fakt i intereson dhe opozitës, dhe opozita le t’i përgjigjet asaj me sens pozitiv, ashtu sikurse duhet t’i përgjigjet rekomandimit që edhe Byroja e Asamblesë Parlamentare i jep së bashku me Komitetin Presidencial që erdhi në Shqipëri, pra që opozita të përdorë të gjithë instrumentet ligjore që ka në dorë për t’i kërkuar Gjykatës Kushtetuese dhe më vonë Komisionit të Venecias interpretim profesional mbi vendimin e saj në kuadrin kushtetues për investigimin e zgjedhjeve. Është një deklaratë që nuk lë mundësi për shmangie, sikurse edhe deklarata e mëparshme e Komitetit Presidencial, përsëritet ftesa në radhë të parë për opozitën, që në rast se ka një shqetësim në interpretimin e vendimit të Kushtetueses, t’i drejtohet Komisionit të Venecias”, - është shprehur Rusmali, duke i bërë thirrje Ramës të pranojë sugjerimet e Byrosë së KiE-së.
27 Prill 2010