Dreka me Gurakuqin, debate brenda PDK
• Dreka e rreth 30 anëtarëve të Partisë Demokristiane, ku do t'i kërkohet kryetarit Ndoka të mbledhë kryesinë dhe Këshillin Kombëtar, ka shkaktuar debate në radhët e kësaj force politike.Pas mbledhjes të së shtunës, e thirrur nga anëtari i kryesisë, Anton Gurakuqi, i cili është njëkohësisht edhe zv.ministër i Jashtëm, kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, ka thirrur dje një mbledhje të grupit parlamentar të kësaj partie, por në të ishte parashikuar që të ishin të pranishëm edhe dy zv.ministrat Gurakuqi e Zef Bushati. Por pjesëmarrja e tyre në këtë mbledhje ka shërbyer si shkak për një debat të gjatë mes sekretarit të përgjithshëm të PDK-së, Ndue Shpani dhe kryetarit të grupit parlamentar, Pashko Ujka. Burimet pranë kësaj force politike bëjnë të ditur se, Shpani ka kërkuar që në këtë mbledhje të jenë të pranishëm vetëm deputetët e grupit parlamentar. Por nga ana tjetër, kryetari i grupit, Ujka, ka thënë se kjo është një mbledhje e të gjithë partisë dhe në të mund të marrin pjesë jo vetëm dy zv.ministrat, por edhe drejtorët e emëruar në administratë nga kjo forcë politike. Pas një debati të gjatë, Ujka është tërhequr nga qëndrimi i tij, duke lejuar që kjo mbledhje të bëhet vetëm mes deputetëve të PDK-së. Pas këtij debati, mbledhja është përqendruar në sistemin zgjedhor dhe propozimet e PDK-së. Ndërkohë, burime pranë PDK-së bëjnë të ditur se të paktën 17 anëtarë të kryesisë do t'i depozitojnë kryetarit të partisë, Nard Ndoka, një kërkesë për thirrjen e një kongresi të jashtëzakonshëm dhe zgjedhjen e një kryetari të ri. Ndërkohë që veprimtaria e tyre, sipas burimeve, do të çojë deri në kërkesë për largimin e Ndokës nga partia. Fundjavën e kaluar, rreth 30 zyrtarë të PDK-së janë mbledhur në një drekë nën drejtimin e zv.ministrit të Jashtëm, Anton Gurakuqi, për të diskutuar rreth pakënaqësive të tyre ndaj drejtimit të partisë nga ana e Ndokës. Ky i fundit i kontaktuar në fundjavë nga gazeta, u shpreh se nuk shqetësohet aspak nga një veprim i tillë, duke shtuar se brenda PDK-së ka demokraci dhe liri mendimi.