Qeveria: Shtetasit me pasaportë të aplikojnë për kartën në datën 1 maj
Këshilli i Ministrave miratoi gjatë mbledhjes së djeshme vendimin që përcakton se në rast se punonjësit e gjendjes civile lejojnë aplikimin e shtetasve me pasaportë brenda kësaj periudhe, kostoja e aplikimit i ngarkohet punonjësit të gjendjes civile. Këshilli i Ministrave miratoi disa ndryshime në vendimin për pajisjen e shtetasve shqiptarë me letërnjoftimin elektronik që kanë të bëjnë me përcaktimin e afateve e të masave shtrënguese për ata që nuk aplikojnë brenda këtyre afateve. Në bazë të ndryshimeve të miratuara, procedura e aplikimit për shtetasit që disponojnë pasaportë fillon në datën 1 maj 2009. Nga ky rregull përjashtohen ata që kanë aplikuar brenda datës 31 janar 2009, për të cilët pajisja do të vazhdojë rregullisht. Ndërsa në njësitë e qeverisjes vendore, ku ende nuk ka filluar procesi i aplikimit për pajisjen me letërnjoftim, procedura e aplikimit për shtetasit që disponojnë pasaportë do të fillojë më 1 qershor 2009. Nëse nga grupet e monitorimit vërehen, gjatë aplikimit, shkelje të afateve e të procedurave, të parashikuara në këtë vendim, nga punonjësit përkatës të zyrës së gjendjes civile, për shtetasit që disponojnë pasaportë, kostoja e aplikimit do t’i ngarkohet punonjësit.
2 Prill 2009