Ushtarakët duhet të çojnë në vend dinjitetin e tyre
Nevzat Bozhani
Shoqata “Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë” është subjekt juridik shqiptar, shoqatë mbarëkombëtare, organizatë jo-fitimprurëse, me anëtarësi vullnetar, pluralist dhe gjithëpërfshirëse të ushtarakëve në rezervë, lirim, pension, veteranë dhe aktivë, e cila e bazon veprimtarinë e saj në parimet e respektimit, mbrojtjes dhe të zbatimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të parashikuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në ligje të tjera dhe akte nënligjore, si dhe në marrëveshjet ndërkombëtare.
Kjo aleance është jashtë ndikimit të influencave partiake dhe nuk është në opozitë me asnjë shoqatë tjetër. Përkundrazi, apelon bashkëpunim, mirëkuptim dhe dialog për të zgjidhur mbi baza ligjore të drejtat e trajtimit financiar të të gjitha kategorive të ushtarakëve, të llojeve, të armëve dhe shërbimeve dhe kontributeve të dhëna prej këtyre, në zbatim të Vendimit Nr. 9 datë 26.02.2007 të Gjykatës Kushtetuese. Mos-vlerësimi i vlerave të ushtarakëve influencon drejtpërdrejt në efektivitetin e ushtrisë aktive dhe sigurinë kombëtare. Ushtarakët e të gjitha llojeve e shërbimeve, të rendit dhe SHISH-it, në radhë të parë janë qytetarë të Republikës së Shqipërisë. Vlerat e Ushtarakëve në rezervë, lirim ose pension, si individuale dhe tërësore, janë pasuri kombëtare.
Është rast unikal në botë që me ndryshimin e sistemit, nga diktatura totalitare, ushtria shqiptare nuk shkrehu asnjë fishek manovre ndaj popullit të vet. Por, u bë palë me të dhe me kontributet e saj instaloj pluralizmin politik në Shqipëri. Por, gjatë qeverisjes në periudhën e tranzicionit nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, krerët e ushtarakëve në rezervë dhe ushtarakë të tjerë që arritën deputet në Parlamentin shqiptar, në kompromis me ministrat e Mbrojtjes, braktisen interesat e përfaqësimit të ushtarakëve në pension, lirim e rezervë. Ende këta zotërinj nuk lënë gur pa lëvizur për të ruajtur pozicionet ekzistuese aktuale në shërbim të influencave partiake të PD-së dhe PS-së.
Si rezultat, pushteti PD –PS mbolli në opinionin popull urrejtjen patologjike ndaj ushtarakëve. Kjo u realizua ndërmjet mikroorganizmave të shoqatave me mendësi militante partiake që luajtën rolin “përça, sundo, shpif se diçka do të ngelet”.
Puna e pamjaftueshme e kryesisë Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë dhe kompromiset e fshehta me qeveritë gjatë periudhës së tranzicionit, ndihmuan në fuqizimin e korrupsionit, i cili solli tragjedinë e Gërdecit; për të cilën, edhe për shumë vite në të ardhmen, taksapaguesit shqiptarë do të paguajnë koston me çmim të lartë për shkak të paaftësisë qeverisëse. Për këto arsye, Statusi i Ushtarakut dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese u bllokua. Mjaft më me politikat servile të Korrupsionit (Stop); të mos luhet me ndjenjat e ushtarakëve në rezervë se do të përfundojnë siç përfunduan në hetuesinë e Hiroshimës shqiptare. Në këto kushte, ushtarakët në pension, lirim, rezervë e të të gjitha strukturave të shtetit u denigruan, poshtëruan dhe ngelen pa liri dhe independencë personale. Sipas mediave, vlera e punës 50-vjeçare për kontributet e dhëna nga një ushtarak në rezervë, është sa një teneqe e kallajisur (baras - shtatë dollarë). Për sa më sipër, qeverive u ka munguar vullneti politik për të vlerësuar e respektuar kontributet e dhëna nga ushtarakët gjatë karrierës së tyre në shërbim të atdheut.
Në vendet demokratike, bazë është rotacioni administrativo-qeverisës në çdo 3 - 4 vjet. Shoqata e Ushtarakëve në Rezervë ka 14 vjet që nuk ka bërë zgjedhje dhe transparencë financiare. Kjo gjendje nuk ka më nevojë për koment.
Ushtarakët e të gjitha llojeve dhe të shërbimeve janë gënjyer përkohësisht, por kurrë përjetësisht. Prandaj, në të ardhmen kërkohet të rreshtohemi pas flamurit dhe diplomës. Ata janë zhgënjyer nga mos-vlerësimi i vlerave të tyre që qëllimisht qeveritë shqiptare nuk kanë treguar vëmendje e përkujdesje ndaj tyre sepse i kane parë si potencial real në alternativat e qeverisjes.
