E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimet në Itali, Dalin certifikatat “Celi 3” për 927 kandidatët e provimit të nëntorit 2009



Jonida Tashi

Dalin certifikatat “Celi 3”, të lëshuara nga Universiteti për të Huaj i Peruxhias, për 927 kandidatët që i janë nënshtruar provimit në nëntor të vitit të kaluar. Lajmi bëhet i ditur zyrtarisht nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, i cili ka informuar ditën e djeshme se kanë ardhur certifikatat e provimit “Celi 3”, të sesionit të nëntorit 2009. Për këtë, Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, ka përcaktuar edhe qendrat ku të rinjtë duhet të paraqiten për të tërhequr certifikatën “Celi 3”. Sipas njoftimit zyrtar të Institutit Italian, të interesuarit mund të vijnë për të tërhequr certifikatën çdo ditë, nga ora 15.00 deri në 16.30, duke paraqitur dhe një dokument identifikimi.
Certifikata
Instituti Italian i Kulturës njofton se kandidatët për studentë me banim në Tiranë, të cilët i janë nënshtruar provimit “Celi 3” në nëntor të vitit 2009, mund t’i tërheqin certifikatat e lëshuara nga Universiteti për të Huaj i Peruxhias pranë këtij instituti. Orari javor i përcaktuar nga Instituti Italian për marrjen e certifikatës është nga e hëna në të premte, nga ora 15:00 deri në orën 16:30. Ndërsa të gjithë studentët e tjerë, që nuk banojnë në Tiranë, duhet të kontaktojnë përgjegjësit lokalë të kurseve të gjuhës italiane për t’u pajisur me certifikatën e njohjes së kësaj gjuhe, “Celi 3”. Pajisja me certifikatën “Celi 3” i paraprin regjistrimit të tyre në universitetet italiane. Provimi për certifikatën e gjuhës italiane “Celi 3 e 5”, lëshuar nga Università per Stranieri di Perugia (Universiteti për të Huajt në Peruxhia) organizohet nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, e cila shërben edhe për të bërë kërkesën për pararegjistrim në universitetet italiane.
Pararegjistrimi
Kushti kryesor për t’u regjistruar në universitet në Itali është njohja shumë e mirë e gjuhës italiane, e vërtetueshme nëpërmjet kryerjes së provimit “Celi 3”. Për rrjedhojë, të gjithë të rinjtë shqiptarë që do të pajisen së fundi me certifikatën “Celi 3” kanë automatikisht të drejtë të bëjnë kërkesë për regjistrim paraprak në universitetet e Italisë. Ky proces do të kryhet brenda muajit maj, sipas rregullave të vendosura nga Ambasada Italiane. Kjo e fundit ka përcaktuar se kanë të drejtë të paraqesin kërkesë për pararegjistrim në universitetet italiane, të gjithë maturantët shqiptarë që plotësojnë kushtet e nevojshme për regjistrim. Më pastaj, kërkesat do të merren në shqyrtim nga universitetet italiane të cilat do të vendosin për pranimin, në varësi të vendeve që kanë në dispozicion për studentët e huaj. Për të dorëzuar kërkesën për regjistrim paraprak në universitetet italiane, çdo maturant shqiptar duhet të paraqitet personalisht pranë Ambasadës Italiane, i pajisur me pasaportë, sipas afateve që do të caktojë Ambasada. Ndërkaq, për paraqitjen e kërkesës për regjistrim paraprak, kandidati duhet t’i paraqesë Ambasadës dokumentet e mëposhtme: kërkesën e regjistrimit, të plotësuar në të gjitha zërat, si dhe dy kopje të saj, pasi të jetë plotësuar. Në këtë pikë, maturantët duhet të tregohen tepër të kujdesshëm rreth faktit se në kërkesë duhet të shënohet në mënyrë të qartë vetëm një degë universitare. Sipas rregullave të vendosura nga Ambasada Italiane, dega e studimeve e përzgjedhur nuk mund të ndryshohet më. Për të përzgjedhur degën këshillohet që të rinjtë të konsultojnë listën në adresën e internetit: http://www.studiare-in-italia.it/studentistranieri/; formulari i autentikimit të fotografisë, i plotësuar me të dhënat anagrafike, si dhe dy kopje të tij, pasi të jetë plotësuar; fotokopje të formularit A1, të regjistrimit në dy provimet me zgjedhje në Shqipëri. Për kandidatët që e kanë marrë Dëftesën e Pjekurisë duhet detyrimisht të paraqesin vërtetimin e provimeve me zgjedhje (Matura Shtetërore); titulli përfundimtar i shkollës së mesme në origjinal (Dëftesë Pjekurie). Kandidatët, të cilët, e kanë humbur Dëftesën origjinale, mund të paraqesin një vërtetim zëvendësues, që të përmbajë notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme (vërtetim). Maturantët e regjistruar në vitin e fundit, dhe që do ta marrin Dëftesën e Pjekurisë në verën e këtij viti, duhet të paraqesin një certifikatë (vërtetim notash), që tregon frekuentimin dhe notat e dy viteve të para si dhe të semestrit të parë të vitit të tretë, me detyrimin për ta dorëzuar Dëftesën e Pjekurisë në origjinal pranë Ambasadës, sapo ta marrin atë së bashku me Certifikatën e Maturës Shtetërore.

17 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›