Cilat janë çështjet që mund të trajtohen në Strasburg
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut është një institucion ndërkombëtar që, sipas disa kushteve, mund të pranojë kërkesat e personave, të cilët ankohen për shkelje të të drejtave të garantuara nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Kjo Konventë është një marrëveshje nëpërmjet të cilit shumë shtete të Evropës janë angazhuar të respektojnë disa të drejta themelore të individëve. Këto të drejta janë formuluar në vetë Konventën, si edhe në disa Protokolle, të cilat një pjesë e shteteve i kanë nënshkruar. Ju rekomandohet të njiheni me këto tekste dhe me rezervat që shtetet kanë për nene të veçanta, të cilat janë pasqyruar në tabelat përkatëse në fund të këtij botimi. Nëse ju vlerësoni që një prej Shteteve, lista e të cilëve është në fund të botimit, ka shkelur në dëmin tuaj një nga këto të drejta themelore, ju mund të ankoheni për shkeljen në Gjykatë. Kjo Gjykatë mund të trajtojë vetëm ankesat në lidhje me shkeljen e të drejtave të formuluara në Konventë dhe në Protokollet, duke përjashtuar të gjitha shkeljet e tjera. Gjykata e Strasburgut mund të pranojë kërkesa vetëm nëse ato drejtohen kundër njërit prej Shteteve, lista e të cilëve është më poshtë, dhe nëse ato kanë të bëjnë me ngjarje më të vona se data kur shteti ka
ratifikuar (pranuar Konventën). Kjo datë ndryshon sipas Shtetit të paditur dhe sipas faktit nëse kërkesa përputhet me një të drejtë të formuluar në vetë Konventën, apo në një nga Protokollet. P.sh. ankesa ndaj Republikës së Shqipërisë mund të bëhen vetëm kur shkeljet e Konventës janë bërë pas datës 02.10.1996, kur Konventa është ratifikuar nga Kuvendi (Parlamenti) i Shqipërisë dhe ka hyrë në fuqi pas kësaj date.
Ju mund të ankoheni në Gjykatë vetëm për aktet e një autoriteti publik (Parlament, administrate, gjykata etj.) të njërit prej Shteteve të listës.
Refuzimi
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut nuk mund të merret me ankesat e drejtuar kundër personave të veçantë, ose institucioneve private. Përpara se t’i drejtoheni Gjykatës së Strasburgut, ju duhet të keni bërë, në shtetin ku jeni dënuar, të gjitha (ankesat) rekurset që do të kishin mundur të sillnin zgjidhjen e çështjes në favorin tuaj ose ndreqjen e situatës për të cilën ju ankoheni. Ju duhet, për shembull, t’i jeni drejtuar organit më të lartë kompetent psh. në qoftë se
ankoheni se jeni dënuar padrejtësisht nga gjykata e shkallës së parë p.sh. në Itali ose Greqi, ose Francë, duhet të keni bërë ankesë brenda afateve në gjykatat e Apelit dhe në qoftë se lejohet edhe në Gjykatën e Lartë (apo të Kasacionit) të vendit ku jeni dënuar.
Afati
Gjatë ndjekjes së tyre ankimeve (rekurseve), ju duhet të keni respektuar rregullat e procedurës, sidomos afatet që ato parashikojnë. Nëse, për shembull, rekursi juaj është hedhur poshtë si i bërë me vonesë, apo për mosrespektim të një rregulli të kompetencës ose të procedurës, ka mundësi që Gjykata
e Strasburgut të mos e shqyrtojë çështjen tuaj. Pra duhet bërë kujdes sepse kalimi i afatit 6 mujor, pas datës së vendimit të fundit të dhënë për çështjen tuaj bën që ankesa juaj të mos merret në shqyrtim. Pasi organi më i lartë kombëtar kompetent p.sh. Gjykata e Apelit greke, italiane etj. ka dhënë vendimin e
saj, ju keni një afat maksimal prej gjashtë muajsh për t’ju
drejtuar Gjykatës së Strasburgut. Nëse ankimi juaj ka të bëjë me një dënim, afati fillon duke u nisur nga data e vendimit përfundimtar të formës së prerë dhe jo duke u nisur nga refuzimi i ndonjë kërkese të bërë për rishikim jashtë afateve të rregullta të ankimit. Gjykata nuk do ta shqyrtojë ankesën tuaj nëse, përpara skadimit të afatit prej gjashtë muajsh, ju nuk i keni paraqitur asaj qartë arsyet e ankimit tuaj, qoftë edhe në një formë të shkurtuar.
