E Diel, 1 Nëntor 2026

Byroja e KiE-së: PD-PS të rifillojnë dialogun politik në Parlament

Byroja miraton deklaratë të posaçme për situatën politike në Shqipëri. Gjykata Kushtetuese të marrë opinion nga Komisioni i Venecias për kutitë

Eljona Ballhysa
Situata politike në Shqipëri ka shkaktuar sërish reagimin e ndërkombëtarëve. Byroja e Asamblesë Parlamentare e Këshillit të Europës ka miratuar gjatë mbledhjes së djeshme një deklaratë të posaçme për Shqipërinë, në të cilën u bëhet thirrje liderëve politike që të arrijnë një marrëveshje që garanton funksionimin normal të institucioneve demokratike. Duke iu referuar protestave që do të organizojnë dy partitë kryesore në vend, konkretisht Partia Socialiste më 30 prill dhe Partia Demokratike që do të organizojë koncert festiv më 1 Maj, Byroja e Asamblesë Parlamentare e Këshillit të Europës bën thirrje për marrëveshje mes palëve, vazhdimin e dialogut politik brenda Parlamentit dhe të sigurohet mbështetja popullore për proceset demokratike në vend. “Të gjitha forcat politike duhet të marrin pjesë në mënyrë aktive dhe mbi baza të vazhdueshme në punimet e Parlamentit. Funksionimi i institucioneve të shtetit demokratik duhet të vendoset pa vonesë, në funksion të ndërmarrjes së reformave urgjente, të cilat janë të domosdoshme për procesin e integrimit të vendit në Europë”, - shkruhet në deklaratë.
Deklarata e plotë
“Byroja e Asamblesë Parlamentare e Këshillit të Europës është e shqetësuar për vazhdimin e krizës politike në Shqipëri, e cila ka nisur që pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009; me pjesëmarrjen e pjesshme të opozitës pas kthimit në Parlament, pas vizitës së Komitetit Presidencial të Asamblesë Parlamentare e Këshillit të Europës në Tiranë në shkurt të këtij viti. Më 25 shkurt deputetët e Partisë Socialiste u futën në Parlament dhe bënë betimin pas një bojkoti 6-mujor të punës së Kuvendit. Ata vendosën kushte për vazhdimin e qëndrimit të tyre në Kuvend duke kërkuar miratimin e dy projektligjeve që kishin përgatitur, për të cilat ata bënë të ditur se këto projektligjeve bëjnë të mundur transparencën e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.
Më 19 mars Parlamenti miratoi draftin për ngritjen e komisionit hetimor për hetimin e zgjedhjeve të qershorit. Në mungesë të një marrëveshjeje midis dy partive kryesore në vend, Partia Socialiste refuzoi që të marrë pjesë në këtë komision. Maxhoranca është ende në pritje të PS-së, ndaj dhe komisioni nuk është mbledhur asnjëherë.
Duke parë këtë situatë të bllokuar dhe faktin se do të zhvillohen më 30 prill dhe më 1 maj protesta nga të dyja palët, si nga opozita, ashtu dhe nga qeveria, Byroja e Asamblesë Parlamentare e Këshillit të Europës u bën thirrje liderëve politikë që të mundësojnë rivendosjen e dialogut politik në Parlament dhe të fitojnë mbështetjen e popullit për proceset demokratike në vend. Të gjitha forcat politike duhet të marrin pjesë në mënyrë aktive dhe me baza të përhershme në punën e Parlamentit. Institucionet demokratike të shtetit duhet të funksionojnë pa asnjë vonesë, në mënyrë të tillë që të kapin me urgjencë reformat e nevojshme për integrimin e vendit në BE. Për më tepër, Byroja përsërit sugjerimin, të cilin e ka bërë edhe gjatë vizitës së Komitetit Presidencial, që Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë t’i kërkojë një opinion Komisionit të Venecias për qëllimin kryesor të komisionit hetimor parlamentar për çështjen e hapjes apo jo të kutive të votimit”,- shkruhet në deklaratën e KiE-së.

27 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›