BE-ja u ndan fonde 15 organizatave të shoqërisë civile në Kosovë

Prishtinë, 18 Janar NOA/Hajdin Islami - Zyra
ndërlidhëse e Komisionit Evropian shpalli sot 15 përfituesit e rinj të dy
programeve që përkrahin shoqërinë civile në Kosovë Instrumenti Evropian për
Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut (EIDHR) dhe Instrumenti i ndihmës për
para-anëtarësim (IPA).
Janë ofruar rreth 2.5 milionë euro për këto
projekte. Ftesa e ardhshme e EIDHR-së për propozime do të shpallet në fillim të
shkurtit 2010, duke i kombinuar fondet në dispozicion për 2009 dhe 2010. Kjo
ftesë e re paraqet mundësinë që organizatat e shoqërisë civile të marrin grante
nga BE-ja për dy vitet e ardhshme.
Kësaj here, projektet e përzgjedhura mund të
financohen deri në 95 për qind. Projektet e përzgjedhura në kuadër të EIDHR-së
dhe IPA-së 2008 trajtojnë çështjet kyçe të shqetësimit për shoqërinë kosovare
sikurse që janë: të drejtat e njerëzve me nevoja të veçanta, përkrahja e
komunitetit dhe zhvillimi përmes kulturës, të drejtat e fëmijëve dhe e
minoriteteve, fëmijët, ambienti, mundësitë e barabarta dhe shërbimet sociale.
Pesëmbëdhjetë përfituesit janë: Down Syndrome
Association of Kosovo, NORMA, Kosovar Stability Initiative (Iniciativa Kosovare
për Stabilitet), Centre for Visual Arts Media, Kosova Development Centre,
Handicap Kosova, Kosovar Catholic Church Caritas, Center for Common Ground, Civil
Rights Programme Kosovo, One to One Childrens Rights, SOS Kinderdorf,
Handikos, Agroklina, Partners for Democratic Change International dhe
Interkulturelles Zentrum.
Një sektor i fuqishëm i shoqërisë civile është
me rëndësi kyçe për të konsoliduar procesin demokratik dhe për ta afruar
Kosovën me praktikat më të mira evropiane. Pesha e saj që sa vjen e rritet po
ashtu është pasqyruar edhe në vendimin e Komisionit Evropian për të përfshirë
përkrahjen e shoqërisë civile në programin financiar të IPA 2008.
Që prej 2008 Komisioni Evropian, përmes
EIDHR-së, ka ndihmuar një numër të organizatave në Kosovë.
Objektivi kyç i skemës së granteve të EIDHR-së
është konsolidimi i rolit të shoqërisë civile për të promovuar të drejtat e
njeriut, reformën demokratike për të përkrahur pajtimin paqësor e grupeve të
interesit dhe për të konsoliduar pjesëmarrjen dhe përfaqësimin politik.
Në shkurt 2010, Komisioni Evropian do të hap
një rund të ri të aplikacioneve nga EIDHR-ja.
Pas publikimit të kësaj ftese për propozime,
do të organizohen seanca të veçanta trajnuese në tërë Kosovën se si të
aplikohet, konkretisht në Prishtinë, Mitrovicë, Mitrovica Veriore, Graçanicë,
Shtërpcë, Gjilan, Prizren, Pejë dhe Gjakovë, thuhet në mes tjerash në një
komunikatë për media të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në
Kosovë.
h.i/e.r/NOA