E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha shmang strukturat, “vulos” vetë për koalicionin



Eljona Ballhysa
Pas Partisë Republikane, kryetari i Partisë Demokratike ka firmosur dje marrëveshjen e dytë të bashkëpunimit në zgjedhjet e 28 qershorit me Partinë Agrare Ambientaliste. Por ajo që është vënë re është mungesa e diskutimit të këtyre marrëveshjeve me anëtarët e PD-së në forumet më të larta të kësaj partie. Deputetët e Grupit Parlamentar të PD-së kanë shprehur pakënaqësi nga shmangia që u është bërë strukturave të partisë. Ata bëjnë të ditur se kryetari nuk e ka shtruar asnjëherë për diskutim nevojën për bashkëpunim me partitë aleate dhe me cilat prej tyre, ndërkohë që mendojnë se aleatët kanë dëmtuar qeverisjen e PD-së gjatë mandatit të parë.
Koalicioni
Sipas deputetëve të PD-së, një ndër skandalet më të mëdha të qeverisjes së PD-së është pa dyshim tragjedia e Gërdecit, përgjegjësi kryesor i së cilës është një ndër ministrat aleatë të PD-së. Sipas tyre, PD-ja nuk duhet të paguajë në zgjedhjet e 28 qershorit koston elektorale të PR-së, që vjen si pasojë e imazhit të krijuar në elektorat për shkak të tragjedisë së Gërdecit në të cilën humbën jetën 26 persona. Por edhe aleanca e PD-së me Partinë Agrare Ambientaliste të Lufter Xhuvelit nuk është parë asnjëherë me syrin pozitiv nga deputetët demokratë, por edhe nga anëtarët e tjerë të kësaj partie. Ata kanë parë te kjo parti një përfaqësuese të së majtës, e cila i zë vendin një figure me kontribute në PD. Të paktën në këto zgjedhje deputetët e PD-së, edhe për shkak të Kodit Zgjedhor, kanë arritur të shmangin lënien e vendeve bosh në listë për aleatët. Ndryshe nga sa ndodhi në zgjedhjet e 2005-s, ku një pjesë e zonave elektorale ishin lënë bosh për aleatët. Sipas deputetëve të PD-së, kjo gjë nuk ka për të ndodhur në zgjedhjet e 28 qershorit. Megjithatë, ata janë shprehur shpeshherë kundër përfaqësimit qeveritar të aleatëve. Sipas tyre, PD-ja ka kapacitetet e saj intelektuale me të cilat mund të qeverisë shumë më mirë se me aleatët.
Marrëveshja
Përkundër qëndrimit të deputetëve të partisë së tij, kryeministri Berisha ka theksuar dje gjatë fjalës së mbajtur pas nënshkrimit të marrëveshjes me PAA-në se Xhuveli do të jetë sërish në qeveri në rast fitoreje të PD-së. Ai bëri të ditur se bashkëpunimi me PAA-në nuk erdhi për shkak të domosdoshmërisë së votave në Kuvend, por për shkak të programit të njëjtë dhe parimeve të përbashkëta për mbrojtjen e mjedisit. “PDSH-ja dhe PAA-ja, në koalicionin e katër viteve që vijnë, nuk bashkuan thjesht e vetëm votat. E theksoj edhe një herë se ky koalicion nuk ka qenë një koalicion i diktuar nga votat, por i diktuar nga parimet që këto dy forca politike ndajnë për dy problemet më themelore të zhvillimit të shoqërisë dhe vendit, zhvillimit të qëndrueshëm rural, mbrojtjes dhe zhvillimit të mjedisit. Ky koalicion është për fitoren elektorale dhe qeverisjen e vendit dhe se cilat do të jenë postet do t’i caktojë parlamenti i ardhshëm shqiptar, por PAA-ja do të jetë parti qeverisëse”, - është shprehur Berisha. Pas PAA-së dhe PR-së, pritet që PD-ja të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me PAD-në, me PLL-në si dhe me Ballin Kombëtar.

2 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›