Topalli u bën thirrje banorëve të aplikojnë për letërnjoftimet
Kryetarja e Kuvendit u bëri thirrje dje banorëve të komunave të Bushatit dhe Dajçit të shkojnë për të aplikuar për kartat e identitetit si standard kryesor për një vend anëtar të NATO-s. Në takimet me banorët e Bushatit dhe Dajçit, kryetarja e Kuvendit e cilësoi këtë proces si moment dinjiteti për çdo qytetar. “Të mos hezitojnë ata që ende nuk kanë shkuar për të marrë kartën e identitetit dhe janë pa pasaporta. Ju lutem, shkoni dhe merrni kartat e identitetit. Karta ju shërben për ditën e votimit, e cila është ndër ditët më të rëndësishme, ku ju mund t’i jepni një hov tjetër zhvillimit të komunës suaj dhe në tërësi Shqipërisë. Marrja e kartës është moment dinjiteti për çdo qytetar. Ne jemi të sigurt që, kryepleqtë, ju, do të bëni të mundur që për një periudhë shumë të shkurtër ta mbyllni aplikimin dhe pastaj shpërndarjen e këtyre kartave”, - është shprehur Topalli.
2 Prill 2009