BE hap kartat për njohjen e Kosovës
• Ndërsa Kosova përgatitet të shpallë pavarësinë, ministrat e Jashtëm të BE-së do të mblidhen një ditë më pas për të diskutuar njohjen e aktit të njëanshëm.Në fakt pritej që takimi i diplomatëve evropianë për Politikën e Jashtme, më 18 shkurt, të diskutonte mbi dërgimin e misionit të BE-së që do të zëvendësojë UNMIK-un. Por burime nga Brukseli konfirmojnë se dërgimi i misionit parimisht është miratuar dhe takimi i përket një diskutimi më të avancuar, njohjen e pavarësisë së Kosovës, e cila me sa duket do të lihet në vullnetin e çdo vendi anëtar. Ndërkohë Kosova është gati për pavarësinë. Kryeministri Hashim Thaçi emëroi dje Grupin për organizimin e Ceremonisë së pavarësisë. Gjatë kësaj jave pritet të takohet edhe grupi punues për hartimin e deklaratës së Pavarësisë dhe Kryesia e Kuvendit e cila mund të caktojë datën e seancës së Kuvendit të Kosovës për aktin e shpalljes së saj. Mëngjesin e djeshëm tre liderët e institucioneve të Kosovës, Sejdiu, Thaçi dhe Krasniqi, zhvilluan një takim ku diskutuan rreth përgatitjeve për deklaratën e pavarësisë. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Thaçi pritet t'iu drejtohet mediave botërore. Në mbrëmje do të mbahet një koncert i madh dhe do të ndizen fishekzjarrët e pavarësisë. MisioniBashkimi Evropian pritet të autorizojë misionin e tij mbikëqyrës në Kosovë brenda kësaj jave, përpara se qeveria Thaçi të deklarojë pavarësinë, të pritshme më 17 shkurt. Sipas burimeve diplomatike të Bashkimit Evropian për agjencitë e mëdha informative, blloku i 27-vendeve do të përdorë një procedurë diplomatike të profilit të ulët për të aprovuar një plan operativ për misionin e 1 800 trupave në drejtësi dhe politikë. "Plani O do të miratohet këtë javë me procedura të shkruara", tha një zyrtar. Një diplomat evropian tha se vendimi nuk ka nevojë të kalojë tek ministrat pasi krerët e shteteve të BE-së kanë rënë dakord në princip për ta dërguar këtë mision, që në muajin dhjetor, për të zëvendësuar administratën e UNMIK-ut. Liderët e Kosovës pritet të shpallin pavarësinë të dielën, me gjithë kundërshtimin e Beogradit dhe Moskës. Ministrat e Jashtëm të BE-së do të takohen një ditë më pas në Bruksel, ndërsa Rusia e konsideron si të jashtëligjshëm misionin e unionit. NjohjaMinistrat e BE-së pritet të miratojnë një deklaratë të përgjithshme mbi statusin e ardhshëm të Kosovës në takimin e tyre më 18 shkurt, pas shpalljes së pavarësisë, duke ia lënë njohjen e saj në dëshirë çdo vendi anëtar. 20-22 vende të BE-së pritet ta njohin shpejt pavarësinë e Kosovës, ndërsa pesë të fundit: Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja nuk do ta njohin atë, të paktën fillimisht.Berisha:Po shkohet drejt finishitKryeministri Sali Berisha tha dje në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike se, "tani po shkohet drejt një finishi për sa i përket statusit të Kosovës dhe kjo përbën një nga zhvillimet historike të kombit, por dhe të gjithë rajonit". Duke folur para deputetëve demokratë, kreu i qeverisë u shpreh se, "një mirëkuptim i madh ekziston për statusin, ndërkohë që udhëheqja politike e Kosovës ka bërë dhe bën përpjekjet më serioze që këtë akt madhor historik, ta dëshmojë si një akt madhor dhe historik për të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike". "Urojmë që Beogradi të fitojë realizmin që duhet për t'u përshtatur me këtë verdikt jetik për paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe për të nisur një kapitull tjetër të ri midis shqiptarëve dhe serbëve, dy popuj që kanë pasur një të shkuar shumë të hidhur, por që kanë të gjithë energjinë dhe potencialin për të pasur një vështrim të ri për të ardhmen e tyre evropiane", u shpreh Kryeministri.Gjenerali me çelësin e të ardhmes së KosovësGazeta britanike "Daily Telegraph" ka shkruar në numrin e djeshëm se Trupat Mbrojtëse të Kosovës, organ i cili është pasardhës i UÇK-së, do të shpërbëhen dhe kjo detyrë delikate është në duart e një gjenerali britanik. Gazeta e ka titulluar artikullin "Gjenerali britanik në duart