Raporti i KE-së: Shqipëria plotëson vetëm 1 nga 4 blloqet e Udhërrëfyesit
Shqipëria ka përmbushur plotësisht vetëm një nga katër blloqet e Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Në dy të tjera ajo vlerësohet se përgjithësisht objektivat janë arritur dhe në një tjetër se është përmbushur vetëm pjesa më e madhe e objektivave. Ky është përfundimi i raportit të Komisionit Europian. Për Bosnjën, Komisioni Europian ka vlerësuar se ajo ka përmbushur plotësisht 3 nga katër blloqet dhe vetëm në njërin prej tyre ka përmbushur shumicën e objektivave. Raporti i Komisionit Europian, i mbështetur në vlerësimin e ekspertëve të tij, nuk është plotësisht i këtij mendimi. Sipas këtij raporti, Shqipëria ka përmbushur plotësisht vetëm detyrimet e njërit prej katër blloqeve të Udhërrëfyesit. Duket se Shqipëria i ka plotësuar objektivat e bllokut të parë, ku bëhet fjalë për Sigurinë e Dokumenteve. Vendi vlerësohet se “ka bërë një progres shumë të mirë” në këtë drejtim. Përsa i përket bllokut të dytë, që merret me Emigracionin e Paligjshëm, përfshirë dhe Ripranimet, raporti saktëson se “Shqipëria ka bërë një përparim domethënës në fushat e menaxhimit të kufijve, azilit dhe emigracionit, por kërkohen përpjekje të mëtejshme për të vënë në jetë një strategji gjithëpërfshirëse për riintegrimin e shqiptarëve të riatdhesuar”. Vlerësimi për këtë bllok është se “Shqipëria përgjithësisht i ka plotësuar objektivat. Verifikime të mëtejshme janë të nevojshme lidhur me zhvillimin e një strategjie dhe politikave në mbështetje të riintegrimit të të riatdhesuarve”. Vlerësimin më të ulët Shqipëria e ka marrë në bllokun e tretë, i cili lidhet me çështjet e Sigurisë dhe të Rendit Publik. Raporti njeh se “janë bërë përpjekje thelbësore për arritjen e detyrimeve”, por përfundimi është se “Shqipëria ka plotësuar shumicën e objektivave të këtij blloku. Përpjekje të mëtejshme nevojiten për fuqizimin e kapaciteteve të zbatimit të ligjit dhe një zbatim më efektiv i kuadrit ligjor në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë caktimin e burimeve të përshtatshme financiare dhe njerëzore. Ne veçanti, shkruhet në vlerësimin përfundimtar, zbatimi i kuadrit të ri ligjor në fushën e konfiskimeve të pasurive kriminale duhet të ndiqet më tej me vendosmëri”. Blloku i katërt dhe i fundit ka të bëjë me Marrëdhëniet me Jashtë dhe të Drejtat Themelore. Por, megjithëse në raport shkruhet se “Shqipëria ka bërë përparim shumë të mirë”, vlerësimi përfundimtar është se “Shqipëria, përgjithësisht i ka plotësuar objektivat”. Krahasuar me raportin e një viti më parë, ku Shqipëria nuk kishte arritur të plotësonte objektivat e asnjërit prej blloqeve, përparimi është i dukshëm këtë herë. Megjithatë, Bosnja vlerësohet se ka bërë më shumë se Shqipëria duke përmbushur plotësisht kërkesat e tre nga katër blloqeve. Komisioni Europian ende nuk ka bërë propozimin e tij për vendimin që duhet marrë për Shqipërinë dhe Bosnjën. Por duket se po shkohet drejt një skeme, sipas së cilës, vendimi mund të merret dhe hyrja e tij në fuqi të bëhet më vonë, pasi të jenë plotësuar edhe objektivat e tjera ende të papërmbushura.
27 Prill 2010