Olldashi: Të shkarkohet ERT-ja
• Kreu i Ministrisë së Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, i ka kërkuar dje Kuvendit shkarkimin e kryetarit të Entit Rregullator, Hydajet Kopani.Fabiola ÇelaPor jo vetëm kaq. Olldashi ka kërkuar gjithashtu që të shkarkohen nga detyra e tyre të gjithë anëtarët e bordit drejtues të ERT-së. Konkretisht, ministri i Telekomunikacionit ka kërkuar që të shkarkohen anëtarët Anila Kaçupi, Shyqyri Meka, si dhe Arjan Sinoimeri. Sipas burimeve zyrtare të kësaj ministrie, kërkesa tashmë është dërguar në Kuvend dhe do të jetë ky institucion që do japë vulën përfundimtare për shkarkimin ose jo të kryetarit dhe anëtarëve të bordit të Entit Rregullator të Telekomunikacionit. ShkaqetKreu i ERT-së si dhe anëtarët e bordit drejtues kanë neglizhuar me detyrën e tyre, pasi edhe pse e kanë detyrim ligjor që të llogarisin metodologjinë dhe kostot e operatorëve me fuqi të ndjeshme në treg, një gjë e tillë nuk është bërë përgjatë gjithë këtyre viteve. "Iniciativa e mësipërme vjen si pasojë e neglizhencës së rëndë të Këshillit Drejtues të Entit Rregullator gjatë procedurës së miratimit të metodologjisë së rregullimit të tarifave të organizmave me fuqi të ndjeshme në treg (OFNT) dhe mungesës së seriozitetit në ushtrimin e detyrës", kanë theksuar burimet zyrtare pranë kësaj ministrie. Ky mosveprim i ERT-së ka pasur një kosto goxha të lartë për konsumatorin vendas, pasi të dhënat zyrtare tregojnë se çmimet e telefonisë celulare në vend janë më të shtrenjtë se në çdo vend tjetër të botës. TarifatNë raportin e 4-të Observator të SEE (South Eastern Union) përgatitur nga Cullen International në nëntor të vitit 2007) e klasifikojnë Shqipërinë ndër vendet me tarifat më të larta. Në fakt, jo pak herë zyrtarë të lartë të qeverisë kanë deklaruar se në Shqipëri tarifat e bisedave në celular janë goxha të shtrenjta. Kjo përbën një problem goxha shqetësues për të gjithë konsumatorët, të cilët nuk kanë zgjidhje tjetër, veçse të pranojnë këto tarifa që u ofrohen. Por kohët e fundit, Ministria e Telekomunikacionit ka përgatitur një projektligj të ri. Bëhet fjalë për projektligjin e ri për komunikimet elektronike. Me anë të këtij projektligji, ministria synon që të përcaktojë një interval tarifash, duke nisur nga minimumi dhe deri tek tarifat maksimale, por ajo çka është më e rëndësishme është fakti se këto tarifa do të jenë më të lira se ato aktualet. Ky projektligj pritet të kalojë së shpejti për diskutime në komisionet parlamentare, ku përpara se të hyjë në fuqi do të diskutohet edhe me grupet e interesit. Me hyrjen në fuqi të këtij projektligji, Enti Rregullator i Telekomunikacioneve do të kthehet në Autoritet i Komunikimeve Elektronike. Ajo çka është më e rëndësishme, është fakti që me miratimin e këtij projektligji, AKE-ja do të ketë më shumë mundësi që të ushtrojë gjithë kompetencat e saj ligjore për të detyruar operatorët me fuqi të ndjeshme në treg të respektojnë rregullat e lojës, që do të thotë se tarifat duhet të jenë të orientuara drejt kostos.Kritikat e OlldashitVetëm pak ditë më parë në një deklaratë për mediat, ministri i Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, ka kritikuar ashpër punën e bërë deri më tani nga Enti Rregullator i Telekomunikacioneve. Sipas tij, tarifat duhet të jenë të orientuara drejt kostos, gjë që nënkupton një normë fitimi të arsyeshme për operatorët me fuqi të ndjeshme në treg. Kjo normë duhet të jetë sa e operatorëve të tjerë në vendet e BE-së si dhe vendeve me zhvillim të ngjashëm me atë të Shqipërisë. Llogaritja e metodologjisë së tarifave të operatorëve me fuqi të ndjeshme në treg është detyrë e ERT-së, por deri më tani puna e tyre ka lënë shumë për të dëshiruar. "Enti Rregullator duhet të bëjë atë që ka katër vjet që nuk e bën, të llogarisë metodologjinë dhe kostot e operatorëve me fuqi të ndjeshme në treg", ka theksuar në deklaratën e bërë pak kohë më parë ministri Olldashi.Kush s’zbaton vendimet, gjobë 10% të të ardhuraveSipas projektligjit të ri për komunikimet elektronike, nëse një operator nuk zbaton vendimet e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike, atëherë ky operator do të gjobitet. Në ligjin aktual të telekomunikacioneve gjoba më e rëndë është 10 milionë lekë të reja. Ndërkohë me ligjin e ri gjoba do të shkojë deri në 10 për qind të të ardhurave vjetore. Një tjetër risi e këtij projektligji është edhe përcaktimi i operatorëve me fuqi të ndjeshme në treg, i cili nuk do të bëhet më për një periudhë të kufizuar kohe, por do të bëhet për minimalisht 2 vjet. Gjithashtu me hyrjen në fuqi të këtij projektligji të ri, procedurat e licencimit të një operatori të ri do të jenë më të thjeshta, mjafton një njoftim pranë Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe përgjigjja merret brenda 15 ditëve. Me miratimin e këtij projektligji, Ministria e Telekomunikacionit synon që të rregullojë tarifat e bisedave celulare duke i ulur ato.