E Diel, 1 Nëntor 2026

Marinarët e nëndetëseve, si i ndërprenë studimet në Leningrad

Rrëfimet e ish shefit të Armëve të Nënujshme të Flotës në Pashaliman. Pritja në atdhe nga Beqir Balluku. Historia e ngritjes së Shkollës Detare

Rafet Hysi

Në prag të prishjes përfundimtare me Bashkimin Sovjetik (Maj 1961), grupi ynë i studentëve ushtarakë të Shkollës së Lartë të Marinës “Leninski Komsomof, - Leningrad” (sot Petërburg), u urdhëruam nga qeveria jonë që të riktheheshim në atdhe. Ne nuk arritëm që të përfundonim procesin mësimor në atë vit akademik. Komanda e shkollës ishte e mirinformuar për situatën e tensionuar që ishte krijuar midis dy vendeve pas Kongresit të 20 të Bashkimit Sovjetik. Mund të kuptohet se për ne shqiptarët procesi mësimor dhe e gjithë shkolla kishte mbaruar në atë moment. Ishte pikërisht kjo situatë që i bënte pedagogët dhe komandantët e shkollës që të na thoshin nën zë se ne kishim marrë njohuri të mjaftueshme që dhe se, pa shkollim të mëtejshëm, mund t’ia dilnim mbanë detyrave tona në nëndetëse.
Në të njëjtën kohë, populli rus jashtë mureve të shkollës, nuk u besonte lajmet se rusët qenë prishur me shqiptarët dhe se ne do të largoheshim përgjithmonë. Përcjellja e studentëve nga trupa mësimore dhe Komanda e saj ishte mbresëlënëse. Komandanti i shkollës, Admiral Egipko, heroi i Bashkimit Sovjetik, jo vetëm që mbajti një fjalim para nesh dhe na përgëzoi për punën që kishim bërë në përvetësim të dijeve, por, në të njëjtën kohë, na jepte zemër për ta vazhduar punën dhe detyrën që na priste në vendin tonë. Ai na tha: “Ju, tashmë jeni plotësisht të përgatitur”. Nderime patëm edhe nga populli rus që na përcolli në stacionin e trenit për në Moskë. Pasi mbërritëm në Moskë dhe hipën në avionin “Tubolev”, u nisëm për të në atdhe. Kur mbërritëm në Tiranë, na ishin rezervuar pritje e nderime nga udhëheqja më e lartë e Ministrisë së Mbrojtjes (ishte i pranishëm vetë ministri Beqir Balluku) dhe mjaft kuadro të tjerë, ku na shtruan edhe një koktej. Aty u zhvillua një bisedë e përzemërt me Beqir Ballukun duke na transmetuar edhe përshëndetjet e udhëheqjes më të lartë të Partisë dhe të Enver Hoxhës. Pastaj, na thanë në vija të përgjithshme se në të njëjtën kohë, ishte menduar edhe për vazhdimin e mëtejshëm të studimeve, duke na njoftuar se një shkollë e re e detarisë do të hapej atë vit shkollor. Kështu, në një gjendje entuziazmi që vinim në Shqipëri dhe që do të vazhdonim shkollën, u larguam në shtëpitë tona për të kaluar pushimet e verës. Pasi përfunduam pushimet, u paraqitëm në Pashaliman, ashtu siç na kishin porositur. Paraprakisht, ishin përgatitur me mundësitë që ekzistonin për kohën, ambientet akomoduese dhe mësimore. Programet dhe praktikat mësimore u hartuan nga stafi pedagogjik që tashmë ishte ngritur me kuadro dhe oficerë që kishin mbaruar shkollat e larta dhe akademitë detare në Bashkimin Sovjetik dhe që njihnin në tërësi caqet që duhet që arrinte shkolla jonë e porsa ngritur për një cikël të plotë mësimor 4-vjeçar. Ky program u vërtetua më së miri se e realizoi qëllimin që duhet të arrinte shkolla në katër vjet. Ky qe një sukses, pavarësisht nga vështirësitë që pati në periudhën e parë të jetës së saj. Është e kuptueshme se pedagogët e rinj, pavarësisht njohurive që kishin marrë vetë nëpër shkolla, nuk dinin masën e shpërndarjes së ngarkesës që duhej dhënë. Studentët, shto nivelin pedagogjik, përvojën e pamjaftueshme dhe mjaft probleme të tjera të organizimit dhe drejtimit, i pengonte një situatë e tillë për një ecuri normale dhe pa pengesa, por ato i kaluan me devotshmëri dhe përkushtim maksimal në ndjekjen e leksioneve, punët laboratorike, detyrat e kursit, plotësimin e kushteve dhe përmirësimin në vazhdimësi.
Vështirësitë e lindjes dhe rritjes së shkollës së re u tejkaluan në saj të qëndrimit tonë shumë dashamirës ndaj pedagogëve, komandës dhe gjithë të tjerëve, por, mbi të gjitha, qëndrimit tepër kërkues ndaj vetes dhe detyrës së Komandës së Shkollës, pedagogëve që me aq përkushtim dhe njerëzillëk qytetar, na trajtuan ne. Grupi ynë kishte parë e dëgjuar pedagogë me emër të madh dhe tituj shkencorë; laboratorë të niveleve të larta dhe qytetërim të admirueshëm të leningradasve.

