E Shtunë, 31 Tetor 2026

Programi “Brain Gain”, ikja masive e “trurit” nga Shqipëria ka ndodhur gjatë viteve 1990-2003



Ministri i Arsimit, Myqerm Tafaj, ka publikuar shifrat e programit “Brain Gain”, gjatë takimit me studentët shqiptarë që studiojnë në universitetet e Austrisë. Sipas kreut të Arsimit, pavarësisht shifrave modeste të të kthyerve, krahasimisht me shifrat e “trurit” të larguar, përpjekjet që janë ndërmarrë në këtë kuadër tregojnë për angazhimin serioz të qeverisë për t’i dhënë zgjidhje “ikjes së trurit”. Sipas statistikave, 1 në 5 shqiptarë kanë emigruar gjatë periudhës 1990-2001. Veçanërisht, një ikje masive e trurit nga Shqipëria ka ndodhur gjatë viteve 1990-2003. Ndërkohë, 65% e akademikëve dhe individëve me grada Doktorature (PhD) të arsimuar në vendet perëndimore gjatë viteve ’80 kanë emigruar. Programi “Brain Gain” në Shqipëri startoi në prill të vitit 2006. Misioni kryesor i programit konsiston në identifikimin e incentivave afatgjata dhe mekanizmave kombëtare, për të tërhequr dhe për ta mbajtur “trurin” në vend, pra, për t’i ofruar më shumë arsye individëve të kualifikuar për të qëndruar në Shqipëri. Në mars të vitit 2009, Programi “Brain Gain” shpërndau 78 certifikatat për grupin e parë të kandidatëve të përzgjedhur nga ky program. Secili kandidat përfitoi paketën nxitëse në shenjë merite dhe mirënjohjeje për kontributin që secili prej tyre i ka dhënë zhvillimit të vendit. Paketa incentive e programit përfshin një shumë të justifikuar financiare, interesa të ulta për huamarrje në bankat e vendit, si dhe lehtësim në integrimin e të kthyerve në tregun e punës. Nga grupi i parë i përfituesve të programit “Brain Gain”, 15 prej tyre janë të punësuar në vende kyçe të administratës publike, ndërsa 80 të tjerë janë të punësuar si lektorë në 18 universitetet e vendit (publike dhe private).

Bashkia Kamës
Nënshkruhet marrëveshja e binjakëzimit me Bashkinë e Maceratës në Itali

Të shtunën më 13 mars 2010 në orën 10.30 në një ceremoni të shkëlqyer solemne, në prani të personaliteteve më të larta të të dy vendeve, përkatësisht Giorgio Meschini, kryetari i Bashkisë së Maceratës në Itali dhe Xhelal Mziu, kryetar i Bashkisë Kamëz, u nënshkrua marrëveshja e binjakëzimit në mes dy bashkive, fryt i përpjekjeve, bisedimeve dhe vizitave të shtrira përgjatë dy viteve. Akti i finalizimit të marrëveshjes u mbështet fuqimisht nga dy ministritë e jashtme të të dy vendeve tona, përkatësisht të Italisë dhe Shqipërisë. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje, për binjakëzimin në mes dy qyteteve, e çon në një stad të ri Kamzën, siguron integrimin e saj në botën e përparuar e të zhvilluar. Gazetat lokale të Rajonit të Markes dhe qytetit të Maceratës, “Corriere Adriatico” dhe “Il Resto del Carlino” në datën 14 mars 2010, një ditë pas nënshkrimit të aktit të binjakëzimit, shkruanin me tituj të mëdhenj: “Kryetari firmos ‘Paktin e Binjakëzimit’ me Kamzën”, ‘Dje u kurorëzua Marrëveshja e miqësisë ndërmjet Maceratës dhe Kamzës’, ‘Firma me binjakun e katërt’”.

17 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›