Rravgimet e të sëmurit me dializë nga Shqipëria në Greqi
Rrëfimi
Historia e Avni Kukelit përballë autoriteteve shtetërore shqiptare dhe bllokimit në aeroportin e Rinasit
Avni Kukeli punon e banon prej shtatëmbëdhjetë vjetësh, me dokumente të rregullta, në qytetin e Livadhjasë. Jeta e tij është jetë mes një tragjedie të rëndë familjare, jetë e një njeriu që ka rritur me mundime për shtatëmbëdhjetë vjet një djalë, duke qenë për të baba dhe nënë, vdekja e të cilit, nga një sëmundje e rëndë, do ta trondiste, do t’ia ndryshonte jetën. Për të është shkruar në “Gazeta e Athinës”.
Avni Kukeli, lindur e rritur në Mustafaj të Dibrës, shpërngulur më vonë në Lezhë, është saldator, njeri i punës, njeri i respektuar në mjedisin shoqëror në Livadhja. Avniu është i sëmurë, i duhet herë pas here të udhëtojë nga Livadhjaja në Athinë për të bërë në një spital dializë mjekësore.Tregimi i Avni Kukelit vjen kësaj radhe nëpërmjet një episodi të jetuar dhimbshëm, episod i lidhur me nyje të korrupsionit në vendin e tij, nyje në një aeroport që mban një emër të madh, emrin e humanistes shqiptare “Nënë Tereza”...
Po e përcjellim ashtu siç është fiksuar në shiritin magnetik të diktofonit tim...
* * *
...Më 13 mars, në Livadhja, nga ora 11:00 shkova për të marrë disa lekë pensioni. Më duheshin për të paguar taksinë për të shkuar në spitalin “Erikos Dinan”, ku shkoj në mënyrë periodike për të bërë dializë. Bie telefoni. Më kërkonin për të bërë një punë te spitali i Livadhjasë. Dola jashtë dhe ndërsa bisedoja në telefon, dikush më rrëmbeu çantën me të gjitha dokumentet që kisha. çdo njeri, por një emigrant pa dokumente, është si peshku mbi zallin e Drinit.
Menjëherë shkova në bankë, mbylla librezën. Pas kësaj shkova e bëra denoncimin te policia e Livadhjasë për humbjen e dokumenteve prej së cilës mora një vërtetim ku shkruhej se Avni Kukelit nga ora 11:00 e paradites së datës 13 mars i vodhën të gjithë dokumentet...
Pas dy ditësh shkoj në Ambasadën Shqiptare në Athinë, ku u pajisa me një dokument për të shkuar në Shqipëri për të nxjerrë pasaportën e re. Aty më pritën jashtëzakonisht mirë. Më dhanë leje kalimi për të udhëtuar për në Shqipëri. Punonjësi i ambasadës, mbasi unë kam probleme shëndetësore dhe bëj herë pas here dializë, më tha se lëshimin e dokumentit e bëjnë për 30 euro, kurse mua nuk do të më merrnin asnjë qindarkë. I falënderova për shërbimin që më bënë.
U nisa për në Livadhja. Për të shkuar e për t’u kthyer nga Shqipëria, për të nxjerrë pasaportën e re më kërkohej një vërtetim nga Ministria e Jashtme greke, që jam i rregullt me letrat deri më 31 dhjetor 2010. I bëra të tre dokumentet bashkë: vërtetimin e policisë, lejen e kalimit nga ambasada shqiptare dhe vërtetimin e Ministrisë së Jashtme greke dhe preva biletë vajtje-ardhje me autobus për në Tiranë. Shkova në Lezhë, ku banon nëna, ku kam gjendjen civile, aplikova për pasaportë biometrike dhe për letërnjoftimi dhe u ktheva në Greqi në të njëjtën linjë nga erdha, linjën Tiranë-Kapshticë-Athinë...
Më njoftuan se kanë dalë si pasaporta, po ashtu edhe letërnjoftimi. Isha i detyruar të udhëtoja përsëri për në Lezhë, pasi, sipas ligjit, duhej ta merrja vetë pasaportën dhe letrën e njoftimit.Meqenëse bëj në mënyrë periodike dializë në spitalin e Athinës, preva më 19 nëntor 2009 në Livadhja, ku punoj dhe banoj, në agjencinë ORION TRAVEL, biletë vajtje e ardhje me avion.U nisa për në Tiranë në orën 14:40, më 24 nëntor 2009, nga aerodromi “Elefterios Venizellos”. Kur zbrita në Rinas u befasova nga reagimi i punonjësve të aeroportit, policëve në shërbim. Vajta për të vulosur lejen e kalimit. Polici i shërbimit më tha se unë nuk isha i rregullt. U befasova dhe u mërzita nga përgjigjja e tij. I them se “në rast se i njihni rregullat e aerodromit, unë e di që jam shumë i rregullt. Kam kaluar edhe para një muaji nga Dogana e Kapshticës, jam me leje kalimi, jam me vërtetim nga policia greke që më kanë humbur të gjitha dokumentet, jam me vërtetim nga Ministria e Jashtme greke që jam i rregullt me letrat. Kam ardhur për të marrë pasaportën e re dhe kartën e identitetit”. U tregova edhe letrat e aplikimit. Më tha se atyre nuk u duhej gjë fare. “Dokumentin që të ka dhënë ambasada shqiptare ne nuk e njohim fare. Edhe dokumentet greke që ke, ne nuk i njohim”, më thanë. I them se jam në aerodromin e Rinasit, vendin tim, shkoj në shtëpinë time dhe jam me dokumente të rregullta. Ju derisa punoni këtu duhet t’i njihni këto rregulla. Ata bënë shumë fjalë dhe kërkuan që të shkojmë në rajonin e policisë. U them se nuk kam punë me rajonin e policisë, unë dua të shkoj në shtëpinë time, kam dalë nga spitali, jam njeri i sëmurë. Ju lutem shumë mos më vononi se më duhet të kryej punë shpejt. Në atë kohë vjen një police dhe më thotë se “me këto letra që ke, nuk kalon më për në Greqi”. I thashë se do të kaloj se jam i rregullt, jam edhe i sëmurë. Sëmundja që kam unë nuk pret të rri shumë, prandaj kam prerë biletë me të drejtë kthimi pas dy ditësh. Më thotë që “letrat që ke, meqë ne nuk i marrim vesh, sepse janë në greqisht, duhet t’i përkthesh shqip”. I thashë se kam nënën tetëdhjetë vjeçe, pse të paguaj tridhjetë mijë lekë për përkthim, kur ato para ia jap nënës sime? Megjithatë unë, meqë ju nuk doni t’i njihni këto dokumente, atëherë halli më detyron që mos t’ia japë nënës ato para, por t’ia jap përkthyesit.Në Lezhë, më 26 mora pasaportën, kartën e identitetit dhe shkoj në Rinas në orën 13:00, dy orë e 45 minuta para nisjes së avionit.