Asnjëherë dhe në asnjë çast në historinë shqiptare ushtarakët nuk kanë sjellë asnjë shqetësim, e jo më grushte e puçe shteti. Të gjitha grushtet e shtetit dhe alibitë ndaj tyre i kanë organizuar civilët nën udhëheqjen e politikës, në bashkëpunim me qarqet e caktuara reaksionare antishqiptare. Gjatë viteve për ndërtimin dhe mbrojtjen e Shqipërisë dalin në pah vlerat e spikatura njerëzore, sakrificat, korrektësia, përkushtimi, drejtësia, ndershmëria, idealet dhe atdhedashuria e ushtarakëve që pasqyrojnë mishërimin e vlerave të vërteta të të gjithë ushtarakëve të llojeve të armëve, shërbimeve, forcave të rendit dhe të SHISH-it. Këto vlera pasqyrohen me detaje në librin “Gjeneral Llakaj” shef i Shtatmadhërisë midis dy puçeve ushtarake, i cili, për mendimin tim, mund të titullohej ndryshe: “Alibia dhe Puçet e politikës ndaj ushtarakëve”.
Pra, këto vlera të ushtarakëve shqiptare janë të krahasueshme 100% me të gjitha vlerat e gjeneralëve evropianë dhe amerikanë. Nga 44 presidentë të Shteteve të Bashkuara, 21 kanë qenë ushtarakë që me qeverisjen e tyre arritën që Shtëpia e Bardhë të rrezatojë e gjenerojë zgjidhje në tërë globin me synim vendosjen e regjimeve ekonomiko-demokratike e politike, stabilitet dhe paqe, liri dhe të drejta, me suksesin e padiskutueshëm nën drejtimin e institucioneve demokratike.
Në nivele e shkallë të ndryshme, midis vështirësive e ndërhyrjeve dashakeqe të politikës, ish-presidenti (ushtarak) Alfred Moisiu i reflektoi me kujdes këto vlera, duke ruajtur ekuilibrat e pushteteve qeverisëse dhe sigurinë kombëtare gjatë mandatit të tij. Por, dhe ai nuk i ndihmoi ushtarakët për të drejtën e tyre në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese Nr. 9, datë 26.02.2007.
Në prill të vitit 2010 mbushet një vit anëtarësi në NATO, në këtë institucion politiko-ushtarak të sigurisë me rreze veprimi globale. Në këtë kuadër dalin në pah vlerat e shkëlqyera të ushtarëve dhe ushtarakëve shqiptarë që i kryejnë me përgjegjësi e në mënyrë perfekte detyrat në operacionet paqeruajtëse në Irak, Afganistan, Bosnje Hercegovinë, etj…
Pra, ky është një eveniment i veçantë historik, jo vetëm sigurie, por bazë e rëndësishme për investime, lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave dhe, mbi të gjitha, kontribute në biznesin turistik, sipas specifikave të mikroklimës në terrenin bregdetar, kodrinor e malor të vendit tonë. Pa mohuar përpjekjet e vazhdueshme të punës në përshtatje me situatat dhe jo me këndin e shikimit bardhë e zi, në të ardhmen e afërt ngelet shumë për të bërë në përshtatshmëri e ballafaqim me standardet e NATO-s. Pra, nevojiten kërkesa të reja që unë mendoj duke apeluar. Të ndërpritet lufta brenda llojit; të dalim nga rreshti dhe të riorganizohemi përsëri për tu bërë faktor përcaktues në zgjidhjen e halleve e shqetësimeve tona për zhbllokimin e Statusit të Ushtarakëve dhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Ne jemi të bashkuar, por duhet edhe më, kjo jo për nga preferencat partiake, por nga kontributet dhe djersa e derdhur për 50 vjet në qendra zjarri, vijë hapje, transhe, në vijë të kufirit, në aerodrome, porte dhe baza ushtarake detare. Që me uniformën ushtarake kemi rritur fëmijët tanë me ndjenjën e dashurisë për Shqipërinë. Pra, me çdo kusht, do të vëmë në vend dinjitetin dhe personalitetin e ushtarakëve të të gjitha kategorive të denigruar nga politika dhe beniaminët e saj.
Ushtarakët në rezervë, lirim dhe pension nuk kanë përfituar asgjë nga pronësia e përbashkët ushtarake kombëtare. Në të ardhmen, ushtarakëve duhet t’u jepet prioritet në privatizimin e objekteve ushtarake për shtëpi dhe aktivitete të tjera private.
Autori i shkrimit është në kryesinë e Shoqatës “Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve Shqiptarë”, Kolonel në Rezervë (Specialist i Forcave Ajrore)
17 Mars 2010