E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria është gati për në zonën e gjelbër "Schengen"

Ministri i Jashtëm italian Franko Frattini thotë se shqiptarët do të lëvizin të lirë në BE brenda vitit


Ministri i Jashtëm italian Franko Fratini është shprehur dje se brenda këtij viti shqiptarët do të lëvizin të lirë, pa viza drejt zonës “Schengen”. Gjatë një interviste për mediat në Sarajevë, kryediplomati italian ka deklaruar se BE po riafirmon prirjen europiane për të gjitha vendet e Ballkanit. “është përcaktimi i një afati kohor për heqjen e regjimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën. Presim që kjo të ndodhë përpara dimrit. Unë besoj se është e nevojshme. Shqipëria është tashmë gati, edhe Bosnja. Të dyja vendet duhet të përfitojnë heqjen e regjimit të vizave”, tha Frattini. Lidhur nëse do të ketë një mbështetje të gjerë politike në radhët e ministrave të jashtëm të bllokut për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjen, Fratini u përgjigj se, “ka një mbështetje politike, pas rekomandimit të Komisionit Europian, do të thosha se situata është premtuese”. A është çështja e vizave një çështje teknike? Ministri Frattini thotë e rëndësishme është përmbushja e të gjitha kushteve. “Pas përmbushjes së të gjitha kushteve, çështja e vizave është një çështje teknike. Nuk është, nuk duhet të jetë një parakusht politik”, shtoi ai. Vendet e Bashkimit Europian janë shprehur gjithashtu të gatshme që të përshpejtojnë hapat e integrimit europian, të të gjitha vendeve të Ballkanit. Fratini theksoi se pas heqjes së vizave, mbetet ratifikimi i të gjitha Marrëveshjeve të Asociim Stabilizimit dhe përpunimi i të gjitha aplikimeve për anëtarësim nga ana e Këshillit të Europës dhe Komisionit Europian. Perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor u theksua nga të gjithë pjesëmarrësit e këtij takimi në përfundim, të të cilit presidenca spanjolle do të nxjerrë konkluzionet e saj në lidhje me ecurinë e integrimit europian të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ministrat e këtyre të fundit përfshirë edhe Zëvendës kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm Meta, janë zotuar se do të përmbushin me vendosmëri kushtet e vendosura nga Brukseli për të çuar përpara rrugën tashmë të pakthyeshme drejt Bashkimit Europian. Ajo çka është më e rëndësishmja është se Samiti i Sarajevës përbën një shkallë tjetër që Shqipëria ngjit drejt Europës. Mbështetja politike e Brukselit është e fortë dhe ëndrra europiane e vendit është tashmë një realitet.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›