Ndihma e BE-së për Haitin, 120 milionë euro. Nis hedhja e ndihmave nga qielli

Porto Prince, 19 janar, NOA Ndihma e
akorduar prej vendeve të Bashkimit Evropian për Haitin, ishullin që u godit nga
një tërmet i fortë para pak ditësh mësohet të jetë plot 120 milionë euro.
Ky fond do të vihet në dispozicion menjëherë,
ndërsa nga autoritetet e Brukselit bëhet me dijeni se përveç kësaj ndihme
humanitare, është e mundur edhe një ndihmë shtesë për rindërtimin prej 300
milionë eurosh.
Lajmi është komunikuar menjëherë pas një
takimi krize të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian.
Këshilli i BE-së për politikën e jashtme u
mblodh së pari për të bërë një bilanc të situatës dhe për të diskutuar për
koordinimin më efektiv të ndihmave. Së dyti, për të menduar për javët dhe muajt
që vijnë. Kjo tragjedi do të kërkojë nga të gjithë ne përpjekje të
konsiderueshme për të ndihmuar këtë vend dhe kjo është ajo që do të bëjmë, tha
lidhur me një fakt të tillë, e ngarkuara e BE-së me politikën e jashtme,
Catherine Ashton.
Aktualisht në Haiti, po shtohet numri i
plaçkitjeve dhe akteve të dhunës. Shumë njerëz në zonat e katastrofës nuk kanë
mundësi të sigurojnë ushqime, ujë dhe barna.
Ndërkaq, burimet ushtarake amerikane njoftuan
se kanë bërë furnizime të popullsisë me ndihma humanitare nga ajri, madje po
nga ajri janë lëshuar vakte të gatshme për tu përdorur si dhe ujë i pijshëm.
n.e/NOA