Kosovë, analistët: Humbja e LDK-së, ndëshkim për lojën e dyfishtë
Loja e dyfishtë e Lidhjes Demokratike të Kosovës është bërë shkak për humbjen në zgjedhje, përfshirë edhe raundin e fundit në Gjilan. Kështu vlerësojnë analistët lidhur me LDK-në dhe gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet. Sipas tyre, elektorati po ndëshkon veprimet e pamatura dhe pa një strategji të qartë në arenën politike. Për më tepër, ata thonë se përçarjet brenda Kryesisë së LDK-së, bëjnë që kjo parti ta ketë të vështirë rikthimin si subjekti i parë në vend, cilësi që e mbante dikur.
Disfata e Lidhjes Demokratike të Kosovës edhe në Gjilan, sipas analistëve politikë, është një tagër që LDK-ja po paguan kundrejt elektoratit të saj, për shkak të konfuzionit që kjo parti krijoi në raport me koalicionin qeverisës. Lidhja Demokratike e Kosovës, pas balotazhit të 13 dhjetorit, kërkoi me ngulm përsëritjen e zgjedhjeve në Gjilan, Prizren dhe Lipjan, nën dyshimin se ka pasur keqpërdorime. Të dielën, në Gjilan, sikurse ndodhi më herët në dy komunat tjera, kandidati i LDK-së humbi ndaj kundër-kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës. Për analistin politik, Ilir Deda, rezultati i Gjilanit tregon se LDK-ja ka humbur ‘busullën’ politike. “Elektorati është duke e ndëshkuar LDK-në për të gjitha ato premtime, që dolën të jenë të pavërteta, të cilat i dha nga tetori i vitit 2009. Retorika që LDK-ja po e përdor në fushatë parazgjedhore, është një retorikë e dy skajeve të ndryshme”. Ndërsa analisti Bardh Hamzaj numëron një sërë arsyesh, që, sipas tij, çuan në disfatën e LDK-së. Sipas tij, përçarjet kanë ekzistuar edhe më herët në LDK, por më e rëndësishme është se në këtë parti duhet të ishin bërë rifreskime me kuadro të reja.
17 Mars 2010