BE-ja përgatit planin e emergjencës për Greqinë
Blerina Olldashi
Ministrat e financave të Bashkimit Europian kanë rënë dakord që të ndihmojnë Greqinë me anë të një programi të posaçëm shpëtimi.
Kryeministri i Luksemburgut, Zhan-Klod Junker, njëhohësisht edhe shef i grupit të euros, tha se modalitetet teknike të këtij plani shpëtimi ndodhen ende mbi tryezë dhe kjo jep mundësinë për të vepruar në mënyrë të koordinuar. Propozimi për Greqinë sqaron ai, është në përputhje të plotë me lidhet kombëtare. “Kjo na jep mundësinë të veprojmë në mënyrë të koordinuar. Dhe të veprojmë shpejt, nëse bëhet e nevojshme. Propozimi që bëjmë ne është në përputhje të plotë me konventat dhe ligjet kombëtare”, tha Junker. Sipas paktit të Lisbonës, Banka Qendrore Europiane dhe vendet e veçanta anëtare e kanë të ndaluar të ndihmojnë me kredi vendet me borxhe të mëdha. Detajet e ndihmës financiare duhen përpunuar ende. Duket se vendet anëtare do të ndihmojnë Greqinë me dhënie kredish. Komisioni i Bashkimit Europian do të koordinojë aksionin e ndihmës. Nëse ai do të jetë i nevojshëm, megjithëse Zhan-Klod Junker vazhdon të mendojë se puna nuk do të shkojë deri aty sa Greqia të ndihmohet financiarisht. “Ne mendojmë se nuk do të kemi nevoje për një instrument të tillë, sepse masat greke për konsolidimin e ekonomisë janë të besueshme dhe kanë bindur edhe tregjet financiare. Për paketën e ndihmës do të vendosin kryetarët e shteteve dhe të qeverive në takimin e nivelit të lartë, që pritet të mbahet javën e ardhshme. Në takimin e një muaji më parë ata vendosën që të ndihmojnë Greqinë, nëse ajo nuk arrin të marrë para. Deri tani qeveria greke ka arritur të marrë kapital të freskët nga tregjet financiare, megjithëse ai ka qenë me përqindje të konsiderueshme rreziku. Greqia ka nevojë këtë vit për gjithsej 50 miliardë euro. Por fillimisht vendet anëtare ia kanë lënë fjalën programit të kursimeve të qeverisë greke. 16 vendet anëtare iu bashkuan gjykimit të dhënë nga Komisari për çështjet ekonomike të BE-së:
“Qeveria greke ka marrë vendim për një paketë ambicioze dhe të guximshme masash shtesë. Kjo do të thotë që Greqia ndodhet në rrugë të mirë për arritjen e qëllimit, që është ulja e borxheve të reja të këtij viti në katër për qind”. Së bashku me përfaqësuesit e Bankës Qendrore Europiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, Oli Rehn i kërkoi Athinës dy javë më parë që të jetë më e rrëptë me masat shtesë. Pas kësaj qeveria socialiste ashpërsoi programin e kursimeve. Qeveria greke ka planifikuar uljen e rrogave në shërbimet publike, bllokimin e pensioneve dhe rritjen e taksës mbi vlerën e shtuar nga 19 në 21 për qind.
Maqedoni
Admirali Fitzgerald viziton Maqedoninë
Zyrtari i lartë i NATO-s, admirali amerikan Mark Fitzgerald zhvilloi një vizitë dy ditore në Maqedoni. Lajmi u bë i ditur nga mediat maqedonase, sipas të cilave gjatë vizitës së tij Fitzgerald do të takohet me krerët më të lartë të ushtrisë maqedonase, si dhe kryeministrin Nikolla Gruevski. Në qendër të takimeve, shtojnë më tej burimet, do të jenë çështjet që kanë të bëjnë me progresin e Maqedonisë në realizimin e reformave dhe pjesëmarrja e saj në misionet ushtarake ndërkombëtare.
Slloveni
Serbia, e vetmja që nuk konfirmon pjesëmarrjen në samit
Përgatitjet për samitin mbi të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor, të planifikuar për 20 mars në Bërdo afër Kranjit, po rrjedhin sipas planit, ndërsa pjesëmarrjen e kanë konfirmuar të gjithë përveç Serbisë, ka thënë ambasada e Sllovenisë në Beograd.
Të gjithë të ftuarit e kanë konfirmuar ardhjen, përveç Serbisë, por meqë është takim joformal, pritet deri në çastin e fundit, ka thënë për agjencitë serbe të lajmeve e ngarkuara me punë në ambasadë, Jadranka Shturm Kocjan. Ajo ka shtuar se mbetet çështje e hapur ardhja e presidentit të Serbisë, Boris Tadiç.
Jeruzalem
Përleshen palestinezët militantë me forcat izraelite
Në lindje të qytetit të Jeruzalemit ka pasur përleshje midis palestinezëve dhe forcave izraelite. Sipas të dhënave të policisë, qindra të rinj militantë qëlluan me gurë dhe u vunë zjarr gomave. Sipas mjekëve janë plagosur rreth 40 palestinezë. Pas përurimit të sinagogës së restauruar, Hamasi radikal-islamik kishte bërë thirrje për një të ashtuquajtur “Ditë të Zemërimit". Edhe në Rripin e Gazës të kontrolluar prej Hamasit mijëra vetë dolën në rrugë dhe protestuan kundër paralajmërimeve të fundit të Izraelit për zgjerimin e ngulimeve në Jeruzalemin Lindor.
Tajlandë
Spërkaten me gjak zyrat e qeverisë
Protestuesit kundër qeverisë në kryeqytetin e Tajlandës Bankok kanë hedhur gjak brenda ndërtesës së qeverisë në një akt të sakrificës simbolike. Pas negociatave me forcat e sigurisë, një numër i vogël protestuesish u lejuan të derdhin një sasi gjaku të dhuruar më herët nga protestuesit, numri i të cilët kishte arritur në disa dhjetëra mijëra vetë të mbledhur për të protestuar. E ndërsa ata bën një gjest të tillë, protestuesit po ashtu bën një mallkim për qeverinë, e cila nuk ka pranuar të japë dorëheqjen.
17 Mars 2010