Berisha, merr pjesë në festimet për Kuvendin e Lezhës

Sot shënohet 568 vjetori i Kuvendit të Lezhës. Me këtë rast kryeministri Berisha do të vizitojë sot Lezhën ku do të marrë pjesë në veprimtaritë festive, që organizohen nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Bashkia e këtij qyteti.
Kryeministri Berisha do të marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore në Obelisk, ku së bashku me personalitetet e tjera të këtij qyteti do të vendosë buqeta dhe kurora me lule, si dhe, në shenjë simbolike do të ngrihet flamuri kombëtar dhe do i vendoset flaka Flakadan-it të Jubileut.
Gjithashtu kryeministri Berisha do të zhvillojë homazhe dhe do të vendosë kurora me lule në memorialin dhe në varrin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skëndërbeu si dhe tek Monumenti i Gjergj Fishtës. Më pas kryeministri do të marrë pjesë edhe një concert festiv të organizuar në Pallatin e Kulturës me rastin e e 568 vjetorit të Kuvendit të Lezhës.
Kuvendi i fisnikëve shqiptarë u mbajt më 2 mars 1444 në Katedralen e Shën Kollit në Lezhë. Në të morën pjesë udhëheqës të kryengritjeve të mëparshme antiosmane, si dhe pjesëtarë të tjerë të aristokracisë shqiptare ku midis tyre ishin: Skënderbeu, Gjergj Arianiti, Andre Topia, Gjergj Stres Balsha, Nikollë e Pal Dukagjini, Lekë Zaharia, Teodor Muzaka i Riu etj.
Besëlidhja e Lezhës u krijua si një aleancë politike dhe ushtarake e luftës së përbashkët të fisnikëve shqiptarë kundër pushtuesve osmanë. Në krye të Besëlidhjes dhe të organeve ushtarake e financiare të saj u caktua një udhëheqje e vetme, e kryesuar nga Skënderbeu. Prandaj, edhe pse Besëlidhja kishte karakterin e një aleance politike e ushtarake, me vendimet e Kuvendit të Lezhës u bë një hap i madh e vendimtar përpara drejt bashkimit politik të vendit dhe krijimit të një pushteti qendror për të gjitha viset e lira shqiptare, pushtet që u përfaqësua nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
Kryengritja fitimtare e vitit 1443 dhe Kuvendi i Përgjithshëm Shqiptar i 2 marsit 1444 shënuan një kthesë vendimtare në luftën kundër pushtimit të huaj osman dhe hapën rrugën e zhvilimit të vrullshëm të procesit të bashkimit politik dhe shpirtëror të banorëve të krahinave të ndryshme shqiptare.