E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, bllokohet makina e Gatuzos

 

Etleva Delia  

Gjendet në Tiranë makina e vjedhur futbollistit të Milanit, Genaro Gatuzzo. Kontrollet e bëra nga oficerët e Seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme të kryeqytetit kanë zbuluar se makina e futbollistit të Milanit dhe Kombëtares italiane, prej 3 vjetësh drejtohej nga një i ri shqiptar dhe për më tepër ishte pajisur me targa shqiptare. Burime nga Drejtoria e Policisë së Tiranës thanë se makina tip “Range Rover”, e cila rezultonte e grabitur në Itali më 2 tetor të vitit 2006 dhe dyshohet se i ishte shitur të riut shqiptar, i cili e kishte në përdorim edhe dje para se ta sekuestronte policia. Makina luksoze rezulton e pajisur me targa shqiptare, TR 0056 P, në një kohë që targat origjinale të saj janë CW 542 YG dhe pas verifikimit nga policia rezultonte e vjedhur në Milano të Italisë, madje edhe e denoncuar si e vjedhur nga futbollisti Gatuzzo. Burimet shpjeguan se sekuestrimi i makinës “VIP” erdhi gjatë një aksioni që specialistët e Antitrafiqeve kanë ndërmarrë kohët e fundit për bllokimin e të gjitha automjeteve të vjedhura jashtë Shqipërisë.
VERIFIKIMI
Ka qenë një kontroll i imtësishëm i dokumenteve të makinës që ka zbuluar pronarin e vërtetë të makinës “Range Rover”, që u bllokua mesditën e djeshme në Tiranë. Parregullsitë në dokumentacion kanë detyruar oficerët e policisë që të kontrollonin edhe numrin e shasisë së mjetit dhe më pas ta verifikonin edhe me ndihmën e Interpolit, nëse i përkiste ndonjë makine të denoncuar si e vjedhur jashtë kufijve të Shqipërisë. Numri i shasisë SALLSAA146A927689, që kishte automjeti luksoz, pas verifikimeve ka rezultuar se i përkiste targave italiane CW 542 YG. Kjo makinë, me këto të dhëna, sipas policisë është denoncuar e vjedhur nga policia italiane më 2 tetor të vitit 2006, në Milano. Pronari legjitim i saj rezulton të jetë futbollisti i Milanit dhe i Kombëtares italiane, Genaro Gatuzzo, i cili madje 3 vjet më parë ka bërë edhe një kallëzim për vjedhjen e saj.
HETIMI
Automjeti i futbollistit italian, Gatuzzo, prej tre vitesh lëvizte në Tiranë me targë TR 0056 P. Sipas policisë, pas sekuestrimit të këtij automjeti luksoz, tashmë kanë nisur hetimet për personin që po e drejtonte në momentin e ndalimit, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye hetimi, si dhe për personat që mund ta kenë trafikuar makinën “Range Rover” nga Italia në Shqipëri. Dyshimet paraprake të grupit hetimor lidhen me faktin se makina mund të jetë futur në territorin shqiptar nga shtetas italianë, të cilët më pas e kanë shitur. Por nuk përjashtohet mundësia e bashkëpunimit me ndonjë shqiptar. Burime nga policia shtuan se ka nisur procedimi penal për poseduesin e mjetit, gjithashtu kanë nisur hetimet për ciklimin dhe targimin e makinës. Policia shqiptare menjëherë pas verifikimit të automjetit ka njoftuar policinë italiane, për të nisur dokumentacionin përkatës që ekziston atje nga denoncimi i 3 viteve më parë për vjedhjen e kësaj makine. Aktualisht automjeti i sekuestruar ndodhet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe kanë filluar hetimet për të zbuluar se cilët janë bashkëpunëtorët në këtë grabitje speciale.

Makina e vjedhur e Bekham, në Shqipëri

TIRANE – Tre vite më parë trafikantë të makinave kanë tentuar të fusin në Shqipëri fuoristradën luksoze të futbollistit David Bekham. Makina luksoze tip “BMW X5”, e cila i përkiste futbollistit të njohur, ish-kapitenit anglez David Bekham, është ndaluar më 24 nëntor të vitit 2006 në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, së bashku me disa mjete të tjera të vjedhura. Fillimisht rasti u publikua në të gjitha mediat lokale në Maqedoni, Shqipëri, por edhe në Bullgari, të cilat njoftuan se mjeti luksoz “BMW X5”, i vjedhur në Madrid në fund të vitit 2005, u bllokua nga policia maqedonase. Makina e David Bekham ishte në listat e Interpolit, pasi ishte deklaruar e vjedhur nga policia spanjolle në fund të vitit 2005, kohë kur Bekham qëndronte më shumë në Spanjë, duke qenë se luante për Realin e Madridit. Mjeti luksoz ishte mes pesë makinave të tjera luksoze, të bllokuara nga policia maqedonase në Tushemisht dhe që ishin në pritje për t’u futur në Shqipëri. Por, pasi është njoftuar nga policia spanjolle se automjeti i vjedhur i tij është gjetur, futbollisti David Bekham ka deklaruar se nuk e donte më atë makinë, duke qenë se e kishte harruar tashmë dhe automjeti luksoz ka dalë në ankand, duke u shitur me vlerën e 105 mijë eurove.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›