BE-ja, gati të procedojë Greqinë “Ka dhënë shifra false për borxhin”
Kriza
Zyra e statistikave greke ka pasur presion të vazhdueshëm nga politikanët
Komisioni Europian pritet që të hapë ndaj Greqisë procedurat për shkelje në ofrimin e të dhënave të sakta dhe të besueshme për deficitin e saj buxhetor dhe borxhin në përgjithësi. Kjo bëhet e ditur nga një burim brenda BE-së. Komisioni, dega ekzekutive e Bashkimit Europian, është përgjegjës për zbatimin e ligjeve të organizatës.
Komisioni i ka hapur një herë më parë procedurat për shkelje për këtë vend në lidhje me mossaktësinë e të dhënave statistikore. Bëhet fjalë për vitin 2004, por këto procedura u mbyllën në vitin 2007. “Ka shumë të ngjarë që procedura të tilla të rihapen sërish, sepse ofrimi i të dhënave të vërteta dhe realiste është një obligim që të gjitha vendet anëtare të BE-së duhet ta zbatojnë dhe për sa i takon Greqisë, ajo e ka shkelur një detyrim të tillë ligjor”, bën të ditur burimi i mësipërm.
Greqia deklaroi se deficiti buxhetor i vitit 2008 është 7.7% i Prodhimit Kombëtar Bruto, ndërsa për 2009-n ky deficit, sipas shifrave greke, ishte 12%. Një raport i komisionit, i publikuar nga zyra statistikore e BE-së të martën, nënvizon shumë rezerva në lidhje me shifrat dhe të dhënat e ofruara nga Greqia në dokumentet që janë dërguar në Bruksel, duke thënë se në këtë dokumentacion ka shumë dyshime në lidhje me faktet dhe shifrat nga viti 2005 deri në vitin 2009.
“Gjatë 8 viteve të fundit, kur të dhënat në lidhje me borxhin dhe deficitin buxhetor të Greqisë kanë qenë të sakta, kjo ka ndodhur vetëm për shkak të ndërhyrjeve dhe kontrolleve paraprake që u kanë bërë atyre zyrtarët e Eurostat”, thuhet në raport. Ndërkaq, Eurostat nuk i ka verifikuar shifrat e deficitit të vitit 2008, për shkak të mungesës së besueshmërisë dhe informacioneve të pakta të shifrave. Gjithashtu, komisioni mendon se institucionet e përfshira në përgatitjen e statistikave kanë qenë mjaft të lëkundura dhe shumë shpesh të influencuara politikisht nga pushtetarët dhe nuk garantojnë pavarësi profesionale dhe pasqyrim të plotë të statistikave.
Greqia, nën qeverinë e re që e ka marrë pushtetin pas zgjedhjeve të 4 tetorit, planifikon që t’i japë zyrës statistikore të vendit një pavarësi të plotë dhe të krijojë një komision për të hetuar në lidhje me gabimet e bëra në dokumentacionin e dërguar në Komisionin Europian. Por, komisioni ka frikë se ndikimi politik ndaj institucionit statistikor ka vazhduar edhe me ardhjen e qeverisë së re.
“Në periudhën mes 16 dhe 21 tetorit, sekretariati i përgjithshëm i zyrës greke të statistikave ka kontaktuar disa herë Eurostat për ndërhyrje të politikanëve në përpilimin e shifrave dhe të të dhënave. Sekretari i përgjithshëm, i akuzuar për ndërhyrje në shifra, është larguar ndërkohë nga detyra, por problemi për europianët mbetet i hapur.
#