E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjeshtri italian, i bie pianos në Tiranë



Ditën e enjte (16 tetor ’08) në sallën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit publiku i metropolit shqiptar do të ketë mundësinë të ndjekë koncertin në piano të maestro Bruno Kanino, i cili vjen nga Italia me iniciativën e Institutit Italian të Kulturës. Maestro Kanino, aktualisht mban pozicionin e drejtorit të seksionit të muzikës në Bienalen e Venecias. Ai zhvillon një aktivitet intensiv si solist duke dhënë koncerte në të gjithë botën. U bënë mëse katër dekada, gjatë të cilave, maestro Kanino luan në duo pianistike me Antonio Ballistën dhe prej mëse 3 dekadash ai është pjesë e grupit të muzikës së dhomës “Trio di Milano”. Siç bëjnë të ditur organizatorët e koncertit, veç dedikimit ndaj muzikës bashkëkohore, Kanino ka bashkëpunuar me artistë të tjerë si Pierre Boulez, Luciano Berio, Karl-Heinz Stockhausen, Bruno Madrina, Luigi Nono dhe i është përkushtuar me shumë pasion formimit të muzikantëve të rinj, duke dhënë mësime pianoje në Konservatorin e Milanos që prej 24 vitesh. Programi i mbrëmjes në Tiranë parashikon muzikë nga kompozitorët M. Clementi, G. Rossini, L.M. Gottschalk, A. Copland, C. Corea dhe G. Gershwin.

“Një vit pa Vangjel Hebën”

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, në bashkëpunim me teatrin “Aleksandër Moisiu” Durrës organizojnë ditën e premte, (17 tetor) një aktivitet përkujtimor me rastin e 1-vjetorit të lamtumirës së “Artistit të merituar” Vangjel Heba. Gjatë aktivitetit do të sillen kujtime e mbresa nga kolegët dhe miqtë e aktorit, do të prezantohet katalogu me rolet e tij në teatër e kinema, i përgatitur nga AQSHF-ja, si dhe një montazh 24 minutësh, me disa nga rolet e Hebës në kinematografinë shqiptare. Vangjel Heba u lind në Durrës në 11 mars 1933. Aktivitetin artistik e filloi me amatorët dhe me themelimin e teatrit profesionit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, është pjesë e kësaj trupe deri në mesin e viteve 80-të, duke doli në pension. Ka realizuar mbi 80 role në teatër, në një pjesë shfaqjesh është edhe regjisor, si dhe ka një karrierë të pasur në kinematografi, duke realizuar 22 role, duke filluar nga filmi “Furtuna” në 1959 e deri tek filmi “Balada e Kurbinit” në 1989. Është nderuar me çmime, urdhra e medalje në aktivitetet kombëtare. Ai mban titujt “Artist i merituar” dhe “Qytetar Nderi” i Durrësit. U nda nga jeta në 17 tetor 2007, pas një sëmundjeje të rëndë.

14 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›