BE-ja vendos kushte për vizat, Leigh: “Pavarësia e Gjyqësorit dhe siguria e dokumenteve, thelbësore”
Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit të Bashkimit Europian, Majkëll Leigh, deklaroi gjatë takimit me kryeministrin Berisha se liberalizimi i vizave varet nga ecuria e reformave. Leigh theksoi se pavarësia e Gjyqësorit dhe siguria e dokumenteve janë thelbësore për zgjedhjet. Ai gjithashtu u ka bërë thirrje partive politike që të punojnë së bashku dhe të luajnë rolin e tyre në realizimin e refomave që duhet të kryejë Shqipëria. “Zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të drejta është një parim kyç për integrimin në BE. Kryeministri Berisha më shpjegoi faktin se qeveria ka një plan me anë të të cilit do të shpejtojë dhënien e kartave të identitetit gjatë muajve që vijnë dhe ne kemi besim se kjo gjë do ta ndihmojë Shqipërinë që të kalojë vështirësitë dhe të zhvillojë zgjedhje në mënyrën më të mirë të mundshme”, - është shprehur Leigh. Ai vlerësoi gjithashtu konsensusin ndërpartiak që ka patur Shqipëria, sidomos në miratimin e reformës në Drejtësi dhe asaj zgjedhore. Përsa i përket sistemit gjyqësor, Leigh vlerësoi se, "një Gjyqësor i pavarur dhe efikas është tepër thelbësor për ecurinë e Shqipërisë drejt BE-së, pasi në këtë organizëm Gjyqësori luan një rol të rëndësishëm”. Në këtë drejtim, drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në KE, Leigh, kërkoi që të ruhet pavarësia e Gjyqësorit dhe ajo e institucioneve kushtetuese në Shqipëri. Më tej, Leigh vlerësoi progresin e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe theksoi se, "ka ende sfida përpara, të cilat nuk janë vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e tjera të rajonit". Një fushë tjetër, në të cilën kërkohet më tepër përparim nga Shqipëria, sipas Leigh, është edhe ajo që ka të bëjë me sigurinë e dokumenteve dhe përshpejtimin e dhënies së dokumenteve biometrike.
“Një aspekt tjetër i rëndësishëm i vizitës sime në Shqipëri është edhe fakti se Shqipëria u përzgjodh si vendi ku do të zhvillohet konferenca rajonale për donatorët, e cila mbahet në një kohë kur Europa ndodhet në recension. Ndikimi i krizës financiare botërore për Shqipërinë ka qenë deri tani tepër i kufizuar”, është shprehur Leigh, i cili informoi se KE-ja ka përgatitur një paketë ndihmëse në mënyrë që të asistojë vendet e rajonit në përballjen me këtë sfidë.
2 Prill 2009