Qëndrimi i tejzgjatur pranë nesh që shkonte deri në 2-3 javë, duke na plotësuar ato pak kërkesa modeste që parashtronim para tyre dhe shoqërizimi i tejskajshëm, bënë të mundur që faza e parë, siç mund të themi sot, të kalojë me sukses.

Ne po iu nënshtroheshim gjithnjë e më mirë kushteve të reja. Në vend të laboratorëve ne filluam t’i përdornim vetë nëndetëset; detyrat dhe punët laboratorike i kryenim edhe në kabinetet e Shkollës së Detarisë (Marinarëve) që sigurisht, nuk ishte në nivelin e kërkuar. Por, sidoqoftë, na ndihmonin.

Koha kalonte dhe ditët na çuan drejt fundit të vitit, tek provimet e përfundimit të shkollës, të cilat përfunduan me shumë sukses për kursin tonë të vogël prej 13 kursantësh, nga të cilët, 8 veta u kurorëzuan me vlerësimin “Shkëlqyeshëm” dhe disa me ndonjë notë 4 nëpër lëndë të veçanta. Këtë proces, nëse mund ta quajmë një mbyllje të ciklit të studimit dhe eveniment të suksesshëm për secilin kursant (student ushtarak), pati rëndësi sepse provimet u ndoqën edhe nga një numër i madh kuadrosh të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes që e rritën edhe më tepër rëndësinë dhe vlerën e këtyre provimeve. Kjo, pasi në atë kohë, vetë ngritja e shkollës plotësonte disa synime; së pari vërtetohej teza e mbështetjes në forcat tona; Së dyti, plotësohej një ëndërr e rilindësve tanë për ndërtimin e një akademie detare në Vlorë dhe së fundi, ngritja e shkollës detare i jepte fund përgatitjes së kuadrit oficer për Flotën Detare nëpër shkolla jashtë vendit.