PARAQITJE E SHKELJES OSE E SHKELJEVE TË KONVENTËS DHE/OSE E PROTOKOLLEVE, SI DHE ARGUMENTET MBËSHTETËSE
Shpjegoni në këtë rubrikë, sa më saktë që të jetë e mundur, cilat janë ankimet tuaja përsa i përket shkeljes së Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut. Tregoni mbi cilën dispozitë ose dispozita të Konventës mbështeteni dhe shpjegoni përse i vlerësoni faktet e përshkruara në rubrikën II si shkelje të këtyre dispozitave. Siç duhet t’ju ketë rënë në sy, disa nene të Konventës autorizojnë, brenda disa kushteve, kufizime në ushtrimin e të drejtave që ato garantojnë (shih, për shembull, pikat (a) deri (f) të nenit 5 1, si dhe paragrafin e dytë të neneve 8 deri 11). Nëse ju i referoheni njërit prej këtyre neneve, shpjegoni përse mendoni që kufizimi për të cilin ankoheni
nuk ishte i autorizuar.
PARAQITJE LIDHUR ME NENIN 35 § 1 TË KONVENTËS
Në këtë rubrikë, përshkruani në mënyrë të plotë
ankimet (rekurset) që ju keni ushtruar përpara autoriteteve
kombëtare të shtetit që ju ka dënuar. Plotësoni secilën prej tre pjesëve të kësaj rubrike, duke ndarë përgjigjet tuaja për secilin ankim që ju paraqitni përpara Gjykatës. Në pikën 18, përmendni të gjitha rekurset që mund të kishin sjellë ndreqje të ankimeve tuaja, por që ju nuk i keni bërë. Nëse një rekurs i tillë ekzistonte, specifikojeni atë (për shembull, duke shënuar emrin e
autoritetit – gjyqësor ose tjetër – të cilit mund t’i drejtoheshit) dhe shpjegoni përse nuk e keni përdorur atë, pra pse nuk jeni ankuar, psh se nuk ju kanë lejuar autoritetet e burgut, të policisë etj.
PARAQITJE E OBJEKTIT TË KËRKESËS
Tregoni në këtë rubrikë se çfarë prisni nga procedura që ju kërkoni të hapni në Gjykatë. Duhet gjithashtu të saktësoni në vija të përgjithshme pretendimet tuaja për të kërkuar zhdëmtimin e drejtë që ju kërkoni të fitoni, duke u mbështetur në nenin 41 të Konventës Evropiane të të drejtave të njeriut.
INSTANCA TË TJERA NDËRKOMBËTARE QË TRAJTOJNË OSE KANË TRAJTUAR ÇËSHTJEN
Në këtë rubrikë ju do të tregoni nëse i keni paraqitur ankimet e përfshira në ankesën drejtuar Gjykatës së Strasburgut, në një instancë tjetër ndërkombëtare hetimore ose vendimore. Nëse po, lutemi jepni për atë instancë të dhëna të plota, konkretisht emrin e organit ndërkombëtar të cilit i jeni drejtuar, të gjitha hollësitë mbi procedurat e ndjekura, vendimet e dhëna prej tyre, me datën e tyre. Bashkëngjitni një kopje të vendimeve të dhëna dhe të çdo dokumenti tjetër përkatës.
LISTA E DOKUMENTEVE
Mbani parasysh që të dërgoni jo origjinale, por vetëm kopje të dokumenteve. Mos harroni të shtoni në ankesën tuaj dhe të përmendni në këtë listë të gjitha gjykimet si dhe vendime të tjera që ju keni, si edhe çdo dokument tjetër që ju dëshironi të
paraqisni në Gjykatën e Strasburgut si mjet prove si raporte
mjekoligjore, deklarata të dëshmitarëve etj. Megjithatë,
kufizohuni të dërgoni vetëm dokumentet që kanë rëndësi për shqyrtimin e ankimeve që përmban ankesa juaj.
DEKLARATA DHE NËNSHKRIMI
Nëse formulari i ankimit do të nënshkruhet jo nga vetë ankuesi, por nga përfaqësuesi i tij, ajo duhet të shoqërohet me një prokurë në favor të këtij të fundit, të nënshkruar nga vetë ankuesi, (me përjashtim të rastit kur një prokurë e tillë është dorëzuar më parë në Sekretariat).
20 Nentor 2009