e të cilit është çelësi i së ardhmes së Kosovës". Ky është gjenerali Martin Ratlexh, koordinator i TMK-së apo siç pohon gazeta, "de fakto ministër i Mbrojtjes së Kosovës". Puna e tij në ditët e ardhshme, në të cilat pritet që Kosova të shpallë pavarësinë, është që të pengojë shpërthimin e dhunës, por edhe detyrën shumë delikate që pas këtij akti, "të largojë shumicën e oficerëve të TMK-së". Kjo informatë, nga gjithsej tre mijë pjesëtarë në mesin e tyre janë 15 gjeneralë dhe 40 kolonelë, ka amortizuar në nëntë vitet e fundit ambiciet ushtarake të liderëve të UÇK-së, kurse pas pavarësisë duhet të përgjysmohet. "Nëse humbim besimin e tyre, ata lehtë mund të nisin të bëjnë gjëra që nuk i duam, pasi me siguri e dinë sesi të sigurojnë armë. Prandaj është shumë me rëndësi që t'i largojmë në mënyrë dinjitoze", tha gjenerali Ratlexh për oficerët e TMK-së.“S’na detyron kush të njohim pavarësinë”Serbët e Kosovës nuk kanë ndër mend ta njohin vendimin e shpalljes së pavarësisë nga Prishtina, por megjithëse ky vendim është marrë me kohë nga Beogradi, përfaqësues të tyre ankohen për vendime më të rëndësishme të pa dhëna nga qeveria serbe, që kanë të bëjnë me sigurinë e tyre. Përfaqësuesi i listës serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç, tha se është shumë në ankth për instruksionet që do të marrë nga Beogradi gjatë periudhës që pritet shpallja e pavarësisë së Kosovës. Sipas Ivanoviç, serbët në Kosovë janë shumë të shqetësuar nga deklarata për shpalljen e pavarësisë dhe ky shqetësim është shtuar më tej nga dështimi i autoriteteve të Beogradit për t'i orientuar ata në mënyrë të drejtpërdrejtë. "Vendimi më i vështirë dhe më i rëndësishëm është se ne do të qëndrojnë në këto toka apo do të largohemi dhe ja pse është jetësore për ne që të marrin orientimin e duhur nga Beogradi duke menduar për sigurinë tonë", shpjegoi Ivanoviç duke shtuar se një situatë e tillë e pasqaruar është mjaft e rrezikshme pasi mund të çojë në eksod dhe ata që largohen mund të përballen me një Serbi të paqëndrueshme. Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, thonë se do ta kundërshtojnë në çdo formë pavarësinë e Kosovës, por me veprime që do t´i kontribuojnë ruajtjes së paqes dhe qetësisë. Ata janë shprehur se shpallja e mundshme e pavarësisë së Kosovës, nuk do t'i detyrojë ata që ta respektojnë vendimin. Serbët vazhdojnë të besojnë se rezoluta 1244 do të mbetet në fuqi. Një javë më parë, këshilli kombëtar serb mori vendim që më datën 15 të këtij muaji të formojnë të ashtuquajturin "parlamenti serb", me të cilin dëshirojnë të kenë një mekanizëm të tyre që do të kujdeset për serbët e Kosovës dhe t´u përgjigjet veprimeve të Kuvendit të Kosovës.Tadiç: Serbia do ta anulojë menjëherë deklaratën e KosovësPresidenti serb, Boris Tadiç ka deklaruar në konferencën ndërkombëtare të sigurisë në Mynih, Gjermani, se Serbia do të anulojë çdo vendim që ka të bëjë me shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Anulimi do të bëhet menjëherë pas shpalljes së këtij akti dhe Serbia do të hyjë në procedura ligjore kundër të gjitha institucioneve që do ta njohin atë. Tadiç theksoi se Serbia do të marrë masa gjyqësore kundër të gjitha qeverive që do të njohin pavarësinë e Kosovës, por edhe një herë e përjashtoi mundësinë e ndërhyrjes ushtarake në Kosovë po përdorimin dhe tolerimin e dhunës për të zgjidhur këtë çështje. "Unë po e theksoj edhe një herë se njohja e pavarësisë së Kosovës është një akt ilegal, dhe se ligjet ndërkombëtare në mënyrë absolute mbrojnë të drejtën e Serbisë. Këtu vihet një pikëpyetje në stabilitetin e rajonit, si dhe në pasojat afatgjata që do të ketë në rajon njohja e një vendimi të tillë separatist nga vende të tjera, pasi si Kosova, ka plot rajone separatiste në rajon dhe në botë, si Nagorno Karabakh, Ossetia Jugore, Abkhasia, Transnistria, etj"., tha Tadiç. Presidenti serb shtoi se pret nga të gjitha vendet e rajonit që për të respektuar ligjet ndërkombëtare, të abstenojnë kur të jetë koha për marrjen e vendimit të njohjes apo jo të pavarësisë së Kosovës.