E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi çon Vitore Tushën në Kushtetuese

• Pas 13 muajsh nga mbarimi i mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Kristofor Peçi, Presidenti Bamir Topi ka nxjerrë aktin ligjor për zëvendësimin e tij.Adi ShkëmbiGjatë ditës së djeshme, zyra e shtypit e Presidencës njoftoi se kreu i shtetit ka nxjerrë dekretin për emërimin e Vitore Tushës si anëtarja më e re e kësaj gjykate. "Në mbështetje të nenit 125, pika 1, të Kushtetutës, dekretoj: Zonja Vitore Tusha, emërohet anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Ky dekret hyn në fuqi menjëherë", thuhet në faqen zyrtare të kreut të shtetit. Sipas procedurës ligjore, dekreti i kreut të shtetit kalon në Parlament për t'u votuar dhe miratohet me shumicë të thjeshtë votash. Kreut i shtetit duket se nuk është konsultuar me grupin parlamentar të Partisë Socialiste. Zyrtarë të PS-së bëjnë të ditur se kreu i shtetit nuk u ka kërkuar mendim lidhur me emrin e ri që do të çojë në Kuvend. Dekreti i MoisiutBurime nga Presidenca bëjnë të ditur për gazetën se emri i Vitore Tushës nuk është i panjohur në këtë institucion. Katër vjet më parë, në vitin 2004, ish-presidenti Alfred Moisiu ka nxjerrë një dekret të ngjashëm me këtë të Presidentit aktual Bamir Topi, për ta emëruar ish-anëtaren e Gjykatës së Lartë në një nga vendet e mbetur bosh në Gjykatën Kushtetuese. Por dekreti i kreut të shtetit është hedhur poshtë në Parlament nga maxhoranca, të cilën në atë kohë e ka pasur Partia Socialiste. Pretendimi i socialistëve në atë kohë ka qenë se propozimi i Presidentit nuk mund të pranohet për shkak të bindjeve të saj të djathta, të treguar gjatë viteve të para të pluralizmit. Pas rrëzimit në Parlament, kandidatja për anëtare e Gjykatës Kushtetuese e çoi këtë çështje pikërisht në këtë gjykatë, e cila nga ana e saj e rrëzoi kërkesën e Tushës me pretendimin se Parlamenti është i pavarur në vendimet e tij. Në dhjetor të vitit 2006 ka përfunduar zyrtarisht mandati i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Kristofor Peçi, ish-ministër i Drejtësisë në vitin 1996. Në fakt, Kushtetuta nuk e përcakton afatin që duhet respektuar për zëvendësimin e një anëtari që i ka përfunduar mandati. Kështu, Peçi do të vazhdojë të qëndrojë në këtë post deri sa të kalojë në votim emri i ri i Vitore Tushës. Kristofor Peçi u emërua anëtar i Gjykatës Kushtetuese me vendimin nr.303, datë 20 mars 1997, të Kuvendit, për pjesën e mbetur të mandatit të gjyqtarit Metush Saraçi. Ky i fundit ishte zgjedhur në postin e anëtarit të Kushtetueses për një periudhë 12-vjeçare, dhe betimin para Presidentit të Republikës e ka bërë në datën 24.12.1994. Në bazë të ligjit, mandati përfundon në të njëjtën ditë, plot 12 vjet më vonë. Për rrjedhojë, data 24.12.2006 konsiderohet si datë e mbarimit të mandatit të gjyqtarit Kristofor Peçi. Kështu, më 12 janar 2007, pak ditë më vonë, Gjykata Kushtetuese në bazë të nenit 127/2 të Kushtetutës, si dhe nenit 9/2 të ligjit nr.8577, datë 10.2.2000 "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë", ka deklaruar mbarimin e mandatit të gjyqtarit Peçi, që prej 24 dhjetorit të vitit të kaluar. Nga 24 dhjetori i vitit 2006, Peçi ka vazhduar të mbajë këtë post.Vitore Tusha, në trupin gjykues që dënoi Fatos NanonTIRANE - Vitore Tusha, gjyqtarja e dekretuar dje nga Presidenti Bamir Topi në Gjykatën Kushtetuese ka qenë pjesë e trupit gjykues që dënoi me burgim ish-kryeministrin e Shqipërisë dhe ish-kryetarin e Partisë Socialiste Fatos Nano. Ajo në fakt nuk ka pasur lidhje direkte me këtë vendim pasi çështja është gjykuar nga një grup gjyqtarësh pjesë e të cilës ka qenë edhe Vitore Tusha. Vendimi është dhënë në vitin 1995 kur Vitore Tusha ishte gjyqtare në Gjykatën e Kasacionit e cila tashmë është emëruar si Gjykata e Lartë. Vitore Tusha ka qëndruar në këtë detyrë deri në vitin 2002 kur mandati i saj në Gjykatën e Kasacionit mbaroi. Në këtë kohë, Tusha ka ushtruar profesionin e avokates deri në momentin që kandidoi për anëtare në Gjykatën Kushtetuese. Në fakt në vitin 2004, Vitore Tusha ka qenë edhe njëherë kandidate për në Gjykatën Kushtetuese mirëpo iniciativa e ish-Presidentit Alfred Moisiu u kundërshtua nga spektri politik i majtë që pretendoi se Vitore Tusha kishte qenë pjesë e trupit gjykues që la në burg ish-liderin e opozitës Fatos Nano.Abdiu dhe Sadushi, me mandate 12-vjeçareDy nga nëntë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, ish-kryetari i saj, Fehmi Abdiu dhe Sokol Sadushi, kanë marrë mandatet më të gjata 12-vjeçare. Ka qenë ligji i vitit 2002, i cili ka përcaktuar dy momentet e largimit të anëtarëve të gjykatës. "Ose pasi plotëson mandatin 12-vjeçar, ose kur mbush moshën 70 vjeç". Paraardhësi i kryetarit aktual të gjykatës, Gjergj Sauli mbush moshën 70 vjeç në fund të vitit 2008, afat kur atij do t’i duhet të lerë edhe postin e gjyqtarit, edhe pse nuk do të ketë mbaruar mandatin e tij. Ndërsa kryetarit aktual Vladimir Kristo, mandati i mbaron pas 9 vjetësh, kur ai do të jetë edhe 70 vjeç. Por procedurat e zgjedhjes së presidentit të Republikës, vonuan edhe zëvendësimin e dy anëtarëve të tjerë të gjykatës, në vend të të cilëve u zgjodhën Vladimir Kristo dhe Sokol Berberi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›