BE i jep Serbisë statusin kandidat për anëtarësim

Tadiç e Barroso pas diskutimit për kandidaturën e Serbisë
Bashkimi Evropian formalisht i ka ofruar Serbisë statusin e kandidatit për pranim në bllokun prej 27 shteteve evropiane.
Mbrëmë vonë, në samitin e shefave të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Bruksel, është arritur pajtueshmëria që Serbisë ti jepet statusi i vendit kandidat.
Megjithatë, anëtarësimi mund të zgjasë vite të tëra.
Këtë e shpalli presidenti i BE-së, Herman Van Rompoj, i cili theksoi se ky është edhe rezultat i dialogut Beograd Prishtinë.
Ne sonte u pajtuam për ti dhënë Serbisë statusin e vendit kandidat për BE. Kjo është një e arritur e mrekullueshme dhe është rezultat i përpjekjeve të demonstruara nga të dy palët në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Shpresoj se kjo do ta inkurajoj Serbinë për ndërmarrjen e përpjekjeve të mëtejshme me synim që ti plotësoj kriteret politike dhe ekonomike për anëtarësim në BE. Poashtu, shpresoj se Beogradi do të vazhdoj ta mbështesë bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore në Ballkanin Perëndimor, tha Van Rompoj.
Kosova, poashtu, po ndërton lidhje më të afërta politike dhe tregtare me Bashkimin Evropian.