BE-ja zgjedh presidentin dhe ministrin e jashtëm
Blerina Olldashi
Shefat e shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Europian u mblodhën dje në Bruksel, në përpjekje për të zgjedhur kryetarin e parë të Bashkimit Europian, por edhe postin e ri që është krijuar me Traktatin e Lisbonës, që përforcon politikën e përbashkët të sigurisë dhe të mbrojtjes së BE-së, të ashtuquajturin ministrin e jashtëm të Bashkimit Europian. Situata u paraqit konfliktuale, pasi kryeministri britanik Gordon Braun, propozoi emrin e Kethrin Ashton për postin e ministrit të jashtëm të BE-së. Braun deklaroi se ky vendim erdhi pasi ministri kandidat Toni Bler nuk ka asnjë shans të fitojë postin e ri. Shumë nga kandidatët, emrat e të cilëve janë përmendur deri tani, nuk kanë fituar mbështetjen e shumë shteteve, disa madje as të partive, të cilat i përfaqësojnë. Kështu emri i ish-kryeministrit të Britanisë së Madhe, Toni Bler, që është përmendur më së shumti, nuk figuron më në mes të favoritëve, pasi që as Partia Socialiste Europiane nuk e mbështet atë, por do të dëshironin që në këtë post të kenë dikë tjetër. Ndërkaq, kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se Gjermania dhe Franca do të votojnë së bashku e jo kundër njëra-tjetrës. Për rajonin e Ballkanit ndoshta një post edhe më i rëndësishëm do të jetë ai i Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, që kësaj radhe, sipas Traktatit të Lisbonës, do të jetë me automatizëm edhe nënkryetar i Komisionit Europian. Në këtë post, që është i ngjashëm, por më me pak kompetenca, në këtë moment është Havier Solana, i cili ka paralajmëruar që së shpejti do të largohet nga Brukseli. Për postin e Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri më së shumti përflitet edhe emri i ish-kryeminsitrit të Italisë, Masimo Dalema, i cili edhe vjen nga radhët e socialistëve dhe ka edhe mbështetjen e kryeministrit aktual të Italisë, Silvio Berluskoni.
Kompetencat e Ministrit të Jashtëm
Vëmendja e samitit të djeshëm është përqenduar tek zgjedhja e ministrit të jashtëm. Ministri i Jashtëm i BE-së, do të duhet të marrë detyrën me 1 dhjetor, kur të hyjë në fuqi Marrëveshja e Lisbonës. Detyra e tij do të jetë shumë e vështirë sepse shtetet anëtare të BE-së duhet të flasin me një zë, por pa i prekur kompetencat e shteteve anëtare. Qëllimi i BE-së është që në të ardhmen të gjitha aktivitetet në politikën e jashtme të vendosen nën një kulm. Punët e deritanishme në Këshill dhe në Komision duhet të bashkohen me qëllim që sektori i punëve të jashtme dhe i sigurisë të ketë një strukturë më të mirë. Në ekip do të bëjnë pjesë edhe përfaqësuesit i shërbimeve të jashtme nga të gjitha 27 vendet anëtare. Kristina Gallak, zëdhënëse e shefit aktual të diplomacisë europiane, Havier Solana, mendon se ia vlen të angazhohesh. “Në këtë mënyrë do t’i koordinojmë më mirë aktivitetet politike dhe resurset që kemi. Ndonëse të gjithë jemi pjesë e BE-së, ndërlidhja nuk është gjithmonë e mirë. Prandaj aksionet nuk janë të koordinuara si duhet dhe shkojnë njëri pas tjetrit”.
20 Nentor 2009