Koha kalonte, ditët, po ashtu, i linin vendin njëra – tjetrës dhe në të njëjtën kohë, shkolla formoi sakaq përparësitë deri në atë shkallë saqë mund të krenohet edhe sot pas 45 vjetësh jetë me sukseset e veta, të krahasueshme me vendet e tjera të botës. Kjo i dha Flotës kuadrin e nevojshëm, me teori dhe dije të niveleve bashkëkohore. Ata që dolën nga bankat e saj iu ranë deteve dhe oqeaneve të botës rreth e përqark.
Ajo shkollë që lindin në vitin e vështirë të vetmisë së madhe, në 1961-in, kur s’kishim as bukë, dhe Krushovi kërcënonte se do të vdisnim urie, shkolla jonë arriti dhe përparoi duke i dhuruar vendit disa komandat flote si Ndue Jaku, Tahsim Meçi, Muharrem Kuçanën, Fitim Halili, Vladimir Beqja, Robert Babi, Kudret Çela, Kristaq Gërveni dhe dhjetëra komandantë bazash dhe qindra kuadro të tjerë për gjithë periudhën e ekzistencës së saj, deri në ditët tona.
Desha të përulem me respekt ndaj atyre kuadrove mësimdhënës që shërbyen me devotshmëri në vite, duke e ngritur lavdinë e saj. Kështu, dua të përmend komandantin e parë Shaqir Kapexhiun, pedagogët T. Hoxha, Qemal Hysi, Petrit Hysi, Bedri Hankallari, Skënder Doçi Aleko Pojanin, etj., për përkushtimin dhe mundin që dhanë në formimin e kësaj akademie. Për kursin tonë të vogël, shkolla mbaroi në qershorin e vitit 1962 dhe ia la vendin një shkolle tjetër, edhe më të vështirë, edhe më të gjatë; shkollës së jetës.
Aty filloi përballja me teknikën dhe aparaturat modernet që zotëronte nëndetësja.
Ne, të sapodiplomuarve, na pritën shokët tanë që kishin mbaruar një vit para nesh, detarët dhe nënoficerët që kishin kaluar një stazh bashkë me detarët sovjetikë në detyrat luftarake që njihnin përdorimin e teknikës, por që nuk zotëronin në përsosmëri teknikën luftarake për ti shërbyer asaj me kualitet në të gjitha drejtimet e mirëmbajtjes, shërbimeve dhe riparimeve rigjeneruese të nëndetëses.
Nga ana teorike, rusët, me ikjen e tyre prishën, dëmtuan dhe morën literaturën e nevojshme. Teknika kishte filluar të jepte shenjat urgjente të nevojës së saj për përkujdesje. Vitet 61-67 dhe në vazhdim, deri në ardhjen e kinezëve, u shoqëruan me përpjekje të jashtëzakonshme të kuadrove e detarëve për të përvetësuar dhe kapërcyer ato vështirësi, duke plotësuar kështu më së miri nevojat e gatishmërisë. Nuk mund të harroj atë punë vetëmohuese, rraskapitëse të kuadrit dhe detarëve për eliminimeve e defekteve në sistemet luftarake dhe armatim. E vetmja kënaqësi ishte të raportonin se defekti i eliminua dhe mekanizmat funksiononin normalisht dhe se armatimi ishte në gatishmëri. Po kështu, mungesa e bazës materiale krijonte vështirësi të shumta dhe na detyronte që të përdornim pjesët e vjetra, me ndërhyrje të pjesshme rigjeneruese deri në mbërritjen e kinezëve që i dhanë një hov të ri punëve dhe gatishmërisë. Raste të heroizmit masiv ka shumë, por unë po tregoj një moment kur deshëm që të realizonim një qitje në ajër nga nëndetësja dhe nënoficer Beqir Kelmendi raportoi se qitja nuk u realizua pasi nuk funksionoi skema e qitjes. Kjo më detyroi mua, ish-komandantin e Organit Luftarak 3 t’i drejtohesha për rishikim skemës së funksionimit të procesit të qitjes dhe mbikëqyrjes së pozicionit të çdo mekanizimi në gjendje qetësie dhe pune. Pasi arritëm të lokalizonim defektin në valvulën e qitjes, vendosëm ta çmontonim dhe riparonim atë, por s’kishim të dhëna mbi tolerancat që duhet të liheshin pas riparimit. Për të arritur tek e vërteta, filluam të zbatonim parimin e analogjisë që sigurisht, kjo kërkonte punë suplementare e andralla të tjera deri tek arritja e qëllimit. Por, vendosmëria dhe këmbëngulja se çdo gjë do të shkonte mirë, na jepte zemër, na hiqte lodhjen, na jepte kënaqësinë e punës.
Kjo punë e lodhshme dhe e gjatë, në kushtet jashtëzakonisht të vështira të nëndetëses, ku mezi hyje deri tek mekanizimi, pasi duhej të punoje shtrirë mbi hekura, ishte realisht rraskapitëse. Atë mund ta bënin vetëm njerëzit e përkushtuar ndaj detyrës. Ndaj dua të them, me plotë gojë, ju faleminderit të gjithë atyre detarëve, nënoficerëve, oficerëve që i kushtuan rininë, jetën dhe sakrifikuan jetën e tyre rinore për të siguruar gatishmërinë luftarake të nëndetëses. Ata nuk u ankuan kurrë; nuk u mburrën kurrë ndaj të tjerëve, por që shoqëria, dhe në mënyrë të veçantë, brezat që vijnë duhet të kujtojnë me respekt punën e brezave të mëparshëm, trashëgiminë e vyer që lanë prapa e që duhet ta lartësojnë më tej brezat e ardhshëm, me dinjitet dhe përkushtim, për të cilët, jam i bindur se do ta bëjnë më së miri.

Autori i shkrimit ka qenë ish shef i armëve të nënujshme të Flotës në bazën e Pashalimanit

17 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›