Shkoj të dorëzoj dokumentet e udhëtimit. Në shërbim ishte polici Denis Haslaj dhe dy vajza të reja. Pa i parë dokumentet më thanë prerë: “Ti zotëri nuk kalon”. U thashë se do të kaloj se kam kaluar edhe para një muaji, jam njeri i sëmurë, me probleme shëndetësore, bëj dializë dhe po nuk kalova, atëherë nesër mund të vdes. Më tha se po të kalosh ti, mua do të më venë gjobë tri mijë euro. I thashë se unë nuk po kaloj as drogë e as armë. Jam një qytetar i rregullt me letra dhe jam i sëmurë.
Më tha se do t’i dërgojmë një faks Athinës. Mori letrat dhe ia dha një shokut të vet. Zotëria qarkullonte lart e poshtë duke bërë sikur po interesohej, por në fakt, siç e vërtetova më vonë, nuk kishte bërë asgjë, nuk kishte dërguar asnjë faks në Greqi. Ata u tallën me mua, me një njeri të sëmurë.
15 minuta para nisjes së avionit më thonë se erdhi përgjigjja nga Athina dhe nuk je i rregullt.Mora nga Rinasi zyrën e gazetarit Trandafilopulos. I tregoj problemin dhe vendin ku ndodhesha, duke theksuar se po nuk erdha sot në Athinë, rrezikohet jeta ime. Më kërkuan ndjesë, duke më thënë se po të jesh në tokën greke, për çdo lloj problemi të na marrësh në telefon dhe ne do të ndihmojmë menjëherë. Ju jeni në Shqipëri, dhe ne nuk ndërhyjmë dot.
Aeroplani iku. Ata mblodhën valixhet dhe letrat e tyre dhe unë mbeta vetëm në aeroport.
U ktheva dhe shkova ta denoncoj rastin në televizionin “Top Channel”. Ishte ora 20:00 e darkës. Ishte vetëm roja. I tregova rastin dhe ai më tha se nuk ka asnjë gazetar në këtë orë. Të vini nesër në mëngjes, në orën 08:00.
Nuk mund të prisja, sepse nuk priste sëmundja ime, ndaj të nesërmen në mëngjes u nisa me autobusin e linjës “Albatrans”, Tiranë-Athinë nëpërmjet Kapshticës.
Meqë më jepet rasti, dua të falënderoj punonjësit e policisë të Kapshticës, përgjegjësin, që fatkeqësisht nuk ia di emrin, të cilët më ndihmuan menjëherë, ndër të tjera se ishte rasti i dytë që kaloja atje dhe ishin të informuar për sëmundjen që kisha. Më kaluan të parin.
Në doganën greke paraqita dokumentet, duke u treguar edhe problemet që më kishin ndodhur gjatë 24 orëve. Policia greke u tregua shumë e gatshme, duke më ofruar edhe makinë për të më dërguar sa më shpejt në spitalin më të afërt për të bërë dializën.
I falënderova dhe vazhdova linjën me autobus.
U ktheva në Livadhja, ku jetoj prej 17 vjetësh. Në orën 12 të natës kam shkuar urgjent në spital dhe vazhdova terapinë e zakonshme 3-orëshe.
Të nesërmen shkoj direkt në aerodromin e Spatës për t’u sqaruar për ndodhinë në aeroportin e Rinasit dhe për faktin në se e dërguan faksin, apo më mashtruan. U tregova rastin tim, faktin që isha nisur me këto dokumente për në Tiranë dhe faktin tjetër që nuk më lejuan të kthehem me avion, me biletën e prerë. Kontrolluan dokumentet e datës 26. Pasi i panë me imtësi, punonjësi grek më thotë: Më 26 nuk është dërguar asnjë lloj faksi, as për ju dhe as për askënd.Nuk e besova që njerëz në shërbim të qytetarëve, të veshur me pushtetin e uniformës që mbajnë, të gënjenin me një paturpësi të tillë. Kjo, për më tepër kur ata ishin njerëzit e vendit tim, shqiptarë që flisnin shqip.
Kërkoj të di se kush është përgjegjës në Rinas apo drejtori i kësaj zone? Pse më thanë se po të më kalonin mua do të gjobiteshin me tremijë euro? Mos vallë donin nga një njeri në hall të madh, një njeri i sëmurë që i rrezikohej jeta nga mosparaqitja në mjekim, tremijë euro?
#