E Diel, 1 Nëntor 2026

Taksat vendore, qeveria premton ti rimbursojë biznesit paratë e paguara më tepër

Si bëhet pagesa e tatimit mbi të ardhurat për biznesin e vogël. Kush janë dy taksat vendore që paguajnë subjektet private

Ervin KOÇI

Subjektet e biznesit të vogël në bashkitë dhe komunat e të gjithë vendit janë “bërë lëmsh” gjatë muajit të fundit në lidhje me pagesën e taksave vendore. Subjektet ankohen se janë duke paguar më tepër taksa nga një vit më parë dhe fajin për këtë, sipas tyre, e kanë organet e pushtetit vendor që kanë rritur taksat. Në pamje të parë duket sikur janë dy tatime të ndryshme, por në të vërtetë flitet për një detyrim, por të llogaritur në dy mënyra të ndryshme. Deri sot, një biznes i vogël ishte i detyruar të paguante për bashkinë një kuotë fikse 1.5 për qind të xhiros së tij vjetore. Nuk kishte rëndësi se sa para kishte fituar biznesi që kishte bërë një xhiro vjetore prej 5 milionë lekësh, detyrimi i tij ishte 5 milionë x 1.5 për qind, ose 75 mijë lekë. Këtë vit bizneset do të paraqesin pranë sporteleve të bashkive, krahas xhiros vjetore, edhe bilancin e punës së tyre gjatë një viti. Në bilanc ka shpenzime dhe të ardhura, diferenca e të cilave jep edhe fitimin. Një e dhjeta e këtij fitimi do të jetë taksa që biznesi do të paguajë për bashkinë. Në rast se kjo shumë është më e vogël sesa 75 mijë lekë, për një biznes me xhiro vjetore 5 milionë lekë, atëherë Tatim-Taksat do të rimbursojnë biznesin me diferencën. Pra, në rast se fitimi i këtij biznesi do të ishte 700 mijë lekë në fund të vitit në bazë të deklaratave të dhëna nga vetë biznesi, atëherë ai duhet të paguajë 70 mijë lekë detyrime. Por, duke qenë se ai ka paguar 1.5 për qind të xhiros si tatim të parashikuar, atëherë atij do t’i kthehen 5 mijë lekë. Nga ana tjetër, në rast se fitimi i tij do të ishte 800 mijë lekë, atëherë tatimi që ai duhet të paguajë do të jetë 5 mijë lekë më shumë.

Premtimi për rimbursim

Sipas Ministrisë së Financave, bashkitë dhe komunat duhet t’i fusin të gjitha subjektet e biznesit të vogël në procesin e amnistisë fiskale, ku këto subjekte duhet të përfitojnë nga falja e gjobave dhe kamatëvonesave të viteve të mëparshme deri në vitin 2008, me kusht që të paguajnë bazën. Por, përveç kësaj, sipas zëvendësministrit të Financave, Mima, qeveria do t’i rimbursojë biznesit të vogël të gjitha taksat që ai ka paguar më tepër. Sërish edhe për vitin 2009, bizneset e vogla do të paguajnë 1.5 për qind mbi xhiron si tatim, por në fillim të vitit 2010 ky tatim do të matet si 10 për qind i fitimit. Duhet theksuar se shumica e bizneseve të vogla janë biznese familjare. Në llogaritjen e bilancit, pagesat mujore të të punësuarve janë shpenzime dhe e zvogëlojnë pjesën e fitimit në fund. Pra, fitim quhet jo pagesa mujore e të punësuarve, por diferenca finale mes shpenzimeve dhe të ardhurave. Sipas llogaritjeve, tatimi 1.5 për qind i xhiros është i barabartë me tatimin 10 për qind të një fitimi 6.6 për qind mbi xhiron. Një biznes me xhiro 5 milionë paguan 75 mijë lekë si tatim 1.5 për qind. I njëjti biznes do të paguante sërish 75 mijë lekë si tatim 10 për qind mbi fitimin në rast se në fund të vitit për 5 milionë lekë xhiro të kishte shpenzuar 4.25 milionë lekë. Pra ta kishte normën e fitimit 6.6 për qind. Duhet theksuar se ulja e normës së fitimit për të mbajtur të vogël tatimin, do të thotë çmime më të ulëta për konsumatorët.

Formula e pagesës së tatimit mbi të ardhurat

Ministria e Financave sqaroi dje opinionin publik lidhur me aplikimin e taksës së sheshtë për biznesin e vogël dhe implikimet e mundshme mbi të. Sipas burimeve të kësaj ministrie, për të shmangur çdo keqinterpretim të qëllimtë dhe për ta kuptuar më mirë aplikimin praktik të saj, drejtoria përkatëse e këtij dikasteri jep një shembull konkret: "Biznesi ‘x’ është i regjistruar si subjekt i taksës vendore mbi biznesin e vogël dhe realizon një xhiro vjetore prej 7 milionë lekësh. Taksa vendore mbi biznesin e vogël llogaritet duke shumëzuar xhiron vjetore me shkallën tatimore prej 1,5 përqindësh dhe paguhet në 4 këste të barabarta për çdo 3-mujor. Subjekti ‘x’ duhet të paguajë pranë komunës a bashkisë një taksë vjetore të barabartë me 7 milionë x 1,5 për qind = 105.000 lekë. Me përfundimin e vitit kalendarik subjekti duhet të dorëzojë pranë degëve të tatimeve një pasqyrë të të ardhurave dhe shpenzimeve dhe të llogarisë fitimin e tatueshëm e më tej tatimin përfundimtar”, - thuhet në njoftimin e kësaj ministrie. Duke e bërë më transparent këtë detyrim, këto burimeve sqarojnë: "Të supozojmë se subjekti ynë ka 6 milionë lekë shpenzime të zbritshme, ku përfshihen kostoja e mallrave dhe e shërbimeve të blera, pagat, sigurimet shoqërore, qiratë, faturat e energjisë, telefonisë, amortizimin e aktiveve të qëndrueshme dhe çdo shpenzim tjetër të lejuar nga ligji. Diferenca mes të hyrave gjithsej dhe shpenzimeve të zbritshme na jep të ardhurat e tatueshme, të cilat, në rastin tonë do të ishin 7- 6 milion = 1 milionë lekë. E ardhura e tatueshme, po të shumëzohet me shkallën tatimore prej 10 për qind na jep tatimin real mbi të ardhurat personale që duhet të paguante subjekti: 1 milion x 10 për qind = 100.000 lekë. Por ndërkohë subjekti ka parapaguar 105.000 lekë pranë bashkive dhe komunave, të cilat janë të zbritshme nga tatimi real. Në rastin tone subjekti ka paguar 105.000 - 100.000 = 5 mijë lekë më shumë, sesa duhet ndaj ligji thotë se në këtë rast subjektit i lind e drejta për të kërkuar rimbursim për tatimin e paguar tepër. Ky rimbursim jepet nga fondet e pushtetit qendror dhe të ardhurat e bashkive dhe komunave nuk preken", - bënë të ditur burimet e Ministrisë së Financave.

2 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›